Nga Dan GASHI
Religjioni, në thelb është një forcë shpirtërore që orienton njeriun drejt së mirës, paqes dhe harmonisë ndërnjerëzore. Për shekuj me radhë, feja ka shërbyer si busull morale dhe si themel i identitetit kulturor të kombeve. Por historia na ka treguar se kur perdoret në sherbim te politikës dhe ideologjisë, ajo mund të humbasë misionin e saj fillestare dhe të shndërrohet në mjet përçarjeje e manipulimi.
Instrumentalizimi i fesë, përdorimi i saj për qëllime politike, propagandistike apo për ndarje sociale, është ndër format më të rrezikshme të subversionit ndaj stabilitetit kombëtar. Në rastin shqiptar, harmonia ndërfetare ka qenë një ndër vlerat më të vyera që ka habitur studiues e udhëheqës të huaj. Ajo ka qenë garancia e kohezionit kombëtar dhe themeli mbi të cilin rilindasit tanë ndërtuan idealin e pavarësisë përtej dallimeve fetare.
Historia europiane dhe ajo rajonale janë dëshmi të qarta se feja, kur instrumentalizohet, mund të kthehet nga burim paqeje në armë përçarjeje. Luftërat fetare në Evropën e shekujve XVI–XVII, ndarja tragjike e Indisë Britanike më 1947 apo konfliktet në ish-Jugosllavi tregojnë se retorika fetare, kur përdoret për pushtet, mund të prodhojë tragjedi kolektive.
Në traditën shqiptare, feja ka pasur më shumë karakter shpirtëror sesa politik. Shqiptarët, pavarësisht përkatësive fetare, kanë ndarë ndjenjën e përbashkët kombëtare. Pashko Vasa, Sami Frashëri dhe Fan Noli e kanë theksuar me mençuri se përkatësia ndaj kombit duhet të qëndrojë mbi çdo dallim fetar. Kjo filozofi ka qenë mburoja jonë morale përballë përpjekjeve të huaja për të shfrytëzuar besimin si armë përçarjeje.
Sot, në epokën e mediave digjitale dhe të rrjeteve sociale, instrumentalizimi fetar merr forma më të sofistikuara. Ekstremistë, grupe radikale dhe aktorë politikë përdorin gjuhën fetare për të ndërtuar narrativat e tyre ndarëse, për të përçarë opinionin dhe për të dobësuar institucionet. Në këto rrethana, heshtja ose pasiviteti i udhëheqësve shpirtërorë nuk është mencuri, është rrezik.
Kur feja shfrytëzohet për interesa të ngushta politike apo për qëllime armiqësore nga jashtë, dëmtohet vetë struktura morale e shoqërisë. Humbet besimi qytetar, dobësohet kohezioni shoqëror dhe minohet stabiliteti i shtetit. Historia ka provuar se asnjë komb nuk mund të mbijetojë gjatë nëse lejon që feja të shndërrohet nga burim frymëzimi në mjet konflikti.
Për ne shqiptarët, ruajtja e harmonisë ndërfetare nuk është vetëm një vlerë shpirtërore, por një strategji mbijetese. Kjo trashëgimi duhet mbrojtur dhe kultivuar, sepse në një botë të trazuar nga përplasjet gjeopolitike, bashkëjetesa jonë fetare është dëshmi se forca e kombit qëndron mbi çdo ndarje.
