Nga Dr. Elez ELEZI
Ka disa kujtime nga fëmijëria që nuk harrohen kurrë. Jo sepse në atë moment e kupton plotësisht domethënien e tyre, por sepse mbeten diku thellë dhe marrin kuptim vetëm më vonë, kur fillon ta shohësh botën me sy më të pjekur. Një nga ato kujtime për mua është një mbrëmje në shtëpinë tonë, kur familja ishte mbledhur dhe bisedat rridhnin natyrshëm mes të afërmve. Në atë mbrëmje, daja i babit tim, Minushi, tregoi një ngjarje që në atë kohë më dukej thjesht si një rrëfim i zakonshëm, por sot e kuptoj si një mësim për mënyrën se si merren vendimet e mëdha.
Ai tregoi se kishte shkuar te Azem Qeli në Beguncë, një burrë i njohur në Anamoravë për mençurinë dhe autoritetin e tij. Kur e përshkroi atë moment, daja Minush e shtriu dorën mbi tavolinë, e hapi pëllëmbën dhe e lëvizi ngadalë majtas e djathtas, sikur po peshonte diçka të padukshme. Pastaj tha: “I kam qit në një anë fitimet dhe në anën tjetër humbjet, i kam peshuar mirë.” Dhe kam ardhë te ti. Në atë kohë nuk e kuptova plotësisht peshën e këtyre fjalëve, por më mbetën në mendje si një imazh i qartë: një dorë e hapur mbi tavolinë dhe një njeri që mendon para se të veprojë.
Sot, kur shoh zhvillimet politike në Kosovë, veçanërisht veprimet e Albin Kurti në veri të vendit, më rikthehet pikërisht ai moment. Për vite të tëra, veriu i Kosovës ka qenë formalisht pjesë e shtetit, por në praktikë me një realitet më kompleks dhe më të brishtë. Çdo qeveri para kësaj kishte hezituar të ndërmerrte hapa të fortë, ndoshta nga frika e pasojave ose nga presioni ndërkombëtar. Por në një moment të caktuar, u morën vendime që ndryshuan këtë qasje.
Këto veprime nuk erdhën pa pasoja. Bashkimi Evropian vendosi masa të përkohshme ndaj Kosovës, pati kritika dhe tensione diplomatike. Ishte një periudhë që krijoi pasiguri dhe debat, si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij. Por me kalimin e kohës, situata filloi të stabilizohej dhe institucionet e Kosovës filluan të funksionojnë më qartë dhe më drejtpërdrejt në atë pjesë të territorit.
Kur e shoh këtë proces, nuk mund të mos e lidh me atë që tha daja Minush atë mbrëmje. Vendimet e mëdha nuk merren kurrë pa rrezik. Ato kërkojnë guxim, por edhe llogaritje. Ato kërkojnë që një njeri, apo në këtë rast një udhëheqje shtetërore, të vendosë në njërën anë të peshores përfitimet dhe në anën tjetër humbjet, dhe pastaj të vendosë nëse pesha e së ardhmes është më e rëndë se pesha e frikës së momentit.
Sot, ndërsa masat ndaj Kosovës po hiqen dhe situata po hyn në një fazë më stabile, duket se ajo peshojë për të cilën fliste daja Minush nuk ishte vetëm një gjest simbolik, por një filozofi vendimmarrjeje. Ai gjest i thjeshtë me dorë mbi tavolinë përfaqësonte diçka universale: përgjegjësinë për të parë përtej momentit dhe për të menduar për pasojat afatgjata.
Në fund, historia shpesh nuk përbëhet vetëm nga ngjarje të mëdha, por edhe nga kujtime të vogla që na ndihmojnë t’i kuptojmë ato. Për mua, ajo mbrëmje në shtëpinë tonë dhe fjalët e dajës Minush janë bërë një mënyrë për ta kuptuar më mirë se si merren vendimet e vështira. Sepse ndonjëherë, përpara se të veprosh, duhet vetëm të ndalesh për një moment, të hapësh dorën mbi tavolinë dhe të pyesësh veten: në cilën anë anon peshoja e së ardhmes.
