Autor : Lirim Gashi
Ka plagë që nuk shërohen kurrë.
Ka dhimbje që asnjë gjuhë nuk i përshkruan, sepse asnjë fjalë nuk mban peshën e një fëmije të hedhur në lumë bashkë me kamionin frigoriferik të kasapit shtetëror serb në uniformë.
Ka varre që mungojnë – jo pse s’i hapëm ne, por pse krimineli na i mori edhe kockat dhe i shndërroi në ujë, në heshtje, në pluhur.
Unë mbaj 22 plagë të hapura – 22 njerëzit e mi të therur, prej foshnjash e deri te pleqtë. Dhe prej tyre, 13 nuk kanë varr. Ata nuk prehen nën gur, nuk prehen nën dhe.
Ata prehen në kujtesën tonë të gjakosur, në ujërat e huaja ku kriminelët serbë i hodhen si mbeturina, jo si njerëz.
Dhe ju, shqiptarë që harroni, që falni, që bëheni shokë me bijtë e krimit – ju jeni dëshmia e gjallë se genocidi i fundit nuk përfundoi në vitin 1999.
Ai vazhdon brenda jush, në shpirtin tuaj të prishur, në Sindromën tuaj të Stokholmit.
Pyesni veten:
Çfarë do të bënit ju sikur të ishit ai babai që kërkon trupin e fëmijës së vet nëpër ujërat e Danubit?Çfarë do të bënit ju, sikur të ishit ajo nënë që pret një copë kocke vetëm për ta përqafuar fëmijën e saj në varr?A do të uleshit me Radojçiqin, me Vuçiqin, me Listën Serbe që ende mban gjallë frymën e Millosheviqit?A do të guxonit ta trajtonit atë më mirë se Albin Kurtin, Donikën, Albulenën – bijtë dhe bijat e këtij populli që të paktën nuk e tradhtuan kurrë gjakun e viktimave të gjenocidit serb ?
E dini çfarë mungoi?
Një Willy Brandt serb.
Një burrë që do të gjunjëzohej në Prekaz dhe do të kërkonte falje në emër të shtetit të tij.
Një shtet që do të pranonte krimin, do të paguante dëmshpërblim, do të pastronte politikën nga kanceri i Millosheviqit.
Por kjo nuk ndodhi.
Në vend të kësaj, u ngrit një Gjykatë Speciale – që akuzon viktimat, jo kriminelët.
Në vend të kësaj, u ngritën kolltukë pushteti mbi varret tona, dhe gjaku i fëmijëve tanë u shit për një karrige në pushtet.
Ju që harroni, ju që ia keni kthyer shpinën dhimbjes – mos e quani më vetën shqiptarë.
Sepse shqiptari nuk është ai që flet shqip, por ai që ndien plagën e kombit si plagën e vet.
Ju jeni vetëm hijet tona, shërbëtorët e një armiku që nuk ka nevojë të na vrasë më me plumba, sepse ju ia kryeni punën me harresën tuaj.
Ju jeni turpi ynë.
Ju jeni prova se genocidi fiton vetëm atëherë kur viktima bëhet avokati i xhelatit të vet.
Nuk kërkoj nga ju mëshirë.
As lot.
As duartrokitje.
Unë kërkoj ta gjeni në shpirtin tuaj të prishur, turpin tuaj.
Unë kërkoj të ndieni sado një grimcë nga dhimbja që ne mbajmë – që nuk na lë të flemë, që na ndjek në ëndrra, që na zgjon natën me britmat e atyre që nuk patën kohë të bërtasin kur u pushkatuan.
Kërkoj të ndieni barrën morale të fëmijëve pa varr.
Kërkoj të ndieni djegien e shpirtit të nënave që kërkojnë në çdo grusht dheu një kockë.
Kërkoj të kuptoni se pa drejtësi nuk ka politikë, nuk ka diplomaci, nuk ka Evropë, nuk ka jetë normale.
Nëse nuk e ndieni këtë – mos e quani veten shqiptarë.
Sepse shqiptari pa kujtesë është vetëm një kufomë që ecën mbi dheun e atyre që dhanë jetën për të.
Dhe mbi kufoma nuk ndërtohet as shtet, as dinjitet, as e ardhme.
Ky është amaneti i gjakut të derdhur.
Dhe kushdo që e shpërfill, tradhton jo vetëm kombin e vet – por gjithë njerëzimin.