Nga: Dr. Agim A. Krasniqi
Më 18 gusht 2025, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dha vendim i cili shënon kthesë të rëndësishme në përballjen me krizën institucionale që kishte përfshirë Kuvendin pas zgjedhjeve parlamentare. Në qendër të çështjes ishte vendimi i diskutueshëm i Kuvendit, për të votuar formimin e një Komisioni për Votim të Fshehtë, që sipas pretendimeve të dy grupeve parlamentare – PDK dhe LDK – përbënte shkelje të Kushtetutës dhe të aktgjykimit të mëparshëm të vetë Gjykatës. Gjykata, duke vepruar mbi bazën e kërkesave KO193/25 dhe KO196/25, nuk e anashkaloi këtë krizë me vështrim të ftohtë institucional, por ndërhyri me vendosmëri. Përmes aktgjykimit gjithëpërfshirës, ajo jo vetëm që shpalli të pavlefshme të gjitha seancat e Kuvendit nga data 27 qershor deri më 26 korrik, por edhe urdhëroi që seanca konstituive të vazhdojë nga pika ku ishte ndalur, me procedurë të qartë dhe të rregullt. Në thelb, Gjykata dha mesazhin se rregullat kushtetuese nuk janë ornament formal që lëvizen sipas humorit të shumicës politike. Kushtetuta nuk është e diskutueshme – është detyruese. Dhe kur Kuvendi, ose më saktësisht Kryesuesi i Seancës Konstituive, ndërhyn në mënyrë arbitrare duke futur procedura që nuk parashihen në Kushtetutë apo në Rregulloren e punës, atëherë jemi përballë shkeljes që duhet frenuar. Ky ishte rasti. Vendimi për të krijuar një Komision për Votim të Fshehtë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit u konsiderua si devijim nga rendi i ditës dhe si përpjekje për ta instrumentalizuar procesin me qëllime politike. Gjykata rikujtoi se zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit duhet të bëhet me votim të hapur dhe në përputhje me Kushtetutën dhe praktikat e mëparshme, jo në bazë të improvizimeve procedurale që çojnë në bllokim. Për të garantuar që kjo krizë të mos përshkallëzohet, Gjykata mori tjetër hap të guximshëm: urdhëroi që të gjithë deputetët e zgjedhur të jenë të pranishëm dhe të votojnë në seancën ku do të zgjidhet Kryetari. Më tej, vendimi e shoqëron këtë urdhër me një masë të përkohshme që ndalon çdo veprim tjetër të Kuvendit deri në zbatimin e plotë të këtij aktgjykimi. Këto ndërhyrje, që në një demokraci të qëndrueshme mund të dukeshin drastike, në realitetin tonë janë të domosdoshme. Sepse aty ku aktet kushtetuese nuk respektohen, aty ku vendimet e Gjykatës interpretohen sipas dëshirës, dhe aty ku shumicat politike tentojnë të manipulojnë procedurat për të mbrojtur interesin momental, atëherë kërkohet një autoritet që të thotë: ndal! Gjykata Kushtetuese është pikërisht ai autoritet. Jo për të vendosur për nevojat politike të ditës, por për të ruajtur themelin mbi të cilin ndërtohen të gjitha institucionet. Në këtë vendim, ajo përmbushi misionin e saj. Dhe më shumë se kaq, na dha një leksion të qartë: që demokracia të funksionojë, ligji nuk mund të jetë një opsion – ai është domosdoshmëri.