Nga Dan GASHI / Njujork
Analitikisht, kriza e shtetësisë së Kosovës nuk buron vetëm nga mungesa e vizionit politik, por edhe nga mungesa e një baze intelektuale autoktone që nuk arriti ta konceptojë shtetin si projekt kombëtar dhe qytetar njëkohësisht. Pavarësia, ndonëse e arritur si rezultat i rrethanave historike dhe ndërhyrjeve ndërkombëtare, nuk u shoqërua me një koncept të brendshëm të shtetit me një ide që do ta bënte Kosovën një projekt të vetëdijshëm, e jo vetëm objekt ndërhyrjesh.
Rrugëtimi drejt pavarësisë duhet parë në dritën e kontekstit historik të kohës: kriza e federalizmit jugosllav, ndërhyrjet ndërkombëtare dhe konfliktet ndërrepublikane nuk ishin pasojë e mungesës së mendimit të integruar politik, juridik apo kulturor të popujve të ish-Jugosllavisë. Përkundrazi, ato ishin rezultat i forcave nacionaliste dhe shoviniste me liderë si Millosheviqi e Tuđmani, të inkurajuara nga segmente politike evropiane dhe, sidomos, nga shërbimet sekrete ruse, që synonin të sabotonin strategjinë amerikane për integrimin paqësor të Jugosllavisë si federatë në Bashkimin Evropian.
Nuk duhet harruar se në këtë vorbull historike, ku divergjencat midis faktorëve kyç evropianë ishin jo vetëm të thella, por herë pas here edhe tolerante ndaj palëve ndërluftuese, paaftësia e elitës sonë akademike për të artikuluar një doktrinë të qartë shtetformuese mbetet e pajustifikueshme. Në vend që të ishin arkitektët e konceptit të pavarësisë, ato u mjaftuan me rolin e spektatorëve, duke e reduktuar shtetin në një fakt administrativ, një formë të jashtme të sovranitetit pa përmbajtje të brendshme.
Kështu, Kosova ngjau më shumë me një “konstrukt të mbikëqyrur” sesa me një projekt të vetëdijshëm kombëtar. Ambiguiteti i vizionit politik dhe diplomatik, i reflektuar qartazi që nga Marrëveshja e Rambujesë, vazhdoi përmes paqartësive, divergjencave dhe sinjaleve kontradiktore të diplomacisë evropiane, duke e bërë shtetin tonë edhe më të pasigurt dhe më të brishtë në përkufizimin e vet.
Metaforikisht, një shtet që nuk ushqehet dhe nuk kultivohet nga mendimi i elitës së vet mbetet si një trup i gjallë, por pa vetëdije, që lëviz, frymon, por nuk e di pse ekziston. Pikërisht aty fillon rreziku i dështimit të tij si ide, para se të dështojë si realitet.
