INDEPENDENT
Ndërsa lufta në Iran po del rrezikshëm jashtë kontrollit, shumë njerëz në rrethin e ngushtë të presidentit amerikan e shohin atë si një betejë të parathënë në profecitë biblike për fundin e kohërave.
Alex Hannaford bisedon me njerëz të brendshëm në Uashington për të zbuluar se si këto besime ekstreme janë tani në zemër të bërjes së politikave të SHBA-së.
E diel, 22 mars 2026
Në dimrin e vitit 2024, Donald Trump njoftoi se kishte përzgjedhur Pete Hegseth, një moderator i Fox News dhe veteran ushtarak, gjerësisht i panjohur jashtë SHBA-së, për të qenë sekretari i tij i mbrojtjes.
Disa vite më parë, Hegseth tha se ishte në mes të një grupi anëtarësh të Gardës Kombëtare të larguar nga sigurimi i inaugurimit të Presidentit Biden pas shqetësimeve lidhur me lidhjet e mundshme me ekstremizmin. Në bicepsin e tij të djathtë, Hegseth ka të tatuazhuar fjalët “Deus vult” me shkrim gotik. Fillimisht një thirrje mobilizuese për Kryqëzatën e Parë dhe Papa Urbanin II në vitin 1095, motoja latine, e përkthyer si “Zoti e dëshiron”, që atëherë është përvetësuar nga ekstremistët dhe tani përdoret gjerësisht nga supremacisët e bardhë dhe fraksionet radikale nacionaliste kristiane si një simbol për ndjenjat anti-myslimane. Hegseth tha se tatuazhet e tij, të cilat përfshijnë një kryq, janë thjesht “simbole të krishtera”.
Autori Jeff Sharlet, një ekspert i të djathtës fetare amerikane, i vendos njerëzit si Hegseth dhe figura të tjera të lidhura me Trump brenda kontekstit të një rryme militante, nacionaliste kristiane që po riformëson politikën amerikane. Është një lëvizje së cilës aktualisht nuk i mungojnë “poster boys” ideologjikë, shumë prej të cilëve rrethojnë lëvizjen MAGA.

Në vitin 2022, Instituti për Studime Sociale dhe Politike i Universitetit Yale zhvilloi një konferencë dyditore për të eksploruar se çfarë roli mund të luante nacionalizmi kristian në zgjedhjet afatmesme të atij viti dhe sa kërcënim paraqiste ai për demokracinë amerikane. Sociologu Philip Gorski tha se ky ishte “një term që edhe pesë vjet më parë nuk do ta dëgjonit jashtë një salle seminaresh, por që nga sulmi i 6 janarit në Kapitoll, ai ka filluar të qarkullojë në lajmet kombëtare”.
Gorski e gjurmoi nacionalizmin e bardhë kristian në Shtetet e Bashkuara që nga fundi i viteve 1600, ku ithtarët besonin se Amerika u themelua nga të krishterët, të cilët i modeluan ligjet dhe institucionet e saj sipas idealeve të tyre fetare përballë kërcënimeve të perceptuara nga njerëzit jo të bardhë dhe jo të krishterë. Fenomeni u shfaq gjatë periudhave kur të krishterët e bardhë u ndien të kërcënuar nga forca të jashtme – dhe kjo u përforcua nga lufta, emigracioni i lartë ose periudhat e paqëndrueshmërisë ekonomike. Gorski tha: “Periudha në të cilën jemi tani është një stuhi perfekte. Të tre këta katalizatorë janë të pranishëm.”
Dy vjet më vonë, Jeff Sharlet e përshkroi Hegseth si një nacionalist kristian i cili besonte “absolutisht në idenë e mbledhjes së Izraelit si një fazë drejt Librit të Zbulesës në Bibël” dhe tha: “Ai e sheh luftën e Izraelit ndaj palestinezëve si profeci biblike dhe diçka që duhet mbështetur për hir të krishterimit.”
Hegseth është tani në krye të departamentit të mbrojtjes të SHBA-së, të cilin ai e riemëroi “Departamenti i Luftës”, dhe arkitekti kryesor i Operacionit “Epic Fury”, konflikti i përgjakshëm që vazhdon në Iran. Dhe në fillim të këtij muaji, Fondacioni për Lirinë Fetare Ushtarake tha se kishte marrë më shumë se 200 ankesa nga pjesëtarët e shërbimit se komandantët ushtarakë të SHBA-së u kishin thënë trupave se ishte pjesë e planit të Zotit që ata të vendoseshin në Iran.
Rachel Bitecofer, një stratege politike demokrate, më thotë se ndërsa mund të tingëllojë “e çmendur për një audiencë evropiane”, ajo beson se Hegseth “mendon se është zgjedhur nga Zoti për të shkuar në një mision hyjnor për të lajmëruar ardhjen e dytë të Jezusit”. Ajo shton: “Jo të gjithë të krishterët ungjillorë janë nacionalistë kristianë të bardhë, por të gjithë nacionalistët kristianë të bardhë janë ungjillorë. Dhe ata besojnë në rrëmbimin (the rapture), apokalipsin dhe Ardhjen e Dytë.”
Analisti i politikave publike dhe ish-këshilltari i lartë i OKB-së, Jeffrey Sachs, ka dhënë alarmin gjithashtu, duke paralajmëruar se shtytja ideologjike pas luftës ndaj Iranit nuk është më e lidhur me shtetformimin tradicional dhe se administrata po sakrifikon stabilitetin global mbi altarin e një teologjie të rrezikshme të fundit të kohërave.
Bitecofer thotë se shumë nacionalistë kristianë mbështesin gjithashtu atë që njihet si teoria e zëvendësimit të madh – një konspiracion supremacist i bardhë që pretendon rrejshëm një plan të qëllimshëm globalist për të pakësuar fuqinë politike dhe dominimin kulturor të popullsisë së bardhë përmes emigracionit masiv jo të bardhë dhe rënies së lindshmërisë. Ajo që dikur shihej si një teori periferike e çmendur, tani po merret seriozisht nga shumë njerëz që formësojnë politikën qeveritare.
Në vitin 2024, unë detajova për The Independent se si Reforma e Re Apostolike dhe “Mandati i saj i Shtatë Maleve” ishin zhvendosur nga skajet teologjike në qendër të establishmentit MAGA. E udhëhequr nga figura si pastori Lance Wallnau, ajo ka në zemër një teologji dominioniste që pohon se të krishterët janë zgjedhur hyjnisht për të rimarrë “malet” e ndikimit shoqëror, duke përfshirë qeverinë, median dhe ushtrinë, për të shndërruar Amerikën në një teokraci funksionale.
Lëvizja financohet pjesërisht nga Ziklag, një rrjet i fshehtë donatorësh me ftesa, secili me një pasuri neto minimale prej 25 milionë dollarësh, të cilët e shohin pasurinë e tyre si një armë për t’u përdorur për të ndihmuar në realizimin e vizioneve apostolike të Wallnau.
Sipas Projektit Global Kundër Urrejtjes dhe Ekstremizmit, lidhjet midis Ziklag dhe Projektit 2025 – plani i tranzicionit i hartuar nga Fondacioni Heritage për të ofruar një udhërrëfyes konservator për centralizimin e pushtetit ekzekutiv nën Donald Trump – “janë të thella”.
Strategjia afatgjatë “250-vjeçare” që po shtyhet nga Fondacioni Heritage sot lexohet si një pasardhës gjeneratash i Projektit 2025 dhe duket i projektuar për të siguruar që revolucioni Trumpian të bëhet një ristrukturim i përhershëm i jetës amerikane. Kjo përfshin vendosjen e martesës midis një burri dhe një gruaje si guri i themelit të qytetërimit, rindërtimin e familjes bërthamë dhe inkurajimin e shkallës së lartë të lindshmërisë si një mbrojtje jetike kundër dekadencës demografike.
Udhërrëfyesi thotë shprehimisht: “Pa familje, një vend… i mungon një depo burrash të fortë dhe trimë për të mbrojtur veten nga agresorët armiqësorë brenda dhe jashtë vendit.”
Kërkesa për një “depo burrash” siguron lëndën djegëse njerëzore për një politikë të jashtme që e sheh ndërhyrjen ushtarake si një domosdoshmëri biblike. Bitecofer thotë se Pete Hegseth beson se ne duhet ta kemi këtë luftë në Lindjen e Mesme. Paraardhësi i Hegseth kishte titullin sekretar i mbrojtjes, dhe ajo këmbëngul: “Ndryshimi i tij në sekretar lufte ishte një tregues i madh. Nuk u ndje kurrë si performancë. Nuk është shaka. Është një qëndrim. Një qëndrim ndërhyrës. Ne po jetojmë në një republikë kushtetuese në kolaps këtu në SHBA.”
Në legjislaturat e shteteve, gjithashtu, mandati teologjik për të rimarrë ndikimin shoqëror po përkthehet në një realitet të ftohtë ligjor. Në mars 2026, në Tenesi, një nënkomision shqyrtoi një projektligj që do ta klasifikonte abortin si vrasje – duke i hapur rrugë dënimit me vdekje për gratë.
Është një përfundim esëll për një lëvizje që premtoi kthimin te liria. Gjithnjë e më shumë, plani 250-vjeçar i Fondacionit Heritage, ashtu si tatuazhi “Zoti e dëshiron” i Hegseth, ndihet më shumë si një udhërrëfyes për një vend ku e vetmja mënyrë për të udhëhequr është përgatitja për fundin e botës. [Përktheu: Dan GASHI]
