09.02.2026
Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Procesi gjyqësor në Hagë po i afrohet fundit dhe, pavarësisht rezultateve konkrete juridike, ai tashmë ka prodhuar pasoja të thella në planin politik, shoqëror dhe historik. Një nga mësimet themelore që opinioni publik do të duhej të nxirrte nga ky proces është kuptimi i kontekstit në të cilin u shfaq Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
UÇK-ja nuk lindi në një vakum politik, as si projekt pushteti, por si reagim i fundit i një populli që për dekada u përball me shtypje sistematike, dhunë shtetërore dhe mohim të të drejtave elementare. Ajo u formësua në një moment kur, për një pjesë të madhe të shoqërisë shqiptare në Kosovë, rrugët institucionale dhe paqësore për mbrojtjen e jetës, dinjitetit dhe të drejtave kolektive perceptoheshin si të mbyllura.
Kostoja njerëzore e konfliktit ishte e jashtëzakonshme: mijëra civilë të vrarë, përfshirë fëmijë; dhjetëra mijëra gra e vajza të mbijetuara të dhunës seksuale; shkatërrim masiv i shtëpive dhe i bazës ekonomike familjare. Këto shifra nuk janë thjesht statistika — ato përbëjnë sfondin tragjik brenda të cilit duhet kuptuar radikalizimi i rezistencës.
Megjithatë, një gjykatë penale ndërkombëtare nuk merret me domosdoshmëri historike, por me përgjegjësi individuale konkrete. Strategjitë e mbrojtjes juridike, për nga natyra e tyre, synojnë të mbrojnë persona të caktuar nga përgjegjësia penale dhe jo të artikulojnë një narrativë të plotë historike mbi shkaqet e luftës. Në këtë plan Prishtina dhe Tirana zyrtare mund të thuhet se dështuan ta ngrejnë dhe koordinojnë një trup mbrojtësish unik e të mirëfilltë. Për pasojë, gjykimi penal nuk mund të shërbejë si tribunë për të vlerësuar në tërësi domethënien historike të UÇK-së.
Rreziku lind atëherë kur një proces penal ndaj individëve tentohet të shndërrohet në gjykim politik mbi vetë legjitimitetin e rezistencës së një populli ndaj shtypjes. Një qasje e tillë do të përmbyste raportin mes historisë dhe drejtësisë: drejtësia penale shqyrton veprime të caktuara, ndërsa historia analizon rrethanat, strukturat e dhunës dhe alternativat reale që kanë ekzistuar në një periudhë të caktuar.
Prandaj, sfida për shoqërinë është të mbajë njëkohësisht dy qëndrime që nuk përjashtojnë njëri-tjetrin: të pranojë se liria ka pasur një çmim tragjik dhe se rezistenca ka lindur nga një kontekst shtypjeje e thellë, ndërkohë që respekton parimin se përgjegjësia penale është gjithmonë individuale dhe vendoset vetëm mbi bazën e provave dhe ligjit.
Vetëm ky dallim i qartë e mbron njëkohësisht dinjitetin e kujtesës historike dhe integritetin e drejtësisë.
