Që kur Presidenti Trump mori detyrën më shumë se një vit më parë, Kremlini i ka ofruar investime të mundshme liderit të njohur për natyrën e tij transaksionale. Ky mesazh ka filluar të gjejë jehonë te investitorët.
Nga Anton Troianovski [The New York times, 19 shkurt 2026]
Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe pjesa dërrmuese e Perëndimit i ndërprenë pothuajse të gjitha lidhjet ekonomike me Moskën. Por, që kur Presidenti Trump mori detyrën më shumë se një vit më parë, ai ka përshkruar një “mundësi gjigante” për marrëveshje me Rusinë nëse lufta përfundon, dhe Kremlini i ka ofruar investime të mundshme liderit të njohur për natyrën e tij transaksionale.
Tani, një investitor nga Teksasi me lidhje me familjen Trump po teston mundësinë e bërjes së marrëveshjeve me kompanitë ruse, edhe pse luftimet në Ukrainë vazhdojnë. Investitori Gentry Beach tha se vjeshtën e kaluar nënshkroi në fshehtësi një marrëveshje me një nga kompanitë më të mëdha ruse të energjisë për të zhvilluar gazin natyror në Alaskë.
Marrëveshja e zotit Beach, për të cilën ai këmbënguli se ishte e motivuar nga interesat e biznesit dhe jo nga politika, tregon se si zoti Trump ka filluar ta rikthejë Rusinë në sferën ekonomike perëndimore, ndonëse ka pak shenja që tregojnë se Presidenti Vladimir V. Putin është gati të ndalojë sulmin e tij ndaj Ukrainës dhe sanksionet e SHBA-së kundër Rusisë mbeten në fuqi.
Mesazhi i Kremlinit dhe mundësitë prej 14 trilionë dollarësh
Kjo tregon gjithashtu se si mesazhet e Kremlinit për ato që i quan mundësi të mëdha biznesi në Rusi — një ndihmës i zotit Putin këtë javë e vlerësoi vlerën e tyre në një shifër të pamundur prej 14 trilionë dollarësh — kanë filluar të gjejnë jehonë në Shtetet e Bashkuara.
“Trump është një president transaksional,” tha zoti Beach në një intervistë. “Nuk mendoj se njerëzit do të ishin ndjerë aq komodë duke punuar me kompanitë ruse gjatë administratës Biden sa ndihen gjatë administratës Trump”.
Projekti është në fazat e tij të hershme dhe përballet me pengesa të larta; zoti Beach refuzoi të bënte të ditura detajet financiare. Kompania ruse, Novatek, tha se “me të vërtetë po zhvillon negociata për përdorimin e mundshëm” të teknologjisë së saj për të lëngëzuar gazin natyror në veriun e largët të Alaskës, por nuk konfirmoi se po punonte me zotin Beach.
Lidhjet dhe Sanksionet
Zoti Beach, një investitor i fondeve hedge dhe kapitalit privat, është mik i universitetit me Donald Trump Jr., djalin e madh të presidentit. Megjithatë, ai i tha The New York Times se marrëdhënia me Donald Trump Jr. nuk luajti asnjë rol në marrëveshjen me Novatek dhe se ai nuk bënte “asnjë lloj biznesi me Trump-ët në asnjë nivel”.
Ai tha se i negocioi marrëveshjet në takime në Dubai dhe Evropë vitin e kaluar me shefin ekzekutiv miliarder të Novatek, Leonid Mikhelson, i cili është nën sanksione në Britaninë e Madhe dhe Kanada, por jo në Shtetet e Bashkuara apo Bashkimin Evropian.
Një milionë dollarë në horizont
Ndërsa shumica e botës korporative amerikane mbetet skeptike për t’u rikthyer në Rusi për shkak të pasigurisë politike, zoti Beach tha se nuk po pret që bisedimet e paqes të përfundojnë për t’u hedhur në veprim. “Ai që është i pari në mundësi, zakonisht është ai që bën paratë,” u shpreh ai.
Projekti i zotit Beach do të përdorte një fabrikë të lëngëzimit të gazit natyror të parafabrikuar në Rusi dhe transportin me anije ththyese akulli të ndërtuara në Korenë e Jugut për të dërguar gazin nga Alaska në tregjet aziatike.
Ndonëse e prezanton këtë si një lëvizje të pastër biznesi, ekspertët thonë se në Rusinë e sotme, vetëm njerëzit me lidhje të forta politike kanë shanse të kenë sukses. [Përktheu: Dan GASHI]
Shënim: Anton Troianovski shkruan për politikën e jashtme amerikane dhe sigurinë kombëtare. Ai ka qenë më parë korrespondent nga Moska dhe Berlini
