Nga Nicholas Kristof [Kolumnist]
The New York Times [7 mars 2026]
Pasi shkrova një artikull ku kritikoja “marrëzinë e sulmit ndaj Iranit”, hasa reagime nga disa iranianë, të cilët e kuptojnë rajonin shumë më mirë sesa unë.
“Ne, iranianët, e donim këtë”, u përgjigj njëri në rrjetet sociale. “Nuk e dini si është të jetosh nën sundimin e një prej regjimeve më brutale”.
Ata ngrenë një pyetje të drejtë: Nëse disa iranianë po festojnë në rrugë — aq të dëshpëruar për ndryshim sa mirëpresin bombardimin e qyteteve të tyre — a duhet të kundërshtojmë?
Unë i simpatizoj ata iranianë, sepse e kam parë shtypjen nga afër gjatë raportimeve të mia në Iran ndër vite: oficerë policie që ndërhyjnë me shpejtësi në intervistat e mia; banditë të sigurisë që u bërtasin grave të mbulohen; dhe agjentë të inteligjencës që dikur më arrestuan në Teheran, më akuzuan se isha spiun dhe më thanë se mund të burgosesha pafundësisht derisa të rrëfehesha. Është tmerruese të ndjesh frymën e diktaturës së Iranit në qafë.
Në Iran, pashë pakënaqësi ndaj regjimit kudo. Njëherë e hasa atë edhe në zyrën e një ajatollahu të madh në qytetin e shenjtë të Komit: Përkthyesi im më prezantoi me shaka si të vija nga “Satani i Madh”, dhe një ndihmës i ajatollahut u përgjigj me të qeshur: “Amerika është vetëm Satani i Vogël. Ne e kemi Satanin e Madh këtu në shtëpi.”
Sigurisht, Irani ka shumë mbështetës dhe regjimi ka bazën e tij, veçanërisht në zonat rurale. Edhe midis reformatorëve ekziston njëfarë frike se kjo luftë do t’i përkeqësojë gjërat dhe ndoshta do të kërcënojë mbijetesën e kombit. Kur e pyeta një disident iranian se çfarë priste nga lufta, ai ishte i prerë: “Asgjë të mirë”.
Ndërsa është e natyrshme që disa iranianë të shpresojnë se kjo luftë mund ta çlirojë vendin e tyre, më kujtohet gjithashtu kur isha në Kabul në fillim të luftës në Afganistan dhe afganët më thoshin sa të emocionuar ishin që po shihnin fundin e talebanëve. Pashë turma në Basra të Irakut duke festuar përmbysjen e Sadam Huseinit. Në Tripoli të Libisë, pashë njerëz që brohorisnin ndërhyrjen amerikane. Shkurt, entuziazmi fillestar nuk është një parashikues i besueshëm i suksesit.
Për momentin, regjimi iranian nuk po shkatërrohet, por po e zgjeron luftën. Populli iranian nuk po e rrëzon qeverinë dhe lufta po përhapet në të gjithë rajonin. Përveç vdekjeve të iranianëve, amerikanëve dhe të tjerëve, çmimet e naftës dhe gazit po rriten dhe transporti detar përmes Ngushticës së Hormuzit po bllokohet. Vuajtjet ndihen edhe më larg: UNICEF raportoi se 18,000 fëmijë u zhvendosën në Liban pasi lufta arriti në atë vend. E gjithë kjo na kishte kushtuar, sipas një vlerësimi, 5 miliardë dollarë që në ditën e tretë të luftës.
Administrata Trump mund të jetë duke i shtuar kaos situatës duke mbështetur separatistët e armatosur kurdë, duke e shtyrë ndoshta Iranin drejt luftës civile. Lufta civile e Sirisë dërgoi miliona refugjatë nëpër botë, dhe një konflikt i ngjashëm brenda Iranit — me rreth katërfishin e popullsisë së Sirisë — mund të çonte në flukse edhe më të mëdha refugjatësh, veçanërisht nëse konfliktet etnike që përfshijnë kurdët ose balukët përhapen në vendet fqinje.
Por… por… por ne vramë udhëheqësin suprem të Iranit!
Po, kjo është e vërtetë. Por ndërsa amerikanët e panë vrasjen e Ajatollah Ali Khamenei-t si një mënyrë për të dobësuar regjimin e tij, ka arsye për të menduar se Khamenei e mirëpriti martirizimin e tij si një mënyrë për ta forcuar atë. Në fakt, djali i tij, Mojtaba Khamenei, tani thuhet se është kandidati kryesor për t’u bërë udhëheqësi i ri suprem — një mënyrë që linja e ashpër të përjetësojë brutalitetin e saj.
Aparati i sigurisë, veçanërisht Garda Revolucionare Islamike (me të cilën Khamenei i ri ka lidhje të ngushta), duket se do të luajë një rol edhe më të rëndësishëm në Iran. Kjo mund të nënkuptojë edhe më shumë entuziazëm për armët bërthamore dhe forcat proksi rajonale.
Na duhet pak modesti këtu. Sigurisht që është e mundur që regjimi të shembet dhe të shfaqet një Iran demokratik. Ndonjëherë optimistët kanë të drejtë, madje edhe në Lindjen e Mesme. Rezultati i kësaj lufte mund të varet pjesërisht nga faktit nëse Iranit do t’i mbarohen i pari raketat dhe dronët, apo nëse ne do të shterojmë furnizimin tonë me raketa interceptuese.
Shterimi i municioneve për këtë luftë të panevojshme është një problem real. Linda Bilmes, një eksperte e Harvardit për koston e luftërave, më tha se Shtetet e Bashkuara përdorën më shumë se 20 për qind të gjithë rezervës së tyre globale të interceptorëve THAAD vitin e kaluar duke mbrojtur Izraelin gjatë luftës 12-ditore me Iranin. Dhe edhe nëse furnizimet tona me THAAD, Patriot dhe Tomahawk janë të mjaftueshme, mund të duhen vite për të rikthyer nivelet e furnizimit për krizën e radhës.
Një nga senatorët e mëdhenj të Amerikës, J. William Fulbright, iu përgjigj Luftës së Vietnamit në vitin 1966 duke denoncuar atë që ai e quajti “arroganca e pushtetit”. Ai paralajmëroi: “Pushteti ngatërron veten me virtytin dhe tenton gjithashtu ta marrë veten për plotfuqishmëri.” Ai e formuloi kështu: “Ne po sillemi ende si ‘Boy Scouts’ që tërheqin zvarrë zonja të moshuara ngurruese nëpër rrugë që ato nuk duan t’i kalojnë.”
Në Irak, arroganca jonë e pushtetit na çoi në fillimin e një lufte që përfundoi duke kushtuar qindra mijëra jetë (kryesisht irakianë) dhe ndoshta 3 trilionë dollarë — dhe në fund përfitoi Irani. Në Afganistan, ne shpërdoruam jetë dhe rreth 3.4 trilionë dollarë gjatë dy dekadave për të zëvendësuar Talibanët me Talibanët.
Duke pasur parasysh se kam mbuluar të dyja luftërat dhe kam pasur miq të vrarë e të plagosur atje, kam frikë se lufta e re e Trump-it — në kombine e vendosur mes Irakut dhe Afganistanit — do të përfundojë në mënyrë të ngjashme me trupa të gjymtuar dhe shpresa të thyera.
Presidenti Trump dhe Kryeministri Benjamin Netanyahu i Izraelit, arkitektët e kësaj lufte, duken të dy të prekur nga arroganca e pushtetit. Ishte Netanyahu ai që në vitin 2002 i tha Kongresit të Shteteve të Bashkuara: “Nëse eliminoni Sadamin, regjimin e Sadamit, ju garantoj se kjo do të ketë jehonë të jashtëzakonshme pozitive në rajon. Dhe mendoj se njerëzit që jetojnë ngjitur në Iran, të rinjtë dhe shumë të tjerë, do të thonë se koha e regjimeve të tilla, e despotëve të tillë, ka mbaruar.”
Nuk kam asnjë provë që Trump e nisi këtë luftë për të na shpërqendruar nga dosjet Epstein ose probleme të tjera politike. Por në vitin 2012 Trump shkroi në Twitter: “Tani që numrat e sondazheve të Obamës janë në rënie — prisni që ai të nisë një sulm në Libi ose Iran.”
Gjithashtu nuk e di se deri në çfarë mase Netanyahu e shtyu Trump-in drejt kësaj lufte. Por ajo që besoj është se te Trump dhe Netanyahu po shohim një brilancë taktike të vënë në shërbim të një konfuzioni strategjik, pa gola të qartë apo rrugëdalje. Shqetësohem se nëse lufta ngec, Trump mund të dërgojë trupa tokësore në Ishullin Kharg, baza e naftës së Iranit, duke na futur edhe më thellë në një kënetë të mundshme.
Detyra e parë e një presidenti është të na bëjë më të sigurt. Në vend të kësaj, më duket se Trump na ka hedhur në një konflikt të panevojshëm, duke konsumuar jetë amerikanësh dhe iranianësh njëkohësisht, duke kushtuar miliarda dollarë dhe duke dëmtuar ekonominë — e gjitha kjo duke na shtyrë drejt rrezikut. [Përktheu: Dan GASHI]