Nga Dan GASHI
Skandali seksual “Epstein”, që ka përfshirë individë të fuqishëm dhe figura të njohura nga tërë bota perëndimore dhe përtej, tani të ekspozuara me miliona dokumente, imazhe, të dhëna e lidhje të qarta, e ka çuar debatin përtej “abuzimeve”, “eksceseve” apo “krimeve individuale”. Publikimi i këtyre materialeve reflekton qartë praktikën sistematike, të organizuar dhe të ritualizuar nga elita që drejton dhe udhëheq të gjitha aspektet e shoqërisë moderne perëndimore.
Vite me radhë, publiku ishte ushqyer me një narrativë paqartësie, dyshimesh, ambiguitetesh, madje edhe konspiracionesh. Vazhdimisht aludohej se kishte dyshime, mungesë provash e faktesh, dhe bëhej një thirrje për kujdes. Materiali i publikuar nuk lë vend për hamendësime, dyshime e as për naivitet. Kur dalin prova për dhunë ekstreme, abuzim sistematik, akte brutale ndaj fëmijëve dhe pedofili që shkojnë përtej çdo kategorie të krimeve konvencionale, atëherë diskutimi shkon përtej normave e parametrave juridike dhe bëhet pasqyrim i një qytetërimi dhe rendi.
Tani më nuk ka rëndësi se kush, kur dhe me kë e vizitoi ishullin e Epsteinit. Ajo që është e rëndësishme është fakti se infrastruktura dhe rrjetet e këtij lloji të perverzitetit ekzistojnë dhe funksionojnë vetëm kur mbështeten nga një mbrojtje e thellë institucionale. Realiteti i pamëshirshëm është dhe mbetet se nuk ka pedofili rituale, nuk ka trafikim njerëzor në shkallë ndërkombëtare, nuk ka prodhim e shpërndarje sistematike të materialit pornografik ekstrem apo rituale satanike pa mbulim politik, policor, gjyqësor dhe mediatik.
Bota, e sidomos Perëndimi, nuk mund ta arsyetojë më këtë perverzitet morbid me rënien dhe dekadencën graduale të civilizimit perëndimor. Kjo shkon përtej degjenerimit kulturor apo humbjes së vlerave, shpie te diçka më e errët, më groteske. Te një elitë e dalë nga sistemi demokratik dhe vlerat më civilizuese të botës perëndimore, që vepron jashtë çdo kufiri dhe parametri moral të njerëzimit. Figura eminente, të përfshira drejtpërdrejt ose tërthorazi në këtë botë perversiteti, qeverisin dhe vazhdojnë të vendosin për zgjedhjet, luftërat, gjeopolitikat, investimet globale, politikat ekonomike dhe fatin e botës, vazhdimisht duke imponuar vlerat e tyre shoqërive të tëra.
Ende plotësisht e paqartë mbetet se kush qëndron vërtet pas rrjedhjes së informacionit komprometues. Është e vërtetë se Trump, gjatë fushatës së tij elektorale, me qëllim kalkulues për të përfituar nga një segment i elektoratit, premtoi të hapte dosjet e Epsteinit, të vrasjes së Kenedit dhe të UFO-ve, për t’i anashkaluar më vonë ato të Epsteinit. Nëse synimi i Trumpit dhe i sektorëve të lidhur ngushtë me të, ka qenë të shkatërrojnë përfundimisht armiqtë e tyre të brendshëm dhe të ngrenë një pushtet në Shtetet e Bashkuara që ndryshon fundamentalisht nga tradita dhe rendi kushtetues 250 vjecare. Duke llogaritur përkrahjen e elektoratit që çimenton edhe më shumë pushtetin e ti autoritativ, duket se qëllimi i tij po dështon. Por lehtë mund të jetë edhe e kundërta; një publikim i kontrolluar dhe i censuruar i materialit për të ushtruar presion mbi Trumpin që t’u shërbejë interesave të Demokratëve.
E vërtetë e hidhur, e pamundur për t’u injoruar është se e gjithë kjo mund të jetë pjesë e një plani edhe më të thellë dhe më makabër nga “Shteti i Thellë”, që brenda përfshin si demokratët ashtu edhe republikanët, të brengosur dhe të gatshëm për të “zgjidhur çështjen Epstein” përmes një fushate brutale mediatike të desensibilizimit kolektiv. Duke synuar të “normalizojë” dhe banalizojë në opinionin publik idenë se elita përbëhet nga pedofilë, satanistë dhe kanibalë, por jo si normë, por si përjashtim.
E vërteta që dihej, por mbahej prapa skenave, tani doli në dritë sepse nuk ishte më e dobishme të mbahej e fshehur pas dekadave të tëra. Heshtja kaq e gjatë nuk ishte rezultat i dështimit hetimor, por i një vendimi të nivelit të lartë, ku shtypi heshti, agjencitë përkatëse nuk lëvizën dhe gjykatat qëndruan memece. Sistemi ishte kapur nga elita dhe funksiononte pikërisht siç duhej, gjithçka për të mbrojtur veten.
Demokracitë perëndimore tani përballen me një dilemë që nuk mund të zgjidhet përmes zgjedhjeve, komisioneve parlamentare apo paraqitjeve predikuese plot moralitet dhe vlera të trashëguara. Do të jetë e vështirë të vazhdohet të pranohet autoriteti i institucioneve që në vazhdimësi mbrojtën këtë nivel perversiteti dhe tmerri. Si mund të ruhet respekti për ligjet e zbatuara në mënyrë selektive nga njerëz që jetojnë mbi ato ligje që ata vetë nuk i respektojnë?
Ky degradim shkon përtej të majtëve dhe të djathtëve, liberalëve dhe konservatorëve; është një përplasje midis shoqërive që ende ruajnë njëfarë ndjenje kufijsh moralë e shoqërorë dhe një elite sunduese që sillet dhe vepron sikur të ishte një specie jashtënjerëzore. Me këtë skandal gjigant vjen edhe fundi i naivitetit kolektiv. Do të jetë e paimagjinueshme të pretendohet se sistemi është në krizë, por i rikuperueshëm. Degradimi i sistemit perëndimor ka ardhur nga abuzimi sistematik dhe i paskrupullt i elitave. Ajo çka mund të vijë më pas është ende e paqartë, por bazuar në natyrën dhe qasjen e kësaj elite, do të kundërshtohet me të gjitha mjetet e mundshme dhe të nevojshme që ndryshimi të mos ndodhë, edhe nëse ai imponohet të jetë selektiv, i mbikëqyrur dhe pa pasoja për elitën.
