Nga Dr. Gurakuç KUÇI
Serbia aktivizon pagesat “sociale” para zgjedhjeve elektorale në Kosovë dhe i fillon pagesat e tyre në ditë fundjave. Ky vend nga SHBA-ja së fundi me Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare është vlerësuar si vend me zgjedhje të padrejta.
Nga data 20 nëntor që i bie ditë e shtunë, ditë që pushohet dhe nuk punohet, Serbia ka zgjedhur që të shpërndajë para për Serbët në Kosovë. Edhe kësaj radhe si herëve të kaluara, këto dhënie parash Serbia i mbulon nën emrin e skemave sociale për të papunët.
Kjo skemë që sipas njoftimit do të bëhet nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit në Serbi do të filloj të shpërndahet për serbët që jetojnë apo janë nga Kosova (pra ata që votojnë në Kosovë).
Këto lloj skemave aktivizohen çdo herë para zgjedhjeve elektorale në Kosovë për të nxitur serbët të votojnë për Listën Serbe, raportime për këtë çështje kemi bërë edhe në të kaluarën.
Mundësia e pagesave dhe infiltrimeve të ndryshme kësaj radhe është edhe më e lehtë pasi për shkak të festave të fundvitit, atë e bënë nëpërmjet fondeve dhe organizatave të ndryshme në emër të dhuratave.
Serbia po ashtu, nëpërmjet të ashtuquajturës zyra për Kosovën në Serbi dhe Komisariatit për Refugjatë dhe Migracion në Serbi është angazhuar që të organizojë serbët nga Kosova që jetojnë në Serbi dhe vende tjera të votojnë me 28 dhjetor duke e lënë edhe një numër telefoni aktiv. Me gjasë aktiviteti i organizimit është i zgjeruar përtej informacioneve publike.
Serbia sipas Aktit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) në SHBA është vlerësuar me kushte të padrejta të zgjedhjeve elektorale dhe se gjendja e demokracisë atje është shqetësuese. Ky akt është miratuar në të dyja dhomat e Kongresit Amerikan dhe pritet tani të nënshkruhet edhe nga Presidenti Donald Trump.
Regjimi i Vuçiqit i cili e ka kthyer ne autoritarizëm të stilit të Rusisë Serbinë, ku zgjedhjet janë vetëm një proces fiktiv, të njëjtën gjë po e bën edhe në Kosovë me serbët. Madje deklaratat e tyre janë publike në përkrahje të një subjekti politik si Lista Serbe dhe jo në përkrahje të të gjithë serbëve si komunitet.
