Nga Lirim Gashi
Gjykata Kushtetuese është shndërruar në një arenë të kontrollit partiak, jo për të mbrojtur Kushtetutën, por për ta përdredhur atë. Emërimet e gjykatësve nuk janë bërë mbi bazën e dijes dhe integritetit, por mbi bazën e servilizmit politik. Në vend të rojtarëve të shtetit, aty janë emëruar kukulla të partive banda. Kjo e ka zhveshur Gjykatën nga roli i saj i shenjtë dhe e ka kthyer në një zgjatim të pazareve ditore të elitave të mykura.
Për fat të keq Gjykatës sonë Kushtetuese ia kanë diktuar paraprakisht kahjen anti shtetërore të veprimit politikanët e papërgjegjshëm, pandërgjegjshëm, hajdutë, servilë, lakmitarë dhe tradhtarë të partive tona banda.
Shembulli më flagrant ishte ligji i rajonalizimit i Lutfi Hazirit i cili pakicen serbe, që përbën vetëm 3% të popullsisë e ka shpërblyer me 25% të territorit.
Ky ishte themeli i dhunimit të barazisë qytetare.
Pas tij, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, me nënshkrimin e marrëveshjes për Asociacionin njëetnik të Komunave Serbe, e forcuan këtë tradhti. Sot, Gjykata Kushtetuese është vetëm hallka e fundit e një zinxhiri antishtetëror.
Një shtet ligjor funksionon vetëm nëse Kushtetuta është garant i themeleve të shtetit duke venë në peshoren e arsyeshme juridike çdo vendim të rëndësishëm për popullin dhe shtetin.
Mirëpo, tek ne, Kushtetuta është trajtuar si një fletë letre që mund të shtrembërohet sipas tekave të pushtetarëve. Vendimet e Gjykatës shpesh janë vonuar, janë interpretuar në mënyrë të njëanshme ose kanë qenë thjesht konfirmim i marrëveshjeve të ndyra politike.
Ky është dhunim i rendit juridik. Sepse aty ku Kushtetuta bie, aty bie edhe shteti. Një gjykatë kushtetuese e kapur nga politika nuk është institucion i ligjit, por mekanizëm i shkatërrimit të tij.
Filozofikisht, shteti është një kontratë morale mes qytetarëve, një pakt besimi për barazi dhe drejtësi. Kur ky pakt shkelet nga ata që duhej ta ruanin, ndodh kriza më e thellë: qytetari ndjehet i tradhtuar nga vetë shteti i tij.
Gjykata Kushtetuese nuk është vetëm një institucion ligjor; ajo është simbol i drejtësisë kolektive. Por kur ky simbol shndërrohet në vegël politike, atëherë populli e humbë besimin tek shteti, dhe pa këtë besim shteti nuk ka më shpirt.
Nga pikëpamja etike, ky është turpi më i madh i elitave politike dhe gjyqësore. Ata që duhej të mbronin shtetin e shitën për poste e privilegje. Një gjyqtar kushtetues që nuk ka kurajë morale për t’i shërbyer vetëm ligjit është një tradhtar, jo rojtar.
Kjo shkel jo vetëm etikën e profesionit, por edhe etikën njerëzore: sepse ai që tradhton shtetin tradhton qytetarin, dhe ai që tradhton qytetarin shkatërron themelin e shoqërisë.
Moralisht, kjo është plagë e hapur në kujtesën e një populli që ka derdhur gjak për liri. Çdo vendim i padrejtë i Gjykatës është një shuplakë mbi varret e atyre që ranë për shtetin. Dhe çdo tradhti institucionale është një rrëmbim i lirisë që ata na e lanë trashëgim.
Nëse Gjykata Kushtetuese mbetet peng i marrëveshjeve të turpshme dhe i vendimeve të gjyqtarëve kukulla, ajo nuk do të jetë tempulli i drejtësisë, por varreza e saj. Dhe një shtet që ia varros drejtësinë popullit të vet, nuk ka të ardhme.
Indinjata e qytetarëve ndaj Gjykatës Kushtetuese është pasqyrë e zhgënjimit kolektiv ndaj një institucioni që duhej të ishte bastion i ligjit dhe barazisë, por që është shndërruar në zgjatim të servilizmit politik. Qytetarët nuk e shohin më këtë gjykatë si mbrojtëse të të drejtave të tyre, por si pengesë për të ardhmen e tyre.
Kadri Kryeziu ka plotësisht të drejtë kur thotë:
“Ky mllef nuk është i verbër. Ai ushqehet nga kujtesa e gjallë për padrejtësitë dhe shërbimet e turpshme që gjykatësit ua kanë bërë politikës, jo drejtësisë. Prandaj nuk duhet të habitemi nëse populli e kërkon jo vetëm largimin e atyre që sot, me oportunizëm të hapur, ulen në kolltukun e Gjykatës Kushtetuese.
Përkundrazi, populli mund t’i godet edhe pararendësit e tyre, të cilët me vendime të diktuara e të padrejta ia kanë shitur shpirtin institucionit dhe ia kanë prerë krahët e shpresës qytetare”.
Kështu, Gjykata Kushtetuese, në vend që të ishte shtyllë e drejtësisë, është shndërruar në simbol të hipokrizisë. Dhe qytetarët, të lodhur nga mashtrimi e tradhtia, nuk e shohin më atë si tempull të ligjit, por si objekt të urrejtjes së tyre të drejtë. Sepse aty ku nuk ka drejtësi, lind revolta, dhe aty ku sundon servilizmi, populli do të kërkojë përgjegjësi.
Dhe, për ta bërë edhe më tragjike këtë tablo, Gjykata jonë Kushtetuese është shndërruar në një armë të Listës Serbe – kësaj strukture kriminale, terroriste dhe hajdute – kundër vetë rendit juridik të Kosovës. Ajo nuk është më vetëm një vegël e partive banda vendore, por edhe lodër e hegjemonizmit serbomadh, i cili përmes gjyqtarëve kukulla arrin ta paralizojë funksionimin e shtetit. Ky nuk është vetëm skandal juridik, por akt i pastër sabotimi shtetëror.
Kur Gjykata Kushtetuese lejon që Lista Serbe, kjo dorë e zgjatur e Beogradit, të ketë të drejtë bllokimi mbi institucionet e Kosovës, atëherë ajo nuk është më gjykatë, por bunker i shantazhit politik. Ky është kulmi i poshtërimit institucional: sepse tempullin e ligjit e kthenë në kalë troje për armiqtë e shtetit.
E vërteta është e thjeshtë: një gjykatë që u jep fuqi strukturave kriminale për ta penguar Kosovën, nuk është më gardiane e Kushtetutës, por varrmihëse e saj. Një gjykatë që shërben si lodër e Listës Serbe nuk mbron të drejtat e qytetarëve, por privilegjet e armiqve të tyre. Ky nuk është thjesht turp, kjo është tradhti e kulluar ndaj gjakut që u derdh për këtë shtet”.