Nga Dr. Arben ELEZI
Qe një kohë të gjatë, katër-pesë vite mbase, një pyetje nga ato të ankthshmet më lindi në kokë dhe vazhdonte kohë pas kohë të ma vriste mendjen, në ritmin e skandaleve dhe me gjithë dëshpërimin që rritej me kohë, nga mënyra e disave në Kosovë të të bërit politikë. Kjo opozita e sotme, a e don akoma me të vërtetë atë? Kosovën e kam fjalën.
Na duhet pak të kthehemi mbrapa për të gjetur disa nga elementet e pergjigjjes.
Së pari, ta kujtojmë rrezimin e qeverise Kurti I edhe atë në pikë të pandemisë se Kovidit. Pamë atëherë në Kuvend një spektakël të trishte në regjinë e të njëjtave parti si këto sot. Deputetët opozitarë, rrëzuan shpejt e shpejt, në nje ambient morti te përgjithshëm, qeverinë e zgjedhur me votë për të realizuar kështu grushtshtetin e parë në historinë e re të vendit. Më kujtohet ai spektakël, nga më te shëmtuarit, votimi pothuaj në kushte klandestiniteti me ato fëtyra që s’njiheshin edhe aq sepse mbanin për kohën maska. Një vjedhje, një puç që doli të jet nga më komodët, një formalitet. Sajë maskave dhe epidemisë që kishte ngujuar nje popull të tërë nëpër shtëpi, opozita mundi ta çojë punën deri në fund dhe të rrëzojë qeverinë. Mirëpo, ata harruan që maskat s’e mbulonin dot ballin bashke me thënjen e popullit që thot se njeriu jeton për dy gishta ball. I njëjti popull, me atë vetinë e keqe (apo të mirë) që ka; atë të harruarit shpejt, mbase si një mekanizëm mbrojtës i (por i përkohshëm) mbijetimit kolektiv.
Për të kaluar pastaj tek këto zhvillimet e fundit, disa vite më vonë, kur u bëmë prapë dëshmitarë të recidivit të rradhës të të njejtës opozitë (e populli ndërkohë kishte harruar të mëparshmin): bllokimin e qëllimshëm që i u bë konstituimit të kuvendit në fillim, të qeverisë pastaj, për ta dërguar me në fund vendin në zgjedhje të reja, në rrethana të Kosovës, të panevojshme, absurde.
Duke analizuar sjelljen e opozites ndër vite, listën e gjatë të mëkateve të saj, përgjigjja kështu në pyetjen sipër, m’u shfaq e kthjelltë sa edhe e tmerrshme. Këta të opozitës nuk e duan më Kosoven, e jo vetëm kaq; okupatorë të dikurshem të saj, ata i kanë mësyer ta okupojnë prapë.
Pa zgjedhur mjete. Për këtë qëllim e ndër të tjera, shihnim (e shohim ende) ditë e natë nëpër portale a TV, gazetarë e analistë, të mobilizuar në një lufte të vërtetë, plot me, në mos me gjysmë të vërteta atëherë me dezinformata ; vetem baltë e vetëm zi për bilancin e qeverisë dhe të kryeministrit Kurti. S’besoj të ketë debate politike më bajate se këto që kanë vërshuar ndër vite studiot TV në Kosovë. Nëse s’ishtë më edhe aq lehtë të mashtrohet populli (a s’e dëshmoi këte fitorja e bindshme në zgjedhjet që i prinë Qeverisë Kurti II), opozita me mediat e saj të fuqishme, filloi ndërkohë të zbatojë një strategji të re, më perfide: me rëndesi u bë (tash që VV kishte një shumicë të mjaftueshme për pushtet) që t’i tregohej popullit se ndryshimi s’po ndodhte, që pritjet e tij nuk po realizoheshin, se edhe këta nuk ndyshonin nga të tjerët, në stilin e mirënjohur por të kthyer mbrapsht « nëse ne jemi djem të këqinj, edhe Albini me shokë janë të tillë » apo në përkthim « (s’mohojmë të kemi vjedhur), por edhe këta janë hajna, njësoj ». E tëra me bindjen e pjekur nga eksperienca ndër vite që ai, populli ka vështire të bëjë dallimin, që populli është në gjendje të vë shenjën e barazimit mes neve dhe atyre, apo edhe thjesht të harrojë të gjitha, i prirë që është për të, i zënë me hallet që ka!
Dhe me sa duket ,gjithë kjo propagandë gjatë katër viteve të qeverisë Kurti II, qe një përgatitje e terrenit dhe e publikut ; ofanziva vertëte e opozitës do të lansohej pas zgjedhjeve të shkurtit. Pamë atëherë refuzimin e saj per konstituimin institucioneve dhe të qeverisë, një bllokim shumë kokëfort, shokues (që befasoi madje edhe vetë votuesit e saj). Mundëm të marrim vesh, u bë e qartë keshtu a posteriori, se opozita (PDK, LDK, AAK) ishte bashkë, kishte bërë koalicion para vetë zgjedhjeve të shkurtit. Pakti u mbajt sekret sepse s’kishte marrë (madje as kërkuar) miratimin e bazës, e cila ka arsye të forta kështu për t’u ndier e tradhtuar sërish. Humbja e rëndë ( marrë një me një ndaj VV) demaskoi këtë koalicion të fshehtë, e intenziteti paparë i sulmeve, medial e mirë i orkestruar që versheu mbi qeverinë, vuri në pah faktin që tanimë, në Kosovë, në shkallë të vendit, operonte një sindikatë krimi.
Gjithçka e gjithsecili është i kritikueshëm, ama besoj të egzistojë, për një çështje të paktën, një pajtueshmeri e gjërë në opinionin publik të gjitha bordeve, që do bënte që kjo qeveri të mos meritonte një trajtim të tillë. Përkundrazi. Ajo është puna e madhe (e pabesueshme) që është bërë në veri të vendit pas më shumë se 20 vjet’ status quo, e që pa të lulëzojë atje, e para syve të botës, një « republikë » kriptofashiste.
Kur jemi te Veriu gjithnjë, megjithë kauzën e saj legjitime, Qeveria Kurti u sulmua nga të gjitha anët. Nga jashtë dmth nga përendimoret me sankcionet që na jane vënë prej kohesh, të pakuptueshme për ne, të padrejta padyshim. U kritikua edhe nga Shqiperia e Edi Ramës, por kjo s’na bën më edhe aq përshtypje. Opozita heshti edhe ndaj të parëve, edhe ndaj të dytit e e njohim preferencën e këtj të fundit për të. Aq më tepër, ajo s’ngurroi asnjëherë të kritikojë Qeverinë Kurti, duke përseritur atë refrenin bajat, të prishjes së raporteve me aleatë, SHBA-të në rend të parë, sikur të mos ishim në gjendje të dijmë çfarë është e mirë per shtëpinë tonë! Por Qeveria qëndroi në këmbë, nuk u thye. Kjo njëkohsisht bëhej edhe për për joshur faktorin e jashtëm, për t’u paraqitur para tyre si një alternativë (e qeverisë Kurti), që i bie, në rastin konkret e fatkeqsisht për opozitën, edhe alternativë ndaj sovranitetit të Kosovës në veri të vendit. E etur për pushtet dhe me shkurtpamësine që ka treguar në këto 10-15 vjetët e fundit (gati në shkallë katarakti kur është në pyetje interesi afatgjat i vendit), opozita kishte prapë nevojë, shpresonte në një perkrahje nga jashtë, për të fituar një kredibilitet shtesë për një qeveri të ardhshme, me bashkëpunuese në sytë e Përendimit, lexo nje qeverie që do dinte të lëshoj pe. Asgjë e re këtu ! A s’kishin dëshmuar këta, në të kaluaren, të jen’ në gjendje, për një biletë vajtje-ardhje në Bruksel a Vashinton, të nenshkruajnë edhe marrëveshjen e parë të ofruar në tavolinë, shpesh në dëm të Kosovës (e me cilën na mbetet neve pastaj te merremi me decenie te tëra !). A nuk u tha, a nuk u përsërit madje, nga figura tê rëndësishme politike të opozitës, që çfarë u bënim ne sërbëve nën qeverinë Kurti, i ngjante asaj çfare pushteti i Millosheviçit u kishte bërë në të kaluarën e afërt shqiptarëve të Kosovës!
Grushtshteti i ri dështoi në mungesë mbase të një shtytje vendimtare që pritej e që s’erdhi dot kësaj here as prej tej-oqeani, as nga Qielli.
I gjithë ky bllokim, doli më në fund të jet’ një ndërmarrje e llogaritur keq sa edhe impulsive nga një opozitë konfuze dhe e papërgjegjshme, e që shpresoj t’i kthehet asaj në një bumerang të ri. Sepse qeveria, edhepse në detyrë, vazhdoi punën e saj. Por dëmi u bë; vendi nga më të varfërit çfarë është Kosova, e detyrua të paguajë një çmim të ri, ekonomik e politik.
Në sytë e mi kështu, kjo opozitë ka kohë që s’ka lënë edhe shumë vend për respekt. Ajo duhet ndëshkuar tash e menjeherë në zgjedhjet e dhjetorit, sepse vetëm nje humbje e madhe do e ndërgjegjësonte, do i jepte mësimin e duhur (të pushojë më në fund të tallet me popull!), dhe hapte rrugen reformimit të saj, me njerëz te rinjë mbase. Jeta politike në Kosovë do të pasurohej kështu me një opozitë normale, e jo toksike çfarë është aktualisht.
Në pritje të një opozite ndryshe pra, uroj një mandat të ri Vetëvendosjes dhe kryeministrit Albin Kurti, kësaj figurë unike dhe të veçantë në jetën politike të Kosovës për shumë arsye. Sepse, ajo që në fakt dallon VV nga partitë e tjera mbetet edhe origjinaliteti i liderit te saj.
Problemi i opozites nga ana tjetër ështe se kemi të bejmë me një opozitë pa ide, pasive ndaj faktorit të jashtëm, e butë me ta (e e egër me të vetët), pa guxim karshi Beogradit sepse në fakt e udhëhequr nga liderë mediokër (që vunë me kalimin e kohës interesin e tyre mbi atë të vendit).
Sot te PDK, s’e dimë edhe aq mirë cili është dhe ku ndodhet lideri i saj. Edhe ata që janë në Hagë (Hashim Thaqi e Kadri Veseli), përjashto kontributin e rendesishëm që kanë dhëne gjatë luftës, nuk ështe se janë shquar ndonjëherë (pas luftës kam fjalën) as për nga dija, as për nga gjuha as për nga idetë.
M’ra të dëgjoj para do javësh, sa isha në Kosovë, Lumir Abdixhikun, kryetarin e LDK, derisa fliste nga foltorja e Kuvendit, të prononcojë perlën e rradhës në ditën kur u shterr edhe mundësia e fundit per të bërë qeverinë. « Për dallim prej teje, ne i rrisim fëmijt tanë këtu ». Më pat rënë të dëgjojë edhe më parë, nga e njejta foltore, vërejtje të tilla drejtuar Kryeministrit nga goja e do deputeteve te PDK apo të AAK nëse s’gaboj (e që dorën në zemër, ka kohë që askush s’i merr seriozisht).
Nga Abdixhiku, i supozuari lider reformator i LDK, një partie progresiste siç pelqen ta quaj veten ajo, prisja megjithatë më shumë (dhe më shkoi mendja në ato te çaste te Presidenti Rugova, e përfytyrova atë, në këto fjalë, te jet’ rrotulluar n’ varr, të ket’ dashur madje të ngritet nga ai, për të nxjerrë partinë nga humnera në të cilën e kanë zhytur trashëgimtaret e tij). Apo ndoshta kush e di, ky qe edhe një mesazh që lideri i partise në fjalë i drejtonte diasporës, kohëve të fundit halë në sy e disa opozitarëve, sepse edhe këta, për dallim prej tij, nuk i rrisin fëmijët e tyre këtu (në Kosovë). Sepse në këte hovin e bllokimit që kanë ndërmarrë, këta do të dëshironin të eliminojnë të gjithë ata që paraqiten si pengesë në marshin e tyre drejt pushtetit. Edhe votën e diasporës (votën e jo paranë !). T’i bllokojne edhe miqtë tanë, ose edhe ata aktivistë të paktë të VV nga Shqipëria (pasi t’i kenë dëbuar më parë sikur guxuan ta bëjnë me Bojken Abazin atëbotë). E sa i përket rinisë (që me shumicë voton VV) , qështja as që shtrohet, ajo edhe ashtu po ikën !
Harroi Abdixhiku t’na thotë, kur jemi të fëmijt, ku dhe në ç’fakultete studiojnë fëmijët e politikanëve të sotëm e të djeshëm te Kosovës. Sigurisht jo në « Hasan Prishtina » po në ato të shtrenjtat e Evropês e të Amerikës sepse sistemi i arsimit në Kosovë u rrënua pa u ngritur akoma në këmbë dhe me meritën e të njëjtëve politikanë (korrupcion, fakultete private, prodhim pothuaj industrial diplomash etj etj). Harroi gjithashtu të na thotë edhe ku shërohen familjarët e tyre në rast problemi. Sigurisht jo në QKUK apo në spitalet periferike, në ambientet e trishta, të lëna pasdore një kohë tê gjatë, po në ato private, në Turqi e gjetkë. Kur shohim sa pak ështê bërë ndër vite, për spitalet publike dhe shëndetsinë në pergjithsi, kuptojmë sa sa pak vlerë ka sot një, në sytë e politikanëve, një jetë njeriu në Kosovë
D.m.th origjinaliteti i liderit te VV në njërën anë dhe mediokriteti i opozitës në anën tjetër. Mirëpo, për të cituar Nelson Algren, shkrimtar amerikan, mediokriteti nuk është kurrë mungesë pasive e origjinalitetit. Ai (mediokriteti) hakmerret ndaj asaj që i mungon, ndaj asaj që është e privuar. Mbase kjo shpjegon gjithë këtë frustrim, inat, këtë urrejtje që shfryhet ditë e natë ndaj Albin Kurtit. Problemi kur urren, është se me të e humb kthjelltësinë e të menduarit (dhe në këtë ballafaqim, është Kosova ajo që harrohet, ajo që pëson secilën herë). E në Kosovë, është opozita sot ajo që urren Kurtin dhe e jo e kundërta.
Ta fshehësh mediokritetin e opozitës së sotme, ta mbash atë n’anonimitet, për të cituar prapë Algren, ështe sikur m’i dhënë nje protezë nje njeriu që ka mbet’ pa dhëmbë : proteza e nxit atë të kafshojë.
E mbaj përgjegjëse opozitën e sotme, sunduese në fillim e një kohë të gjatë të vendit, e akuzoj atë për gjendjen e keqe të tij në shumë aspekte, për korrupcionin që ka mbjell ndër vite në çdo aktivitet, në çdo fushë, e akuzoj atë për farën e korrupcionit që ka hedh mbi çdo Zemër. Më kujtohet, para lufte, kah fundi i viteve të 80-ta, kur vrasja e ushtarit në Paraçin të Serbisë, Aziz Kelmendit pat mallëngjyer, fut në zi gjithë Kosovën. Pas luftës, në një burg, në duart e shtetit të Kosovës u vra Astrit Dehari, aktivisti i Vetëvendosjes në rrethana ende të pasqaruara. Askush nga autoritetit s’e mori përgjegjësinë për këtë krim, askush s’u dënua edhepse faji i shtetit është evident. E butë me të huajt, e egër me të vetët! Rastisa atëditë në nje kafene të Gjilanit, i mërzitur si kurrë (mbase sepse edhe Astriti do bëhej një ditë mjek, si unë), muzika s’kishte të ndalur, festa vazhdonte me një indiferencë indinjuese, sikur atë ditë të mos kish’ ndodhur gjë. Salla ishte plot tym, përplot me njerëz, ndër ta edhe studentë, e Astriti qe student mjekësie që s’do veshte kurrë bluzën bardhë. Pash aty me trishtim që populli im s’ishte më ai që kisha njohur në rininë time, që kishte ndryshuar.
E ndryshimi më i madh në mes të Kosovës së paraluftës dhe asaj të pasluftës, nuk është Rruga e Kombit që lidhi Kosovën me shtetin amë, por është ndyshimi që ka ndodh në zemrat tona.
Ku janë të bijt’ e të bijat e minatorëve të Trepçës, që në terrin e Tokës u futën në grevë urie, gati s’u ngulfatën në mbrojtje të autonomisë se Kosovës ? Ku janë të bijt’ e të bijat e studentëve e të burgosurve politikë ? Të bijt’ dhe të bijat mësuesve, profesorëve, mjekëve që punuan me vite të tëra, në kushte apartheidi, pa pagesë por të lirë si kurrë më parë, duke nxitur e fituar admirimin e një bote të tëre ? Ku janë të bijt’ e të bijat u ushtarëve të UÇK që u flijuan, paguan me gjakun tyre lirinë që gëzojmë sot ? Të bijt’ dhe të bijat e vellezërve Bytyqi që lanë Amerikën për t’iu bashkuar UÇK-së, për të dhënë jetën e tyre në mbrojtje të një familje rome? Të atyre që qenë në gjendje t’i falin gjaqet ngaqë vendi ndjehej i kërcënuar si asnjeherë? Janë të gjitha këto trajta të ndryshme që përbënin e pasuronin ndër vite origjinalitetin e luftës së popullit të Kosovës per liri.
Për fund, dilema për zgjedhjet që po vijnë, është të zgjedhësh mes mediokritetit të opozitës dhe origjinalitetit të Albin Kurtit. Ti edhe mund të ndërrosh të dytin me të parin, mirëpo mediokriteti s’mund asnjëherë të vlejë sa origjinaliteti, e kur vjen puna te politika, me të gjitha problemet që ka vendi, të gjitha sfidat që e presin, kjo shndërrohet në diçka që bëhet e rrezikshme për të e për ne. Sa më përket mua, zgjedhja është e qartë prej fillimit e për të mirën e vendit , kjo e dyta : Vetëvendosja me Albin Kurti.
