Nga Labinot BISLIMI
Organizimi i Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ndodhën brenda një konteksti të gatshëm historik e juridik; përkundrazi, ato ishin akti politik që e krijoi vetë kontekstin e ri. Pa këtë organizim dhe pa këtë luftë, nuk do të ekzistonte as realiteti politik, as juridik, mbi të cilin sot flasim për Kosovën.
LPK-ja dhe UÇK-ja nuk u organizuan për mbrojtjen e “pragut të shtëpisë”, as për një rezistencë spontane mbijetese. Qëllimi i tyre ishte qartësisht politik dhe kombëtar: vendosja e kufirit kombëtar shqiptar aty ku ishte përcaktuar nga akti politiko-juridik i 28 Nëntorit 1912. Kjo e bën luftën e UÇK-së, në esencë, një luftë politike për realizimin e interesit kombëtar.
Në atë kohë, e drejta pozitive – ligji jugosllav dhe serb – ishte pa dyshim në anën e pushtetit pushtues. Ndërkaq, drejtësia historike, demografike dhe reale, në një territor me rreth 96% popullsi shqiptare, ishte në anën e popullit të Kosovës. Ky konflikt thelbësor midis ligjshmërisë formale dhe drejtësisë materiale e përjashtonte çdo mundësi që lufta çlirimtare të zhvillohej brenda kornizës juridike të Jugosllavisë.
Për këtë arsye, lufta jonë nuk mund të gjykohet mbi bazën e së drejtës së një rendi pushtues, por vetëm mbi parime dhe objektiva politike të mbështetura në drejtësinë universale dhe në të drejtën e popujve për vetëvendosje. Në këtë kuptim, Gjykata e Hagës duhet ta njohë luftën çlirimtare së pari në nivelin politik, ashtu siç Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, më 22 korrik 2010, e njohu karakterin politik dhe juridik të aktit të Pavarësisë së Kosovës. Në momentin kur karakteri politik i luftës pranohet, e drejta jugosllave bie si referencë normative; mbetet vetëm drejtësia universale, njerëzore dhe kombëtare.
Sot, pikërisht ky karakter politik dhe kombëtar i luftës së UÇK-së po mohohet. Ai mohohet edhe pse është njohur në mënyrë të tërthortë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë përmes vlerësimit politik të Pavarësisë. Ai mohohet, fatkeqësisht, edhe nga vetë shqiptarët, të cilët për vite me radhë e kanë diskutuar luftën çlirimtare deri në banalizim, duke ia zhveshur çdo rrjedhë paraprake politike dhe çdo qëllim të qartë kombëtar. Lufta është futur në një narrativë partiake, të paqëndrueshme, që ndryshon sipas interesave ditore të individëve apo grupeve.
Edhe thirrja për protestën e 17 shkurtit e përsërit të njëjtin gabim themelor. Ajo e mohon drejtpërdrejt karakterin politik të luftës dhe, bashkë me të, vetë natyrën politike të procesit në Hagë. Në Hagë nuk po gjykohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi apo Rexhep Selimi si individë. Aty po gjykohet lufta. Lufta po reduktohet qëllimshëm në nivel individësh, për t’ia hequr karakterin politik e kombëtar.
Gjykata po e trajton luftën si shkelje të të drejtave individuale civile – pronës, lirisë së lëvizjes, lirisë së fjalës – në kontekst lufte, duke e njohur në mënyrë implicite rendin juridik të kohës dhe duke mos e pranuar si legjitime prishjen e këtij rendi nga UÇK-ja. Por çdo rend juridik është i ndërtuar mbi një rend politik. Dhe çdo rend juridik prishet nga një rend i ri politik. Pikërisht këtë rend të ri politik Gjykata e Hagës nuk po e njeh. Ajo nuk po e pranon luftën si akt të prishjes së rendit politiko-juridik të Jugosllavisë (Serbisë), por po e redukton atë në “krim” kundër një rendi shtetëror.
Kjo qasje nuk erdhi rastësisht. Ajo është pasojë direkte e një kundërshtie të organizuar brenda shoqërisë dhe politikës sonë. Ishim ne që e mohuam karakterin politik dhe kombëtar të luftës. Ishim ne që e cilësuam atë si kriminale. Ishim ne që e reduktuam luftën në prishje të rendit shtetëror jugosllav, sikur të ishte akt kriminal i zakonshëm. Ishim ne që dërguam sinjale të qarta në këtë drejtim – me vetëdije apo pa të.
Sot, vazhdojmë të kërkojmë vetëm “drejtësi”, por jo politikë. I reduktojmë udhëheqësit e luftës në individë të zakonshëm dhe hyjmë në debate faktike banale: kush i vodhi viçin në oborr kujt, kush vrau kë, kush përfitoi e kush humbi. Të gjitha këto duhet të gjykohen në nivel të raportëve civile dhe penale, por nuk mund të përdorën si pretekst për të gjykuar luftën në nivelin e saj politikë e kombëtar. Ata që po gjykohen sot në Hagë nuk mund të reduktohen në këto raporte dhe as nuk mund të gjykohën mbi bazën e këtyre raportëve. Dhe, pikërisht mbi këtë reduktim civil dhe juridik të luftës u ndërtua edhe Gjykata e Hagës dhe ajo po e mohon karakterin politikë të kësaj lufte dhe, në të njejtën kohë, po e mohon udhëheqjen politike të krerëve të kësaj lufte.
Në fakt, ajo erdhi për ta vulosur atë që ne vetë e kishim ndërtuar ndër vite pa e kuptuar qartësisht se cilit projekt po i shërbenim. Duke mbrojtur vetëm “pragun e derës” në aspektin juridiko-civil, ne dorëzuam aspektin politik të luftës sonë. Protesta e 17 shkurtit po e vazhdon këtë gabim: kërkon drejtësi individuale, por mohon politikën. Dhe në një luftë kombëtare, e drejta civile nuk është referenca themelore; ajo pezullohet nga domosdoshmëria politike e çlirimit.
Sot janë bërë të shumtë ata që e kanë kuptuar se kanë kontribuar në këtë drejtim dhe, diku, edhe po e shprehin edhe pendimin e tyre. Mirëpo, nga ana tjetër, gabim po vazhdon kur sërish po e mohojmë karakterin politikë të luftës tonë. Apo, të mos potencimit të drejtpërdrejt dhe të pa ekuivok të karakterit politik e kombëtar të saj duke e shpallur edhe ligjërisht Jugosllavinë (Serbinë) si pushtuese dhe LPK-UÇK-në si organizim politiko-ushtarak për çlirim kombëtar.
