Nga Dr. Bardh MEDOKA
Kriza politike dhe sociale disamujore dhe protestat janë thelluar e përshkallëzuar ditët e fundit në përleshje të hapura midis mbështetësve dhe kundërshtarëve të Vuçiqit.
Eskalimi në dhunë të hapur, me skena të rrahjes morbide të studentëve protestues, dëshmon se regjimi fashist serb po e shpjen Serbinë drejt një udhëkryqi. Shtatori dhe tetori do të tregojnë nëse lëvizja studentore do të jetë e aftë të shfrytëzojë mundësinë për të krijuar një strukturë të re politike dhe me këtë për të vënë në lëvizje një dinamikë të re politike. Nëse nuk tregohen të aftë për të përballuar tundimet e grupeve neofashiste me frymë të theksuar antishqiptare, dhe syçelë nga provokatorët e qeverisë, atëherë lëvizja studentore serbe do të humbas një mundësi historike.
Ndërkaq nëse trajektorja e protestave do të shkojë paralel me procesin e strukturimit të forcës politike që do ta drejtojë nesër vendin, atëherë rezultati do të ishte vendimtar për demokracinë serbe dhe për paqen në rajon.
Serbia prandaj ndodhet para alternativës: Ose nga kjo lëvizje do të krijohet një alternativë e vërtetë politike, proeuropiane, ose ajo do të shuhet gradualisht, duke u stivuar në arkivat e historisë si një mundësi e humbur, dhe me këtë, duke i krijuar hapësirë ideale regjimit të konsolidojë strukturat e vjetra.