Nga Dr. Gurakuç KUÇI
Pas shumë përpjekjeve të Rusisë dhe Serbisë për të ndryshuar kursin e Moldavisë nga një shtet pro-evropian në një satelit pro-rus, ato dështuan dje përfundimisht. Zgjedhjet i dhanë fitore bindëse partisë pro-evropiane për Veprim dhe Solidaritet (PAS), me mbi 50% të votave.
Strukturat ruse, me mbështetje logjistike nga Serbia, kishin trajnuar dhe financuar persona nga Moldavia dhe Rumania për t’u infiltruar në zgjedhje dhe për të krijuar destabilizim shoqëror. Inteligjenca moldave ekspozoi këto grupe, dhe vetëm para disa ditëve 74 persona të trajnuar në Serbi tashmë janë nën akuzë.
Ky zbulim i hershëm jo vetëm që neutralizoi planin ruso-serb, por e mobilizoi opinionin publik moldav të votojë qartë për orientimin evropian, duke e bërë të pamundur rrëshqitjen e vendit drejt Moskës.
Kjo nuk është vetëm histori moldave. Rusia dhe Serbia po përdorin të njëjtën taktikë hibride kudo ku shohin zgjedhje si mundësi për të përmbysur struktura pro-perëndimore. Nga fqinjët e Rusisë e deri te fqinjët e Serbisë në Ballkanin Perëndimor, synimi mbetet i njëjtë: shtrirja e influencës përmes deformimit të demokracisë dhe duke i shndërruar zgjedhjet elektorale në gjeopolitikë.
Urime për PAS dhe presidenten Maia Sandu. Një hap i radhës është që Moldavia të vendosë marrëdhënie zyrtare me Kosovën, duke pranuar realitetin e ri në Ballkan. Ky akt do të forconte jo vetëm pozitën e Kosovës, por edhe vetë Moldavinë, duke reduktuar hapësirat e ndikimit ruso-serb në rajon.