Nga Korab BLAKAJ
Një thirrje urgjente për gazetarinë hulumtuese
Arrestimi i Jelena Gjukaniviq, zyrtare e misionit të OSBE-së në Kosovë, nën dyshimin për veprën penale të spiunazhit, ka hapur një nga çështjet më serioze të sigurisë kombëtare dhe të besueshmërisë institucionale ndërkombëtare në vend.
Megjithatë, përkundër peshës së jashtëzakonshme të këtij rasti, OSBE deri më tani nuk ka ofruar transparencë të plotë publike lidhur me statusin administrativ dhe financiar të saj pas arrestimit.
Pyetja kyçe që kërkon përgjigje
A është e vërtetë se OSBE vazhdon ta paguajë Jelena Gjukaniviq edhe pas arrestimit të saj nga autoritetet e Kosovës?
Nëse po;mbi çfarë baze ligjore,në çfarë statusi administrativ (aktive, e pezulluar, në pushim të paguar), dhe për sa kohë do të vazhdojë kjo praktikë?
Nëse jo;pse OSBE nuk e ka mohuar qartë dhe publikisht këtë informacion?
Organizatat ndërkombëtare, përfshirë OSBE-në, shpesh thirren në parimin e prezumimit të pafajësisë. Kjo është e kuptueshme.Por prezumimi i pafajësisë nuk e justifikon mungesën e transparencës, sidomos kur bëhet fjalë për dyshime për spiunazh, për përfshirje të mundshme të shërbimeve inteligjente të një shteti armiqësor ndaj sigurisë së Kosovës dhe për ndikim të mundshëm në raportet dhe vlerësimet zyrtare të OSBE-së për situatën e sigurisë.
Heshtja institucionale në një rast të tillë dëmton rëndë besimin publik dhe ushqen dyshime legjitime.
Pse kjo çështje është e rrezikshme për Kosovën
Nëse një zyrtare e një misioni ndërkombëtar rezulton të ketë bashkëpunuar me shërbime inteligjente të huaja atëherë cenohet integriteti i raporteve ndërkombëtare për Kosovën, komprometohet siguria institucionale dhe dëmtohet seriozisht sovraniteti informativ i shtetit
Nëse, për më tepër, ekziston mundësia që pagesat të kenë vazhduar edhe pas arrestimit, atëherë kemi të bëjmë me një problem etik, problem politik dhe një problem serioz të përgjegjësisë ndërkombëtare
Thirrje e drejtpërdrejtë për gazetarinë hulumtuese
Ky nuk është rast për tituj të shpejtë, bombastikë apo për klikime por për investigim të thellë. Media profesionale duhet të kërkojë statusin zyrtar të Jelena Gjukaniviq në OSBE pas datës së arrestimit, dokumentim bi pagesat eventuale pas kësaj date.
Gjithashtu duhen kërkuar procedurat e brendshme të OSBE-së për raste që lidhen me sigurinë dhe spiunazhin, komunikimin zyrtar mes OSBE-së dhe institucioneve të Kosovës, përgjegjësinë politike dhe institucionale brenda misionit të OSBE-së në Kosovë.
Këto janë pyetje legjitime publike.Të mos kuptohen si sulme politike.
Transparenca është minimumi
OSBE ka mision të promovojë sundimin e ligjit,sigurinë,besimin ndërinstitucional etj.
Prandaj, është obligim moral dhe institucional i saj që të sqarojë publikisht këtë rast, pa ekuivoke dhe pa vonesa.Heshtja nuk e mbron OSBE-në.Heshtja vetëm e thellon dyshimin.

