Nga Lirim GASHI
Ka një lloj trishtimi metafizik në mënyrën se si shoqëritë pas luftërave e harrojnë kuptimin e sakrificës. Trishtimi më i thellë është ai i një populli që, pas çlirimit, fillon të ushqehet me gënjeshtrat e atyre që nuk luftuan kurrë me zemër por vetem me kalkulime të ftohta karrieriste e pronësore.
Kjo është drama e Kosovës së pasluftës, një dramë që nuk ndodh në front, por në ndërgjegje.
Sot, në emër të patriotizmit, flasin pikërisht ata që më së paku kanë ndjenja për atdheun. Flasin ata që e kanë kthyer lirinë në monedhë, flamurin në marketing dhe gjakun e dëshmorëve në dekor për interesa të pista e fjalime boshe.
Ata që dje i shërbyen Serbisë përmes heshtjes e konformizmit, sot shtiren si rojtarë të sovranitetit. Janë të njëjtit që kërkuan dje dorëheqjen e Gjeneral Lejtnant Bashkim Jasharit, pasardhësit të denjë të Adem Jasharit, vetëm pse FSK-ja — ushtria që përfaqëson vazhdimësinë morale të UÇK-së — kishte ngatërruar emrin e një rruge të atdheut me një tjetër.
Një pakujdesi topografike që mund t’i ndodh çdokujt në jetën e përditshme u keqpërdor si pretekst për një histeri kolektive, sepse në të vërtetë nuk u pengon rruga, por rrezatimi moral i emrit Jashari, që ua verbon sytë e shëmtuar.
Kjo nuk është një përplasje për një emërtim, por për simbolin e trashëgimisë: kush e përfaqëson Kosovën e pasluftës? Ata që e mbrojtën me armë, apo ata që e shitën në pazare?
Tradhtari nuk lind si tradhtar; ai formohet në momentin kur ndërgjegjja hesht përballë interesit. Ai nuk është domosdoshmërisht armik, por njeri i zbrazët, i cili e zëvendëson idealin me karrierën.
Kështu lindi brezi i politikanëve që e “hashimizuan” UÇK-në, duke e shndërruar nga simbol i lirisë në pronë të një individi, që Kosovën e pa si pasuri personale dhe që e nxori pjesën veriore të atdheut në tregun e Mamushës, për ta shitur tek krimineli i parë serb që ka më shumë para të përgjakura.
Ky nuk është më vetëm korrupsion politik – është blasfemi morale, sepse përpiqet të përdhosë sakrificën e një populli që e fitoi lirinë me gjak.
Tradhtari është i paaftë ta kuptojë vlerën e gjakut, sepse vetë është bosh nga atdhedashuria, si humnera.
Ai flet për kombin, por nuk e ndien atë, prandaj përmend emra të shenjtë për të mbuluar boshllëkun e vet të përjetshëm.
Në thelb, kjo nuk është një përplasje politike, por një dramë shpirtërore. Është përballja mes njeriut me ndërgjegje dhe njeriut pa shpirt.
Në Kosovën e sotme, lufta nuk zhvillohet më me armë, por me kujtesë. Disa përpiqen ta zhdukin kujtesën që i dënon, të tjerët e mbrojnë kujtesën që i nderon.
Në këtë kuptim, Adem Jashari nuk është thjesht një figurë historike; ai është kriter moral. Ai ndan njerëzit në dy kampe: ata që kanë dinjitet dhe ata që kanë çmim.
Kjo është ajo ndarje e përjetshme mes atyre që e duan të vërtetën edhe kur ajo i djeg, dhe atyre që adhurojnë gënjeshtrën sepse ajo u jep pushtet.
Si tek “Vëllezërit Karamazov”, ku Zosima dhe Ivan përfaqësojnë dy pole të shpirtit njerëzor — këtu Adem Jashari dhe Hashim Thaçi janë dy pole të kundërta të shpirtit të kombit. Njëri është flijim, tjetri është shitje. Njëri është dashuri për tokën, tjetri është dashuri për vetveten.
Shoqëria kosovare është e ndarë midis kujtesës dhe harresës.
Në njërën anë qëndron populli që ende ndien dhimbjen e luftës, që ende mban fotografitë e të rënëve në mure dhe që e kupton lirinë si barrë dhe nder.
Në anën tjetër qëndrojnë elitat e pasluftës, që flasin për “integrime” ndërsa shesin sovranitetin, që flasin për “paqë” ndërsa pranojnë padrejtësinë si çmim të rehatisë së tyre personale.
Ky kontrast është zemra e krizës sonë sociale: një popull idealist i drejtuar për dy dekada nga një kastë materialiste.
Në një shoqëri të tillë, çdo gjest i ndershëm përqeshet, çdo fjalë e drejtë përbuzet, dhe çdo njeri që mban moralin si busull shpallet ekstremist. Kjo është gjendja e një kombi që ka fituar lirinë fizike, por që e ka humbur lirinë shpirtërore.
Në qendër të gjithçkaje qëndron pyetja më e vjetër e njerëzimit:
Çfarë është nderi dhe kush e mban atë sot?
Nderi nuk është medalje, por përgjegjësi. Ai nuk matet me fjalë, por me heshtjen e atij që nuk gënjen. Në këtë kuptim, Bashkim Jashari nuk përfaqëson vetëm një emër, por ndërgjegjen që refuzon të dorëzohet.
Ata që e sulmojnë, në fakt, nuk luftojnë kundër tij – por kundër kujtesës që i turpëron çdo ditë.
Sepse kujtesa nuk mund të shlyhet me komunikata politike, dhe e vërteta nuk mund të mbytet me deklarata zyrtare. E vërteta ka një zakon të çuditshëm – ajo pret, por nuk harron.
Hija e shenjtë e Adem Jasharit nuk bie mbi tokë, sepse toka është shumë e vogël për ta mbajtur.
Ajo qëndron në qiell – jo si mit, por si pasqyrë morale. Dhe kushdo që e shikon atë pa u dridhur nga malli dhe dashuria , e di se nuk është më pjesë e këtij populli.
Kushdo që përpiqet ta nënçmojë familjen e shenjtë Jashari, vetëm e ndot veten.
Kushdo që përpiqet ta shesë trashëgiminë e saj të shenjtë, vetëm e humb shpirtin.
Sepse historia mund të heshtë për një kohë, por në fund ajo flet — dhe kur flet ajo flet në gjuhën e nderit dhe flijimit.
