Nga Dr. Kadri Kryeziu
(Një mesazh i qartë për miqtë tanë ndërkombëtarë dhe iluzionin e “normalizimit” përmes nënshtrimit)
Kuvendi i Kosovës më në fund është konstituar
Bllokada kushtetuese mori fund, institucionet u plotësuan — por miqtë tanë ndërkombëtarë zgjodhën një reagim të çuditshëm: heshtjen.
Mos e gënjejmë veten për kuptimin e kësaj heshtjeje. Nuk është neutralitet. Është interpretim.
Duke mos folur, ata kanë vizatuar vijën e tyre të barazimit — mes Listës Serbe dhe komunitetit serb, mes bllokadës dhe përfaqësimit, mes kontrollit të Beogradit dhe pluralizmit të Kosovës.
Kjo heshtje nuk është maturi diplomatike; është miratim përmes mosveprimit. Ajo na tregon, pa fjalë, se e njëjta logjikë që e mban Listën Serbe peng të Beogradit po pranohet heshtazi si “normalitet përfaqësimi.”
Kjo nuk është njohje e një komuniteti — është normalizim i varësisë. Prandaj, kur të tjerët zgjedhin të heshtin, Kosova duhet të flasë.
Beogradi nuk i zotëron serbët e Kosovës. Dhe ta trajtosh sikur po — do të thotë të shpërblesh shantazhin, jo bashkëjetesën.
Sot është dita e duhur për ta thënë hapur: Me gjithë respektin për miqtë tanë — por me vendosmëri të plotë: Kosova nuk do ta pranojë kurrë normalizimin e Listës Serbe.
Qëndrimi i bashkuar i partive shqiptare në Kuvend, që refuzuan pretendimin e Listës Serbe për të përfaqësuar një komunitet të tërë, tregon diçka më të madhe se politika e ditës. Tregon ndërgjegjen e këtij populli — durimin, lodhjen, por edhe dinjitetin e tij të pathyeshëm.
Mund të durojmë deklarata budallaqe e sjellje joproduktive; demokracia e kërkon këtë. Por Banja tregoi atë që askush s’mund ta mohojë: Lista Serbe nuk është as paqësore, as demokratike.
Ajo është krahu politik i rrjeteve kriminale të Milan Radojçiqit.
Dhe kujtimi i sakrificës së Afrim Bunjakut na kujton se kjo dhunë ka emra, fytyra dhe pasoja — dhe asnjë demokraci s’mund të bëjë sikur nuk i sheh.
Kosova nuk ua mohon pjesëmarrjen politike qytetarëve të saj, por nuk do të shtiret sikur gjithçka është normale, teksa një parti vepron si fasadë e strukturave kriminale.
Le të kuptohet një herë e mirë: Kosova nuk do të pranojë më të mbahet peng për mëkatet e Listës Serbe.
Mjaft me standarde të dyfishta
Na mbani leksione për përfshirje e përfaqësim.
Në rregull — por ato leksione duhen mbajtur dyfish më fort ndaj atyre që refuzojnë të integrohen dhe që ende e trajtojnë Republikën e Kosovës si një strehë të përkohshme.
Integrimi nuk është ceremoni; është përkushtim. Do të thotë besnikëri ndaj ligjit, respekt për institucionet dhe pranim i barazisë.
Kush e do të ardhmen e fëmijëve të vet, duhet ta ndajë me ne barrën e suksesit të kësaj Republike — jo ta pengojë atë.
Dhe për miqtë tanë: mjaft me kërcënime, me paralajmërime për “njohje” apo “paqëndrueshmëri.”
Nëse flirti juaj me Listën Serbe synon të dobësojë këtë shtet — thuajeni hapur.
Por mos harroni: Plani i Ahtisarit nuk ishte dhuratë, ishte kompromis i dhimbshëm që e pranuam në emër të paqes.
Para se të na predikoni durim, reflektoni për standardet tuaja të dyfishta.
Një rajon i lodhur nga eksperimentet
Kosova nuk e zgjodhi rolin e eksperimentit. Lirinë e paguam me sakrificë dhe me të vërtetën tonë. Nëse logjika e re e diplomacisë është të flasë për “shtete natyrore”, atëherë le të flasim hapur, sepse edhe ne e dimë ç’është natyrale për ne. Po, mund të flasim për një Shqipëri natyrore, ashtu siç flasin të tjerët për Botën Serbe.
Nuk jemi qiraxhinj në këtë vend.
Jemi autoktonë — të rrënjosur, sovranë, të palëkundur.
Ka kaluar koha kur për serbët ishit nënë, e për ne njerkë. Keni përkëdhelur një kulturë shantazhi dhe u keni dhënë përshtypjen se mjafton të kërcënojnë për të marrë shpërblime.
Por shqiptarët e sotëm nuk janë shqiptarët e viteve ’90. Nuk jemi më të varfër. Nuk jemi më pa zë. Nuk jemi më të frikësuar. Një thirrje mjafton për t’u bashkuar — jo për luftë, por për dinjitet.
Jo për hakmarrje, por për drejtësi.
Dhe nuk ka parti, as qeveri servile që mund ta ndalë këtë vullnet.
Populli shqiptar është më i madh se partitë e tij, më i madh se kufijtë që i kanë vënë, më i madh se kompromiset që i janë imponuar. Ky vullnet nuk hesht. Nuk kufizohet.
Dinjteti nuk është sfidim
Kush kërkon përplasje, do ta gjejë përballë vullnetin tonë të pathyeshëm.
Kush kërkon paqe, bashkëpunim e zhvillim, do ta gjejë te ne partnerin më të sinqertë dhe më të besueshëm. Por askush të mos e ngatërrojë durimin tonë me dobësi.
Nuk na shtyn zemërimi — na shtyn kujtesa.
Nuk kërkojmë privilegje — kërkojmë drejtësi.
Dhe drejtësia nuk është as favor, as dhuratë; është themeli i çdo paqeje të vërtetë.
Kosova është gati të ecë përpara — me miqtë e saj të vërtetë. Por të ecësh përpara nuk do të thotë të harrosh kush je. Miqtë e vërtetë nuk të kërkojnë të heshtësh, por të jesh i drejtë.
Dhe ne do të jemi të drejtë — por kurrë të nënshtruar.