Nga Dr. Gurakuç KUÇI
Shpërndarja e parullave nacionaliste në veri të Kosovës në prag të zgjedhjeve lokale është pjesë e një strategjie të koordinuar nga Beogradi për të kontrolluar vullnetin politik të serbëve në Kosovë.
Kjo strategji mbështetet mbi disa mekanizma të njohur:
– Skemat sociale – përdorimi i fondeve shtetërore si mjet për blerjen e votës;
– Instrumentalizimi i nacionalizmit – paraqitja e pjesëmarrjes në zgjedhje dhe gjithë atmosferës parazgjedhore si formë “rezistence civile” kundër Kosovës;
– Stigmatizimi – kërcënimi me shpallje “tradhtar” i çdo serbi që nuk ndjek Listën Serbe;
– Mobilizimi artificial – transportimi i votuesve nga Serbia për të votuar në Kosovë;
– Presioni direkt – kërcënime dhe shantazhe ndaj qytetarëve.
Këto metoda nuk janë të reja. Serbia ka ndjekur qasje të ngjashme në zgjedhje si në Kosovë, në rajonin e Ballkanit Perëndimor, e deri në Moldavi. Pra, nuk bëhet fjalë për incidente të rastësishme, por për një strategji hibride të konsoliduar: përdorimin e demokracisë si instrument për ta minuar vetë demokracinë.
Parullat e fundit nacionaliste në veri nuk janë thjesht retorikë elektorale. Ato synojnë krijimin e një atmosfere të rreme “rezistence civile” tek serbët e Kosovës. Një klimë e tillë mund të shfrytëzohet për qëllime më të gjera destabilizuese, përtej procesit elektoral.
Shtetet dhe institucionet ndërkombëtare si SHBA-ja, BE-ja, Britania e Madhe, OSBE-ja, Këshilli i Evropës, etj., duhet të ndërhyjnë me presion politik mbi Serbinë, duke i ndaluar praktikat e manipulimit dhe keqpërdorimit të zgjedhjeve. Ato tashmë janë të vetëdijshme se ndërhyrja elektorale nga Beogradi është bërë praktikë e përsëritur, dhe Kosova nuk mund të përballojë e vetme pasojat e kësaj strategjie.
Në anën tjetër, institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë ekspozimin e çdo akti jo-demokratik të Serbisë dhe Listës Serbe. Heshtja do të ishte rrezik. Rikthimi i bandave të strukturuara, si ato të Radojiçiqit dhe Veselinoviçit, të cilët SHBA-ja i sanksionoi në vitin 2021, do ta kthente veriun në një realitet kriminal të kaluar. Ky është skenari që duhet të parandalohet me çdo kusht.