Nga Dr. Gurakuç KUÇI
Deklarata e Komisionerit Evropian të Mbrojtjes, Andrius Kubilius, se inteligjenca gjermane ka prova për diskutime në Kremlin lidhur me një sulm të mundshëm ndaj NATO-s, përkon me intensifikimin e veprimeve hibride ruse në Evropë. Valët e fundit të dronëve që kanë depërtuar nga veriu deri në jugperëndim të kontinentit, si dhe incidentet pranë infrastrukturave strategjike të vendeve aleate, tregojnë se Moska po teston kufijtë e reagimit të Aleancës.
Në të njëjtën kohë, Serbia po amplifikon narrativën ruse në Ballkan. Presidenti Vuçiç paralajmëron “luftë të afërt”, ndërsa shpif për “spastrime etnike” në Kosovë, duke e përdorur fushatën zgjedhore për mobilizim politik e civil të serbëve lokalë. Kjo është një formulë klasike e ndërhyrjes hibride: krijim tensioni, prodhim paniku dhe justifikim i veprimeve të ardhshme nën petkun e “mbrojtjes kombëtare”.
Rreziku real ndoshta nuk është një pushtim frontal i NATO-s, por një valë e re provokimesh të vazhdueshme: dronë, sulme kibernetike, sabotime infrastrukturore dhe manipulim elektoral në zonat gri. Përgjigjja duhet të jetë e qartë: forcim i parandalimit teknik dhe politik, mbrojtje e hapësirës ajrore dhe rrjeteve kritike, reagim i shpejtë ndaj dezinformimit dhe koordinim i plotë me NATO-n e BE-në.
Në këtë fazë, qëndrimi i vetëm i vlefshëm është përgatitja. Sepse Rusia dhe satelitët e saj, përfshirë Serbinë, nuk kërkojnë domosdoshmërisht fitore ushtarake, por frikë, konfuzion dhe përçarje. Dhe pikërisht aty NATO duhet të jetë më e fortë: e bashkuar, e qartë dhe e gatshme. Sepse nëse kjo fazë tregohet e suksesshme kundër NATO-së dhe aleatëve të saj, atëherë edhe faza ushtarake do jetë ogurzezë.