Nga Lirim Gashi
Më dhemb thellë që njerëzimi nuk po arrin ta kuptojë dot një të vërtetë të thjeshtë, por njëkohësisht vendimtare: se rënia e demokracisë sociale evropiane, apo e kësaj doktrine të drejtë dhe humane të ndërtuar mbi dinjitetin njerëzor, që njihet si socialdemokraci – rezultoi njëkohësisht edhe me shpërbërjen e një bote më të drejtë, më të qëndrueshme, më të lirë, më të barabartë, më solidare dhe më paqësore.
Ajo botë, e mishëruar dhe e ndërtuar nga figura si Willy Brandt, Olof Palme, Clement Attlee dhe Bruno Kreisky, nuk ishte thjesht një model politik – ishte një vizion moral për njerëzimin.
Sot, ndërsa ky vizion është zbehur ndjeshëm, njeriu bashkëkohor endet në një pasiguri të përhershme: më i vetmuar, më i frikësuar dhe më i tensionuar se kurrë më parë, sepse nuk e di më se çfarë i sjell e nesërmja.
Sepse i është rrënuar besimi në rendin botëror që dikur i garantonte shumë më tepër drejtësi, barazi siguri dhe parashikueshmëri.
Socialdemokracia – në formën e saj më të pastër, ashtu siç e kuptonin dhe konceptonin këta gjigantë të historisë – nuk ishte vetëm ideologji, por etikë e solidaritetit.
Pse?
Sepse nënkuptonte barazi reale të mundësive, jo vetëm në letër, duke synuar mirëqenie të barabartë për shumicën, e jo vetëm privilegje të pakufizuara për pakicën e pasur.
Ishte shteti i fortë dhe demokratik evropian që nuk shtypte, por mbështeste, sepse qëndronte pranë atyre që për nga natyra janë ekonomikisht ose psiko-fizikisht më të brishtë.
Ishte solidariteti i sindikatave me punëtorët përballë fuqisë së pakufizuar të kapitalit.
Ishte ndërgjegjja e të pasurve që nuk i harronin të varfrit.
Ishte dora e shtrirë e organizatave humanitare që nuk e linin vetëm njeriun e dobët, të sëmurë apo të pambrojtur.
Në thelb, ishte një marrëveshje e heshtur mes shteteve demokratike dhe mes njerëzve të lirë: që askush të mos lihej anash. Dhe pikërisht kjo marrëveshje sot duket sikur është prishur.
Në kuptimin historik, rënia e këtij modeli nisi me përfundimin e ekuilibrit të vendosur pas Luftës së Dytë Botërore dhe me dobësimin e shtetit social gjatë viteve ’80 të shekullit të kaluar, kur neoliberalizmi e zëvendësoi solidaritetin midis shteteve demokratike dhe midis njerëzve të lirë, me konkurrencën e pamëshirshme të tregut.
Rendi që dikur mbështetej në mësimet tragjike të asaj lufte ra në harresë – bashkë me frikën nga shkatërrimi total që dikur i detyronte shtetet e fuqishme demokratike dhe njerëzit e lirë, të tregoheshin të përmbajtur.
Në kuptimin politik, institucionet u dobësuan, drejtësia u politizua dhe ligji shpesh u shndërrua në instrument pushteti, e jo në mjet drejtësie.
Organizatat e fuqishme botërore si Kombet e Bashkuara shpesh mbetën të paralizuara përballë interesave gjeopolitike, duke krijuar një botë ku krimet mbeten të pandëshkuara.
Në kuptimin filozofik, u lëkund ideja e njeriut si qëllim në vetvete, ashtu siç e formuloi Immanuel Kant. Njeriu u reduktua në mjet – në konsumator, në numër dhe në statistikë.
Me humbjen e kësaj ideje, u zhduk edhe kufiri moral që dikur e frenonte barbarinë.
Në kuptimin ekonomik, pabarazia arriti nivele ekstreme, sepse kapitali u globalizua, ndërsa drejtësia sociale u lokalizua dhe u dobësua.
Pakica e përbërë nga oligarkët, politikanët, bankierët dhe tregtarët e pangopur grumbulloi pasuri të paimagjinueshme, ndërsa shumica jetonte në pasiguri strukturore – duke krijuar terren ideal për konflikte dhe destabilitet.
Në kuptimin psikologjik, frika sot është bërë gjendje shpirtërore kolektive.
Pasiguria ekonomike, mungesa e stabilitetit dhe humbja e besimit në institucione kanë prodhuar individë ankthiozë, të zemëruar dhe lehtësisht të manipulueshëm.
Në kuptimin sociologjik, solidariteti është shpërbërë, sepse shoqëria nuk funksionon më si bashkësi solidare, por si një grup individësh të izoluar që luftojnë për mbijetesë.
Dhe kur zhduket ndjenja solidare e përkatësisë, rritet gatishmëria për konflikt.
Në kuptimin demografik, migrimet masive, plakja e popullsisë në disa rajone dhe rritja e shpejtë në disa të tjera krijojnë tensione të reja, të cilat politika e dobët rajonale dhe globale nuk arrin t’i menaxhojë me drejtësi, barazi dhe mençuri.
Në kuptimin etik dhe moral, është relativizuar dallimi mes së mirës dhe së keqes.
Krimet nuk ndëshkohen më si dikur, sepse shpesh mungon interesi për t’i ndëshkuar.
Në fakt Interesi e ka zëvendësuar ndërgjegjen – dhe kur ndërgjegjja hesht, padrejtësia bëhet normë.
Prandaj, ajo që njerëzimi po e përjeton sot nuk është rastësi. Është pasojë. Pasojë e një tradhtie të heshtur ndaj parimeve që dikur e shpëtuan botën nga vetëshkatërrimi i saj.
