Nga Lirim GASHI
Vendosmëria dhe këmbëngulja politike kanë kuptim vetëm atëherë kur rruga drejt suksesit bëhet e pavarur nga pengesat e armiqve të jashtëm dhe të brendshëm.
Pse?
Sepse në këto rrethana ata nuk shohin më asnjë arsye racionale për t’u përballur me ty, ngaqë që në fillim e dinë se në fund do të qajnë e vajtojnë përgjithmonë për humbjet shkatërruese dhe të pariparueshme që ua ke shkaktuar.
A e keni pyetur ndonjëherë veten pse Serbia nuk guxon më as ta shikojë Kroacinë shtrembër, e jo më ta sulmojë?
Sepse sa herë që e ka tentuar, ka përjetuar “Bljesak” dhe “Oluja”.
Kosova, për 25 vjet rresht, sillet si një profet i uritur që ka zbulesën më të pastër hyjnore, por nuk di çfarë të bëjë me të.
Kroacia sillet si një kasap i heshtur: nuk mban ligjërata morale, por di saktësisht ku dhe kur ta mprehë thikën.
Këtu fillon dallimi mes shtetit që ka të drejtë dhe shtetit që nuk di çfarë të bëjë me të drejtën.
Kosova vuajti për shekuj si martire, por u soll si një nxënës i pasigurt që vazhdimisht pret notën kaluese nga mësuesi ndërkombëtar.
Kroacia vuajti gjithashtu, por pas luftës e mbylli menjëherë librin e poezisë dhe e hapi manualin e shtetit.
Kosova vazhdoi t’i recitonte përmendësh plagët shekullore, ndërsa Kroacia i arkivoi, i noterizoi dhe i shndërroi në argument.
Kosova i foli gjatë gjithë kohës ndërgjegjes së botës, por problemi është se ndërgjegjja nuk voton në Këshillin e Sigurimit, nuk nënshkruan marrëveshje dhe nuk ka ushtri për ta mbrojtur veten. Ndërgjegjja është si poezia erotike në një bord bankar: e bukur, por jashtë rendit të ditës.
Kroacia e kuptoi herët se e vërteta pa forcë është thjesht autobiografia e viktimës. Prandaj e veshi të vërtetën me kostum juridik, e parfumosi me diplomaci dhe e futi në zyrat ku vendoset fati i shteteve. Kosova, përkundrazi, e la të vërtetën lakuriq në borë e shi dhe pastaj u habit pse vdiq nga të ftohtit.
Ne shqiptarët sillemi sikur shteti të ishte një qenie morale që duhet dashur. Gabim fatal. Shteti nuk është grua që joshet me bukuri dhe ndershmëri, por bishë që ushqehet me forcë dhe disiplinë.
Kroacia e ushqeu bishën. Kosova ende i reciton psalme.
Në planin filozofik, Kosova jeton ende në iluzionin platonik se ideja fiton vetvetiu. Kroacia zbriti te Aristoteli, i cili i tha:
“Forma pa materie nuk lëviz perpara asnjë milimetër.”
Ne shqiptarët kemi ide, por pa skelet.
Kroatët ndërtuan skeletin e shtetit me kocka çeliku dhe vetëm pastaj i varën idealet mbi të.
Në planin etik, Kosova kërkon pafajësi absolute – si një virgjëreshë politike në bordellon ndërkombëtare.
Kroacia pranoi fajin individual, pa u vetë-masakruar kolektivisht.
Etika e pjekur nuk është të thuash “s’kam bërë asgjë”, por “e di çfarë kam bërë dhe çfarë nuk kam bërë”. Sepse bota “e qytetëruar” respekton vetëm këtë gjuhë: të prerë, të qartë dhe të zëshme.
Ne, përkundrazi, ende flasim me psherëtima.
Në planin ushtarak, Kosova e deshi ushtrinë si simbol, si fotografi festive, ndërsa Kroacia e deshi ushtrinë si zanat.
Ne shqiptarët e mbajmë armën si relike muzeu, kroatët si instrument shteti.
Dhe po: NATO nuk është klub morali, por klub force – aty hyn me muskuj, jo me lot.
Kroacia e kuptoi këtë dhe hyri në NATO. Ne ende shkruajmë poezi pse e meritojmë.
Forca e Sigurisë së Kosovës, para ardhjes së Albin Kurtit në pushtet, dukej më shumë si premtim sesa si fakt. Premtimet e emocionojnë popullin, por vetëm faktet i qetësojnë armiqtë.
Kroacia i prodhoi menjëherë faktet. Pararendësit e Albin Kurtit prodhuan vetëm statuse të fryra, të mbytura nga vetëkrekosja e gjelave kokorezë.
Dhe ja ironia finale: Kosova ka më shumë drejtësi historike.
Kroacia ka më shumë inteligjencë shtetërore.
Por drejtësia pa zgjuarsi është vetëvrasje morale, ndërsa zgjuarsia pa drejtësi është cinizëm.
Kroacia zgjodhi cinizmin për të mbijetuar. Kosova zgjodhi drejtësinë dhe mbeti vetëm.
Pyetja nuk është çfarë është më e bukur.
Pyetja është: a do të mbijetosh?
Sepse në fund të ditës, historia nuk i do engjujt pa krahë. Historia i do shtetet që dinë të ecin mbi tokë, edhe kur toka është e përgjakur.
