Nga Dr. Gurakuç KUÇI
E vetmja turmë që u pa në veri të Kosovës në ditën e zgjedhjeve ishte ajo e serbëve që u drejtuan kolektivisht për të votuar. Një proces që, sfidon parimet bazë të votës së lirë dhe individuale. Siç raporton Vreme, kur qytetarët u pyetën nëse ishin aty me vullnet të lirë apo me detyrë, përgjigjja ishte “pak nga gjithçka, çfarëdo që të doni”. Kjo frazë përmbledh realitetin e zgjedhjeve nën kontroll të strukturave politike dhe financiare që veprojnë në emër të Beogradit.
Sipas Vreme, Lista Serbe ka ndërtuar narrativën se mbështetja për të është “akt patriotik për qëndrimin në vatrat shekullore”. Në praktikë, kjo u përkthye në mobilizim të detyruar dhe në një “fitore” formale që nuk përkthehet në përfaqësim reale në institucionet e Kosovës.
Në mëngjesin pas zgjedhjeve, në kafenenë “Vuk” në Mitrovicë, e njohur si qendër jozyrtare e elitës lokale serbe, nuk kishte festë, raporton Vreme. Asnjë flamur, asnjë muzikë, vetëm qytetarë që pinin kafen e zakonshme. Fitorja dukej më shumë si detyrë e kryer për Beogradin sesa si shpresë për qytetarët e veriut.
Radio Evropa e Lirë vëren se në krahasim me zgjedhjet e vitit 2021, Lista Serbe ka pësuar rënie prej 10–20 për qind në shumicën e komunave, megjithëse i ka fituar nëntë prej dhjetë pa balotazh. Ky trend tregon lodhje të elektoratit dhe mosbesim në retorikën e kontrollit politik.
Serbët e Kosovës, nën presion psikologjik, ekonomik dhe institucional, mbeten të bllokuar në një sistem ku lojaliteti politik shpërblehet me punë e përfitime, ndërsa mospajtimi ndëshkohet. Kjo skemë ngjan më shumë me mekanizma të kontrollit informal sesa me demokraci funksionale.
Nëse krahasohen komunat veriore me pjesën tjetër të Kosovës, kontrasti është i dukshëm: mungesë zhvillimi, frikë dhe pasiguri kundrejt dinamizmit ekonomik dhe social në jug. Struktura të lidhura me Beogradin, të përfaqësuara nga emra si Radoiçiq e Veselinoviq, kanë ndërtuar një model që e mban veriun nën varësi dhe frikë.
Megjithatë, rezultati i 2025-ës, ndonëse i manipuluar politikisht, tregon një ndryshim të ngadaltë. Kosova duhet të ruajë strukturën institucionale mbi bazë ligjore e profesionale, jo mbi kriterin etnik apo politik. Vetëm kështu, zbatimi i ligjit dhe funksionimi i administratës do të jenë kundërpeshë reale ndaj cirkut propagandistik të Listës Serbe dhe sponsorëve të saj në Beograd.