Publikuar: E martë, 10 mars 2026
Autor: Lee Ying Shan* [CNBC International]
Çmimet më të larta të naftës dhe lehtësimi i përkohshëm i sanksioneve rrisin vlerën dhe vëllimin e eksporteve të naftës bruto ruse, deklaruan analistët për CNBC.
Rusia po shfaqet si një përfituese e madhe e luftës midis SHBA-së, Izraelit dhe Iranit. Çmimet më të larta të naftës dhe lehtësimi i përkohshëm i sanksioneve po rrisin vlerën dhe vëllimin e eksporteve të saj të naftës bruto, bënë të ditur analistët për CNBC.
Konflikti në Lindjen e Mesme ka tronditur tregjet globale të energjisë, duke rritur ndjeshëm çmimet e naftës për shkak të frikës nga ndërprerja e furnizimit në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më kritike energjetike në botë.
“Rusia pritet të përfitojë të ardhura nga çmimet më të larta të naftës, veçanërisht pasi SHBA-ja ka lehtësuar kufizimet për shitjen e naftës bruto ruse në Indi”, tha Saul Kavonic, kreu i kërkimit energjetik në MST Marquee.
Çmimet e naftës u rritën mbi 100 dollarë për fuçi të hënën, ndërsa tregtarët vlerësuan rrezikun që konflikti në Gjirin Persik mund të pengojë transportin përmes Ngushticës e Hormuzit — një pikë kalimi ku qarkullon afërsisht një e pesta e furnizimit botëror me naftë.
Çmimet e naftës nga fillimi i vitit
Edhe pse çmimi i naftës ra me rreth 7% të martën, pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, sinjalizoi se konflikti me Iranin mund të përfundojë së shpejti, çmimet mbeten rreth 27% më të larta krahasuar me periudhën para fillimit të luftës.
Për Rusinë, e cila mbetet një nga eksportuesit më të mëdhenj të naftës në botë pavarësisht sanksioneve perëndimore pas pushtimit të Ukrainës, rritja e çmimeve përkthehet drejtpërdrejt në të ardhura më të larta shtetërore.
Henning Gloystein, drejtor menaxhues për energjinë dhe burimet në Eurasia Group, tha se Rusia “ka përfituar tashmë jashtëzakonisht” nga kriza, pasi Uashingtoni i dha Indisë një përjashtim të përkohshëm, duke i lejuar asaj të vazhdojë blerjen e naftës bruto ruse.
“Mallrat janë shitur me rreth 90 dollarë për fuçi, kështu që kjo përbën një rritje të madhe të çmimit dhe të vëllimit të shitjeve për Rusinë”, tha ai, duke e krahasuar me rreth 50 dollarë që ishte çmimi para luftës në Iran.
Lehtësimi i sanksioneve
Kombinimi i çmimeve më të larta me zbatimin më të lehtë të sanksioneve do të lejojë që më shumë fuçi ruse të mbeten në qarkullim, duke siguruar një nxitje afatshkurtër për financat e Moskës.
Muyu Xu, analiste e lartë në Kpler, tha se blerjet e reja nga India kanë ndihmuar në rritjen e çmimeve të naftës bruto ruse, duke pastruar njëkohësisht sasinë e prapambetur të mallrave që ishin grumbulluar në det. Sipas të dhënave të Kpler, nafta bruto ruse e mbajtur në cisterna ra në 118.3 milionë fuçi këtë javë, nga 132.9 milionë fuçi që ishte në fund të shkurtit, çka sugjeron se ngarkesat po lëviznin me shpejtësi drejt blerësve.
Nëse kriza vazhdon të kufizojë eksportet e Gjirit, efekti pozitiv mund të jetë i konsiderueshëm. Gloystein vlerëson se Moska mund të gjenerojë dhjetëra miliarda dollarë të ardhura shtesë shtetërore, për sa kohë çmimet e larta të naftës dhe gazit vazhdojnë. Përveç përjashtimit të përkohshëm të dhënë Indisë, raportohet se Trump po shqyrton gjithashtu lehtësimin e sanksioneve të naftës ndaj Rusisë.
Kufizimet mbeten
Avantazhi i Rusisë mund të shtrihet edhe përtej naftës bruto. Gloystein tha se Evropa mund të rrisë importet e gazit natyror të lëngshëm (LNG) rus, sepse aktualisht nuk ka sanksione evropiane mbi këto dërgesat, të paktën derisa të hyjë në fuqi heqja graduale e planifikuar nga Bashkimi Evropian në vitin 2027.
Megjithatë, aftësia e Rusisë për të përfituar plotësisht nga situata mbetet e kufizuar. Vite të tëra sanksionesh dhe sulmesh ukrainase kanë dëmtuar pjesë të infrastrukturës energjetike ruse, duke kufizuar shpejtësinë me të cilën vendi mund të rrisë prodhimin ose eksportet.
“Përfitimi mund të jetë domethënës në afat të shkurtër, sepse Rusia përfiton si nga çmimet më të larta, ashtu edhe nga njëfarë lehtësimi në zbatimin praktik të sanksioneve”, tha Carole Nakhle, themeluese e Crystol Energy. “Por anët pozitive mbeten ende të kufizuara.”
Ajo shtoi se kufizimet e transportit dhe të sigurimit, si dhe përqendrimi i eksporteve ruse në një grup të vogël blerësish si India dhe Kina, ende kufizojnë mundësitë e Moskës për të përfituar plotësisht nga ndërprerjet e furnizimit. [Përktheu: Dan GASHI]
Shënim: * Lee Ying Shan është një reportere tregjesh me CNBC me seli në Singapor. Ajo shkruan për një gamë të gjerë klasash asetesh, duke filluar nga aksionet, monedhat, mallrat dhe obligacionet.
