Nga Xhafer SHATRI
Zgjedhjet e fundit ia hoqën petën laknorit, sepse shpërfaqën ndarjen mes « neve dhe atyre» dhe mes «atyre e neve». Këtë më së miri e shprehu njëri prej kanalistëve më të neveritshëm që i ka Kosova:
«Ata kanë ardhë përmes Serbisë me votu këtu, n’Kosovë!»
Ky horr me fletë, për turpin e Kosovës, na qenkesh edhe profesor në Universitet. Dhe çuditem shpeshherë se si studentët e një universiteti me tradita atdhetare e revolucionare, si ai i Prishtinës, lejojnë që ky soj horrash me kullotë e me ndotë shlirë nëpër të.
1.
Faktorizimi i Mërgatës
Pas Luftës së Dytë Botërore mërgata shqiptare u zu peng në ingranazhin e luftës së blloqeve të Fuqive të Mëdha.
Kështu që nuk mund të flitet as për vazhdimësi e as për një lëvizje të mirëfilltë politike me ndikim konkret në atdhe.
Sipas statistikave zyrtare, në vitin 1977 nga Kosova me vise në shtetet evroperëndimore punonin 38’000 shqiptarë.
Këtu, sigurisht, nuk llogaritet numri i atyre qër punonin në të zezë dhe si ‘sezonierë’…
Kjo ishte gjenerata e artë që ia hoqi, në një masë, Kosovës e shqiptarëve gjithandej në trojet e tyre të pushtuara, lakun e skamjes nga fyti. Sepse varfërimi përmes masave shtrënguese të shtetit ishte strategji antishqiptare dhe e kahershme e Jugosllavisë.
Të gjithë e dijnë se, deri në fund të viteve 1980, sharraxhinjtë dhe argatët e krejt Federatës ishin shqiptarë.
Prandaj, numri i atyre që ia mësyenin Përendimit ishte gjithnjë e më i madh.
Falë këtyre mërgimtarëve ekonomia familjare u ringjall dhe shumë djem e vajza shqiptare u regjistruan dhe mbaruan fakultetet.
Viti 1981 ishte viti i kthesës historike. Trazirat masive në Kosovë dhe shtypja e tyre e egër nga kjo gjeneratë mërgimtarësh krijoi vetëvetiu një korpus kundërshtarësh të vendosur me potencial financiar e organizativ afatgjatë.
Këtë moment e shfrytëzuan prijësit e arratisur politikë Jusuf Gërvalla e Kadri Zeka për ta strukturuar pakënaqësinë dhe për t’u përgatitur për vitet e vështira e të pashmangshme që po vinin.
Por ky rol që ua imponoi koha shkaktoi edhe rrezikimin e shumë mërgimtarëve dhe hakmarrjen e UDB-së që përmes marrjes së pasaportave dhe shantazhit që shkonte me këtë, ta ndëshkojnë çdonjërin që e kishte shkelur vijën e Lidhjes Komuniste dhe «vëllazërim-bashkimin e kombeve dhe kombësive…»
2.
Pamundësia me marrë frymë
Sistemi komunist po binte, elitat serbe u përcaktuan për shkatërrimin e Jugosllavisë dhe krijimin e Serbisë së Madhe. Kjo krijoi çarje të madhe në Federatë në të cilën shqiptarët trajtoheshin si fajtorë kujdestarë dhe objekt hakmarrjeje edhe gjatë përballjes së republikave mes tyre.
Për pasojë, intensiteti i dhunës dhe i shtypjes së shqiptarëve rritej për çdo ditë derisa mori dimensionet e apart’heidit etnik.
Ndërkaq, ndryshimet gjeopolitike dhe përmbysja e sistemit komunist e legalizoi opozitën dhe krijoi mundësi me e nxjerrë Lëvizjen Kombëtare të Kosovës nga ilegaliteti i gjatë e rraskapitës.
Kjo rrethanë historike e faktorizoi mërgatën në atë masë sa që të gjitha kursimet dhe çdo qindarkë të fituar me kokrra të mëdha djerse, ajo e orientoi drejt mbijetësës dhe qëndresës gjithandej dhe kudo ku jetonin shqiptarët në Federatën që po shkërmoqej duke e ngrënë vetëvetën si Mollosi.
Kontributi madhor në ndërtimin dhe funksionimin e organeve paralele, finansimin e arsimit që u bë unaza rreth së cilës u thur krejt sistemi i qëndresës, e bëri Mërgatën faktor ekzistencial për Kosovën…
3.
Mërgata dhe Lufta
Acarimi i gjendjes në Kosovë dhe fillimi i kryengritjes së armatosur me pasoja shpërnguljet masive brenda dhe jashtë Kosovës e mobilizuan maksimalisht Mërgatën tonë.
Por, në mungesë të institucioneve të qëndrueshme e gjithpërfshirëse, ky mobilizim la shumë për të dëshiruar. Sepse Kosova hyri dhe doli nga Lufta pa udhëheqje e pa organe unike. Dhe ky fakt tragjik pati pasoja katastrofike për vendin.
Sidoqoftë, Mërgata e financoi Luftën dhe i mbushi radhët e UÇK-së me ushtarë e me kuadro. Por në ato rrethana nuk mund të pritej një strategji afatgjatë e saj në mungesë tradite dhe elitash të qëndrueshme.
Sot, një çerek shekulli pas një Lufte shkatërruese, ku Serbia dogji e përvëloi çdo gjë që ishte shqiptare, u rindërtua vendi nga e para dhe sot kushdo që shkon në Kosovë, qoftë edhe një turist i rëndomtë, gjëja e parë që i bie në sy është pamja e vendit gjithandej. Pamja që ta krijon bindjen se aty nuk ka pasur luftë qe 200 vjet.
Në çdo pore të këtij realiteti është djersa dhe përkushtimi i Mërgatës tonë.
4.
Mërgatën e ushqen por edhe e vret shpirtërisht vetëm Atdheu
E ndodhur në udhëkryqin e madh, aktualisht, Mërgata shqiptare, më keq se Anës së Lumenjve, ndodhet në mes të lumit: në njerin breg, vendet ku e ka lënë rininë e ku i ka varrosë ëndërrat pa e gjetë vetën asnjëherë; ndërkaq në bregun tjetër Atdheu me kërkesat e dyshimet e shumta deri te mohimi i të drejtës me folë e me zgjedhë…
Pa përmendur këtu zhgënjimet kur cubat ia vodhën mundin, ia plaçkitën fondet dhe në vend të organeve të shtetit formuan shtrunga për mjelje.
Nga ky udhëkryq, mërgata, vetëvetiu e domosdo, do të dalë gradualisht përmes një projekti që do ta faktorizojë atë duke e bërë shtetin e tretë shqiptar. Shtetin e ëndërrave të saj.
Me ndikim të themelshëm në tokën e të parëve dhe me mundësi kolosale që mujsharëve, që shkelin pa asnjë pasojë mbi çdo ideal të ushqyer me shekuj nëpër burgje e nëpër beteja të përgjakshme me pushtuesit, me ua ndalë taxhinë e pushtetit dhe me i çu atje ku e kanë vendin: në bërllogun e historisë.
Ky projekt do të ndërtojë një raport krejt tjetër Mërgatë-Atdhe, kur ëndërrat e kahershme do të marrin formën e projekteve që realizohen nga pozitat e faktorit që i ndryshon realitetet.
Këtë do ta bëjnë pasardhësit e atyre që ndërtuan shtete te huaja, pa marrë kurrë pushim, pa i pa fëmijtë tuj u rritë, me mallin e shtëpisë e të prindërve që nuk patën mundësi as me ua qitë një grusht dhé mbi vorr.
Do ta bëjnë ata që falangat e shtetrrënuesve ua caktuan emrin dhe rolin: gërrnaça.
Do ta bëjnë pasardhësit e tyre që, një ditë, do të kthehen në entitet vendimarrës për ta faktorizuar dhe bashkuar, patjetër, kombin shqiptar.
