Shkruan: Bedri Halimi
Azem Vllasi ka qenë i njohur për qëndrimet e tij të pandryshuara për ngjarjet e vitit 1981. Kudo ku i është dhënë mundësia që të flasë, ai e ka shfrytëzuar rastin ti përseris qëndrimet e veta. Madje këto qëndrime, i ka paraqitur edhe në një libër të kujtimeve të tij.
Vllasi, nuk merzitet e as turbullohet fare për faktin se historia ju ka dhënë të drejtë ngjarjeve të vitit 1981. Gjithashtu, nuk merzitet që po kjo histori, të gjithë kundërshtarët e ngjarjeve të vitit 1981, i ka sistemuar në ‘plehun’ e historisë.
Po kështu edhe në emisionin e intervistave të Veton Surroit, në tre vazhdime, paraqiten të njëjtat qëndrime përmes evokimeve jo vetëm të Azem Vllasit, duke e shprehur haptas nostalgjinë për Josip Broz Titon.
Të mundohesh për të treguar se pati arritje të mëdha (jashtë realitetit) gjatë kohës kur çdo gjë ishte nën kontrollin e politikës jugosllave e rrjedhimisht gjithsesi edhe e politikës serbe, duke pretenduar se kjo ishte rruga e duhur që do të çonte në prosperitetin e shqiptarëve edhe në aspektin nacional, është antihumane, antihistorike, e rrjedhimisht është joserioze:
Fakt është se disa të arritura janë bërë, e të cilat i pranon edhe Bajram Kosumi, njëri ndër organizatorët e demostratave të vitit 1981, në librin e tij, “Revolucioni 1981”, siç janë pajtimi me çeshtjen e unifikimit të gjuhës letrare shqipe, për të cilën gjë akademik Ali Hadri, pati thënë atë sloganin brilant “një komb – një gjuhë”, e të cilën si slogan e pati marrë edhe Tirana zyrtare e asaj kohe përmes Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Shqipërisë.
Por për çudi, këtë gjë meritore edhe për politikanët e klasës shqiptare politike nën Jugosllavi, Azem Vllasi nuk i jep ndonjë rëndësi të veçantë në këtë emision.
Dhe tjetra, arritja e hapjes së Univerzitetit të Prishtinës.
Të pretendosh në njërën anë për arritje të mëdha, e në anën tjetër edhe vet ta pranosh se ka pasur periudhë të Rankoviqit, si dhe shpërngulje të shqiptarëve në Turqi, prapë nuk shkojnë bashkë, apo jo? Ishte i njëjti shtet, Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë – RSFJ.
Këtë shtet, pra tërë RSFJ-në, e udhëhiqte Josip Broz Tito.
Kjo nënkupton se Tito si në kohë lufte, ashtu edhe në kohën e pas luftës, ka pasur fuqi dhe rrjedhimisht edhe informacione për të gjitha ndodhitë dhe veprimet që bëheshin në shtetin që ai e drejtonte.
Tito në krye të shtetit, i kishte këto funksione:
Tito, konsiderohet si udhëheqës i luftës antifashiste nacional-çlirimtare në tërë Jugosllavinë.
Tito, ishte kryepartiaku i PKJ-së.
Tito, ishte ideatori i të ashtuquajturit vëllazërim-bashkim.
Tito, ishte kryepushtetari i “Jugosllavisë së re”.
Tito, ishte kryekomandanti i përgjithshëm i armatës jugosllave.
Tito, ishte kryetar i Frontit Demokratik të Jugosllavisë.
Tito në cilësinë e komandantit të përgjithshëm, firmosi urdhrin e vendosjes së pushtetit dhe të administratës ushtarake në Kosovë, më 8 shkurt 1945, të cilën e masakroi në kohën kur tashmë asnjë këmbë gjermane fashiste, nuk gjendej në Kosovë.
Tito, ishte ai që e drejtoi AVNOJ-in e parë dhe të dytë, ku nuk u përfaqësua Kosova.
Tito, ishte ai që e mohoi referendumin e Kosovës.
Tito, ishte ai që në cilësinë e kryekomandantit dhe të kryepushtetarit jugosllav, rivendosi piramidat e përgjakura kufitare mes shqiptarëve në dobi të Jugosllavisë, dhe në dëm të kombit shqiptar në përgjithësi, e të pjesës shtetërore shqiptare në veçanti.
Duke i pasur Tito të gjitha këto funksione, në kabinetin e tij të pasluftës bënte pjesë edhe Aleksandër Rakoviqi.
Pra në të ashtuquajturin aksion për mbledhjen e armëve, Tito heshti, nuk mori masa, nuk ndërhyri për ta ndalë dhunën ndaj shqiptarëve.
A mund të thuhet se Tito nuk ka pasur njohuri për këto ngjarje?
Cili ishte roli i politikanëve shqiptarë të asaj kohe me në krye Fadil Hoxhën?
A nuk kishte mundësi Fadil Hoxha ta njoftonte Titon se çfarë po ndodhte në Kosovë?
Ngjarjet e aksionit të Rankoviqit ndodhën në vitet 1956 – 1957.
Ndërsa masat ndaj Rankoviqit u morën në vitin 1966, pra shumë vite më vonë.
Po cilat janë arsyet e marrjes së masave ndaj Rankoviqit në Plenumin e IV të mbajtur në Brione?
Me cilën fjalë, me cilën fjali, Tito e ka thënë se Rankoviqi është larguar për shkak të dhunës së tij ndaj shqiptarëve?
Në cilin libër, në cilën faqe dhe në cilin rresht pohohet një gjë e tillë?
Cila është e vërteta e largimit të Aleksandër Rankoviqt?
Ndaj të gjitha veprimeve antishqiptare në periudhën e pasluftës së dytë botërore, në Kosovë kishte mendime nga disa shqiptarë që Titon ta shfajësonin nga këto veprime makabre antishqiptare. Këto mendime, madje janë tentuar që të futen edhe në kujtesën kolektive të shqiptarëve në Kosovë, dhe jo vetëm në Kosovë. Por, a kishin të drejtë këta njerëz të mendonin kështu?
Në relacion me shqiptarët, që nga shtatori i vitit 1944 e deri në fund të vitit 1945, nën akuzat e “antikomunizmit ekstrem” u ekzekutuan me qindra e mijëra shqiptarë. Zyrtarisht, vetëm në Kosovë u ekzekutuan pa gjyq 17400 shqiptarë.
Dhe për të gjitha këto veprime, nga një pjesë e inteligjencës në Kosovë thuhet se Tito nuk i ka ditur këto ngjarje. Duke pasur parasysh të gjitha postet e përmendura më lart për Titon, si dhe faktin se si funksionojnë institucionet e një shteti monist, është e pamundur që të mos ketë pasur njohuri Tito. Por edhe hipotetikisht po të thuhej se Tito nuk ka ditur çka ka ndodhur me shqiptarët dhe ndaj shqiptarëve nën Jugosllavi, më vonë sigurisht se do të merrte vesh dhe si rrjedhojë do të distancohej nga këto veprime antishqiptare duke i gjykuar, gjë të cilën nuk e bëri kurrë. Kështu për shembull, për të dëshmuar mirënjohjen e tyre për krijimin e Republikës Socialiste të Maqedonisë në kuadër të Federatës Jugosllave, pjesa maqedonase e OZNA-s, ekzekutoi mbi 700 shqiptarë në Kumanovë, 1400 në Shkup, 1200 në Kampin e Monopolit në Tetovë, 800 në Kampin e Gostivarit, 320 në fshatin Zajaz.
Nuk po përmend këtu se cili ishte roli i partizanëve shqiptarë me në krye Fadil Hoxhën kur mbi 8500 shqiptarë u mobilizuan për Frontin e Sremit, nga ku nuk u kthyen as 1%. Por po përmend gjithsesi, se krijimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ndarja e OZNA-s në UDB (Drejtoria e Sigurisë Shtetërore) dhe KOS (Shërbimi i Kundërzbulimit), nuk mund të fshihte krimet e instalimit të komunizmit ndaj shqiptarëve. Në këtë rast, nuk do të përmendim të gjitha krimet e mëvonshme të periudhës së INFORMBYRO-së, por do të kufizohemi vetëm në një vendim që flet vetë si për nga përmbajtja ashtu edhe për nga veprimtaria antishqiptare.
Më 18 shkurt 1953, Jugosllavia ripërtëriu Marrëveshjen e vitit 1938 me Turqinë për shpërnguljen e shqiptarëve. Tito, e ngarkoi Aleksandër Rankoviqin që të krijojë Shtabin Operativ për zbatimin me përpikëri të këtij operacioni. Në krye të këtij Shtabi Operativ ishte vetë Rankoviqi. Pas tij vinin: Kërste Cërvenkovski, Sfetislav Stefanoviq, Millan Bartosh, Leo Grishkovski, Vojkan Llukiq, Marko Vuçkoviq, Pavle Joviçeviq, Petar Stamboliq, Sllobodan Peneziq – Kërcun, Xhoko Pajkoviq, Gojko Medenica, Çedo Mijoviq, Serba Saviq dhe Dushan Mugosha. Dhe, për të përshpejtuar procesin e shpërnguljes së shqiptarëve, në një intervistë dhënë gazetës “Borba”, më 12 prill 1956, Aleksandër Rankoviq në cilësinë e Ministrit të Brendshëm Jugosllav, shpalli publikisht rrezikun që i kanosej sigurisë së shtetit nga ekzistimi i armëve ilegale në duart e shqiptarëve në Kosovë.
Vazhdimi i dhunës ndaj shqiptarëve
Kjo datë, pra 12 prilli 1956, do të shënojë fillimin e asaj që në memorien kolektive të shqiptarëve mbetet si “tragjedia e Aksionit të Armëve”. Brenda një muaji, deri më 12 maj 1956, nën akuzën ndaj shqiptarëve si “kontrabandistë të armëve dhe kriminelë që e destabilizojnë vendin”, u bastisën me mijëra shqiptarë, u arrestuan dhe u torturuan barbarisht me qindra e mijëra familje shqiptare. Dita e përvjetorit të OZNA-s, 13 maji i vitit 1956, u shënua me ‘rezultate’ të mëdha. Para medieve të kontrolluara nga Partia Komuniste Jugosllave dhe para Korit Diplomatik në Beograd, u ekspozuan “armët e konfiskuara” ndaj shqiptarëve! Kështu, gjatë vitit 1956 në Jugosllavinë komuniste të udhëhequr nga Tito, u bë terror shtetëror mbi shqiptarët: 106 vetë u vranë, dhe mbi 10 mijë të tjerë mbetën me pasoja të përjetshme shëndetësore. Ky terror shtetëror kundër shqiptarëve i udhëhequr nga Aleksandër Rankoviq, shkaktoi një klimë të pasigurisë kolektive që pat për efekt shpërnguljet masive të shqiptarëve për Turqi. Duke u mbështetur në të dhënat e dy shërbimeve konzulare (sektorit të pasaportave) jugosllave dhe turke, vërtetohet se në periudhën 1953 – 1966, prej Jugosllavisë në Turqi janë shpërngulur 415, 371 shqiptarë.
Viti Numri i të shpërngulurve
1953 19,300
1954 17,500
1955 51,000
1956 54,000
1957 57,710
1958 41,300
1959 32,000
1960 27,980
1961 31,600
1962 15,910
1963 25,720
1964 21,530
1965 19,821
Rrëfimi i Titos për Kosovën
Në vitin 1966, kur nga ky aparat represiv u rrezikua edhe vetë kreu i shtetit dhe partisë, Josip Broz Tito, shkarkoi Aleksandër Rankoviqin. Përpos shkarkimit nga funksionet shtetërore dhe dënimit deklarativ përmes konkluzioneve të Plenumit të Brioneve, asnjë pasojë nuk patën organizatorët dhe ekzekutorët e këtij terrori shtetëror antishqiptar. As Aleksandër Rankoviqi, as Kërste Cërvenkovski dhe as kriminelët tjerë nuk pësuan asnjë përgjegjësi penale për krimet antishqiptare. Ata vazhduan përmes pasardhësve të tyre që më vonë të aplikonin të njëjtat metoda të dhunës dhe terrorit ndaj shqiptarëve, ku diskriminimi ekonomik, politik dhe social i shqiptarëve dhe dhuna e terrori shtetëror permanent ndaj tyre, krijuan klimën e pasigurisë totale dhe paperspektivës së tyre në trojet e veta etnike.
Nga historiani kroat Vjençesllav Cençiqit, sqarohet shumëçka për qëndrimin e Titos ndaj shqiptarëve, përmes një fjalimi të Josip Broz Titos mbajtur para ushtarakëve në Karagjorgjevë, më 29 dhjetor 1979. Përmes këtij fjalimi, përkatësisht këtij dokumenti, flitet për qëndrimin e Titos edhe kundër Kushtetutës së vitit 1974, ku fillimisht duke bërë fjalë se gjendja në Kosovë ishte e keqe dhe se ai personalisht kishte qenë kundër Kushtetutës së vitit 1974. Titoja decidivisht thotë:
“Kuadrot shqiptare nga Kosova po mendojnë që nëse me Kushtetutën e vitit 1974 kanë fituar më shumë të drejta e pjesërisht edhe shtetësi, ndërsa unë po e theksoj që kam qenë kundër asaj Kushtetute. Mund të kryejnë me vetiniciativë aktivitete shtetërore. Ashtu është e palejueshme që anash Republikës së Serbisë, por edhe federatës, të zhvillojnë biseda shtetërore me Shqipërinë. Ata me vetiniciativë, pa dijeninë tonë, kanë sjellë profesorë nga Shqipëria në fakultete dhe shkolla që të ligjërojnë historinë me programin shqiptar, që të mësojnë fëmijët tanë dhe studentët që Kosova është pjesë e Shqipërisë së Madhe Skënderbegase, që përkohësisht është nën Jugosllavi”.
Këto konkludime, Tito i bënte edhe pse e dinte se udhëheqësia shqiptare e Kosovës e asaj periudhe nuk ishte aq e fortë, sa që, edhe sikur të ketë tentuar për të punuar kokë me vete, me vetiniciativë, këto veprime kur të donte Titoja do t’ua ndalonte. Në këtë drejtim, për ta treguar fytyrën e vet antishqiptare, Titoja në fjalën e tij, tërë kohën akuzon Kardelin dhe Bakariqin si arkitektët e asaj kushtetute dhe të atij decentralizimi komplotist, i cili autonominë e Kosovës e konsideron si shkaktarin e krizës së mundshme të shtetit federal, për çka thotë se duhet të mbajnë përgjegjësi ata që e kanë përkrahur Kushtetutën e vitit 1974. Qëndrimin e prerë të Titos kundër autonomisë së Kosovës, që u ofrua me Kushtetutën e vitit 1974, Titoja në këtë dokument e përforcon edhe me këto fjalë: “Me rastin e miratimit të Kushtetutës, i kam thënë Bevcit (Eduard Kardelit) dhe Vlladës (Vlladimir Bakariqit) po edhe tërë komisionit kushtetues, ku më mbivotuan Kardeli dhe bashkëmendimtarët e tij, që për 3 deri në 4 vjet unë do t’i demantoj dhe do të dëshmoj që kam pasur të drejtë. Që kam pasur të drejtë, e tregon edhe kjo gjendje në Kosovë, por edhe në gjithë vendin”.
Gjatë kësaj periudhe kohore, kundër Kosovës, kaq kategorik nuk kanë qenë as drejtuesit politikë të Serbisë së asaj kohe, meqë në vitet 70 në sekenën politike serbe apo në fuqi ishin të ashtuquajturit “liberalët serbë” në krye me Marko Nikeziqin, dhe me intelektualen e njohur, Llatinka Peroviqin.
Cilat ishin raportet e Titos me Rankoviqin?
Më tej në dokumentin e cituar, Tito e vajton rënien e Rankoviqit duke u betuar se ka qenë kundër dënimit të tij. Dënimi i Rankoviqit, sipas Titos, erdhi nga komploti i Edvard Kardelit. Ndërsa, ndër shqiptarët e Kosovës ka vepruar miti sipas të cilit, Titoja e pat rrëzuar Rankoviqin “për shkak të zullumit ndaj shqiptarëve”. Kjo aspak nuk është e vërtetë (në stenogramet e Plenumit të IV të Brioneve, të botuara në mediet serbe, askund nuk përmendet zullumi ndaj shqiptarëve dhe as që përmenden fare shqiptarët). Prandaj, miti për rolin gjoja proshqiptar të Titos në Plenumin e IV të Brioneve, është vetëm një gënjeshtër e kulluar. Si duket kjo mendësi në formë miti ka qenë e prodhuar nga shërbimet sekrete ushtarake, për ta glorifikuar figurën e Titos ndër shqiptarët e painformuar, i cili mendim fatkeqësisht ka pasur shumë sukses, duke menduar se vërtet Titoja e ka hequr Rankoviqin për shkak të zullumit të tij ndaj shqiptarëve.
Paralajmërimi i provokimit të kryengritjes shqiptare në Kosovë
Gjithashtu, në një pjesë të fjalës së tij para ushtarakëve në Karagjorgjevë, Titoja thotë se në Kosovë po ndërtohen objekte luksoze me “pullaze nga argjendi” dhe, kërkon të hapen hetime për këtë gjë. Natyrisht as ky pretendim nuk ishte i vërtetë, por me këto konstruksione të Titos, dëshmohet se edhe përkundër faktit që Kosova ishte vendi më i pazhvilluar ekonomik në Jugosllavi, ai nuk brengoset fare për parullën aq shumë të proklamuar të bashkim-vëllazërimit e të barazisë mes kombeve e të kombësive. Duke e ditur realitetin e pabarazisë praktike të shqiptarëve në Jugosllavi, Tito në këtë fjalim paralajmëron edhe për rrezikun e kryengritjes shqiptare. Prandaj, thekson: “Ne dimë pak për aktivitetet e emigracionit shqiptar, por shikoni shokë, ai emigracion po mbledh ‘taksë’ për shkollimin e shqiptarëve, që do të komandojnë atë që paralajmërohet shpesh: ‘kryengritjen popullore’ në Kosovë”. Kjo dëshmon se Tito, para së gjithash ishte vetëm një kukull në duart e lobit serb të armatës jugosllave të dirigjuar nga Nikolla Lubiqiqi, i cili më vonë do të luante rol shumë të fuqishëm edhe në ngritjen e Sllobodan Millosheviqit në pushtet.
Shumë politikanë, historianë e shkrimtarë në Kosovë, gjatë asaj kohe kanë shkruar himne e ode për Titon, qoftë pa u thelluar shumë në realitetin ekzistues, qoftë me porosi të instrumenteve shtetërore, apo edhe nga vetmjaftueshmëria e tyre, duke qenë të privilegjuar në shoqërinë shqiptare brenda shtetit jugosllav.
Por historianët e ri nuk do të shkojnë gjurmëve të disa pleqve, të cilët shërbenin si instrumente dekoruese gjatë Jugosllavisë moniste. Ata nuk kanë as nevojë e as arsye ta varrosin e as ta instrumentalizojnë karrierën e tyre shkencore për interesa të askujt, e aq më pak për interesa të përfitimeve të disa ‘pleqve’ të Kosovës.
Për kë ishin të panevojshme ngjarjet e vitit 1981?
Pas rënies së komunizmit dhe pas largimit të oligarkisë politike të Kosovës nga skena politike, madje edhe pas burgosjes së ndonjërit prej tyre, këta edhe më tej, nuk e ndërruan qëndrimin për ngjarjet e vitit 1981, por i ndërruan arsyetimet e qëndrimeve të tyre. Kështu, derisa ishin në pushtet, ngjarjet e ’81-shit për ta, doemos se ishin “kundërrevolucionare e armiqësore…”, kurse pas rënies nga pushteti, ato ngjarje për ta, na ishin të panevojshme, sepse vetë ata, me politikën e tyre, e paskan pasur mendjen që ta realizojnë çeshtjen e republikës!
Ngjashmëritë e rastit apo të qëllimshme?
Në një intervistë të bërë nga Baton Haxhiu me Mihailo Markoviqin – ideologun e PSS (siç e thekson edhe vetë), e cila është botuar në revistën “KOHA”, nr. 54/95, 29 mars 1995, f.13, në këtë intervistë, Mihailo Markoviq pos tjerash thotë: ”Udhëheqësit shqiptarë të cilët organizuan demonstratat e vitit 1981 bënë gabim të madh historik….Padurueshmëria dhe mendjelehtësia e liderëve tuaj, e shprehur më 1981, shkaktoi humbjen e asaj që deri atëherë e patët”.
Pra të njëjtat qëndrime, të Mihailo Markoviqit, i jep në vazhdimësi, madje pas kaq vitesh edhe Azem Vllasi, si dhe Jusuf Buxhovi, në romanin e tij “Dosja B”. Ngjashmëria po shihet, po cili është dallimi mes qëndrimit për ngjarjet e vitit 1981 mes akademikut serb Mihailo Markoviqit dhe Azem Vllasit, Jusuf Buxhovit, Baton Haxhiut?
Ish-ministri i Punëve të Brendshme dhe politikanët e Kosovës?
Sa i përket asaj që mund t’i ketë organizuar ndonjë shërbim i huaj (siç pretendohet nga Buxhovi, për Sigurimin e Shqipërisë, apo Mahmut Bakalli për shërbimin bullgar), Mustafë Sefedini, ish-Ministër i Sekretariatit për Punë të Brendshme të Kosovës, që ishte pikërisht atë kohë në këtë detyrë, thotë se, “as Shqipëria dhe as ndonjë shërbim tjetër informativ nuk kanë pasur dorë në këto ngjarje”. Revista “KOHA”, nr. 99, 13 mars 1996, f .9.
Ndërkaq, dihen qëndrimet e Azem Vllasit për demostratat e vitit 1981, gjatë kohës sa ishte në pushtet. Por edhe pas rënjes së komunizmit, madje edhe pas burgosjes që i bëri Millosheviqi, në një shkrim të tij me titull: “’81-shi shumëdimensional”, Azem Vllasi e jep edhe këtë gjykim: “Konkretisht, për demostratat e vitit ’81, udhëheqja politike e Kosovës (shqiptarët) dhe tërë politika zyrtare, ishte unike në mendimin se ato, as si mënyrë e veprimit e as sipas rrethanave politike të atëhershme dhe kohës kur ndodhen, nuk ishin fare të qëlluara…”. Revista “KOHA” nr. 102, 3 prill 1996, f. 22. A nuk e kishte thënë të njëjtën gjë edhe Mihallo Markoviq madje në vitin 1995 po në revistën “KOHA”?
Po në këtë vazhdë është edhe teoria e supozimeve të Mahmut Bakallit…, i cili në Kosovë ndonëse njihej si më i afti në hierarkinë politike komuniste, (ndër përfaqësuesit shqiptarë) megjithatë pas luftës së Kosovës, nuk arriti të jap as arsyetmin më të vogël për pozitën e shqiptarëve në sferën e arsimit në kohën e Millosheviqit, (me rastin e dëshmisë së tij në gjyq kundër Millosheviqit, ku doli i turpëruar). Kështu del, kur njeriu është peng, dhe bishtin e ka të zënë me derë.
Atëherë, përderisa njeriu kyç i asaj kohe, në pozitën kyçe, (Mustafa Sefedini), thotë se nuk ka pasur informacione çfarë tash i mbllaqit Jusuf Buxhovi, Azem Vllasi e ndonjë tjetër, rrjedhimisht shtrohet pyetja: kush ka pasur informacione më shumë atëbotë: ata që kanë qenë në pozitat kyçe apo analistët e sotëm? Nëse ndonjë analist tallava, apo edhe historian tallava, “ka informacione tjera”: atëherë lind pyetja nga i siguruan ato informacione, përpos nëse këta njerëz, e kanë pasur benificionin e të qenit në laboratorin e prodhimit të informatave të tilla, përderisa ata të “laboratorit” të grumbullimit të informatave, thonë qartë, se nuk kanë pasur informata të tilla.
Cili ishte defekti i autonomisë së Kosovës të vitit 1974?
Bajram Kosumi në librin e tij studimor «Revolucioni 1981», duke folur për Autonominë e vitit 1974 thekson: «Autonomia ka qenë një ornament i triumfalizmit! Kushtetuta e vitit 1974 u ka dhënë kompetenca më të mëdha krahinave, duke i bërë edhe elemente konstituive të Federatës Jugosllave dhe kjo padyshim ka «dëmtuar interesin e Serbisë» në Federatë, sipas interpretimit serb. Por, kjo kushtetutë asgjë nuk ka ndryshuar në përcaktimin e statusit të krahinave në aspektin shtetëror dhe në aspektin territorial: krahinat nuk kanë qenë republika, pra nuk e kanë pasur të drejtën e territorit e as të shkëputjes. Në çfarëdo situate të ndryshimit të sistemit federativ në Jugosllavi, krahinat do të mbeteshin pjesë të Serbisë dhe dy, territori i krahinave, po sipas kësaj Kushetute 1974 i takon shtetit të Serbisë. Kjo është pika e zezë të cilën e ka heshtur klasa politike zyrtare. Kjo është pikë e zezë, për të cilën Lëvizja e fshehtë patriotike e ka parë autonominë e Kosovës vetëm si një hap drejt një zgjidhje tjetër, më të favorshme, Republika e Kosovës. Kjo është pika themelore ndarëse midis këtyre dy klasave politike.
Fakti i parë që dëshmon kundër vizionit të klasës politike të Kosovës, se autonomia është një status triumfal, është mënyra e krijimit të kësaj autonomie: ajo është krijuar nga Tito, për ta heshtur pak nacionalizmin serb, mbas eliminimit politik të Aleksandër Rankoviqit, për të ndërtuar në ekonomi të tipit partikular, të përshtatur për republikat e zhvilluara, sidomos për Kroacinë e Slloveninë, të cilën Serbia nuk e pranonte. Prandaj Titos dhe grupit të tij i duhej një zgjidhje për të kufizuar ndikimin e Serbisë në Federatën Jugosllave dhe ky çelës ishte autonomia e Kosovës dhe e Vojvodinës.
Por Tito nuk do të shkonte asnjëherë deri në fund me nacionalizmin serb: nuk ja hoqi Serbisë sovranitetin dhe integritetin territorial mbi dy krahinat…
Fakti i dytë ka të bëjë me rrënimin e autonomisë së Kosovës. Kur u sulmua autonomia e Kosovës dhe klasa politike nuk mundi ta mbrojë në asnjë rrethanë, është dëshmia më e fortë se kjo autonomi ka qenë ornament i triumfalizmit, një dekoratë në gjoksin e madh të udhëheqësve politikë të Kosovës, për t’u lavdëruar para popullit shqiptar dhe një vulë e kësaj klase për ta ulur kokën para estabilishmentit në Beograd».
Vet Azem Vllasi e pranon se: «Atë pasdite, më 26 mars 1981, pas ndërhyrjes së Policisë Federative udhëheqja e Kosovës faktikisht humbi kontrollin mbi zhvillimet e metejshme, jo vetëm mbi zhvillimet momentale, por edhe mbi zhvillimet e mëvonshme të situatës politike» (Azem Vllasi: Kosova: fillimi që nuk harrohet, Prishtinë, 2017, faqe 271).
Dhe Bajram Kosumi me të drejtë pastaj konkludon: «D.m.th. ka mjaftuar një intervenim i milicisë federative kundër demonstruesve në Prishtinë që ta heq prej skenës politike jo vetëm të atyre ditëve, por nga gjithë skena politike, klasën zyrtare politike të Kosovës. Ky është rezultati i Kushtetutës 1974»!
Kushtetuta e vitit 1974 e mbante Kosovën të varrosur në sovranitetin territorial të Kushtetutës së Serbisë. Në rast se Federata Jugosllave do të shpërbëhej, territori i Kosovës në aspektin kushtetues i takonte Serbisë, sipas kësaj kushtetute të adhuruar prej klasës së politikës zyrtare, çka edhe ndodhi më vonë, pas shpërbërjes së RSFJ-së dhe formimit të bashkësisë shtetërore Serbi – Mal i Zi.
Garancinë për të vendosur vet për fatin e saj Kosova e fitonte vetëm me arritjen e statusit të republikës. Ky qëllim i dytë doli sheshit shumë shpejt, në Raportin e Komisionit të Badinderit, në të cilën republikave Jugosllave ju njoh e drejta e shkëputjes, por jo edhe Krahinave Autonome.(Bajram Kosumi: Revolucioni 1981, Prishtinë, faqe 214).
Pse i ikin të gjithë temës së moszhvillimit ekonomik të Kosovës, që ishte faktori kryesor për shpërthimin e revoltës popullore më 1981?
Edhe përkundër faktit se Kosova ishte e pasur, me minerale të shumta, toka pjellore shumë të përshtatshme për bujqësi si edhe një popullsi aktive për punë, prapëseprapë, Kosova si edhe viset me popullsi shqiptare në Maqedoni, në Serbi dhe në Mal të Zi ishin krahinat më të prapambetura në ish Jugosllavi. Kjo prapambetje është rrjedhim i politikës diskriminuese që është ndjekur ndaj këtyre trevave.
Pasuritë minerale të Kosovës janë veçanërisht të rëndësishme. Rezervat e qymyrit linjit, arrinin në rreth 12 miliardë tonë dhe përbënin 68,8 % të të gjitha rezervave të këtij lloji në Jugosllavi. Në Kosovë gjendeshin 30 % të rezervave energjetike të Jugosllavisë, 22,3 % të rezervave të nikelit, 52 % të rezervave të plumbit dhe të zinkut, 51,8 % të rezervave të magnezit.
Gjithashtu në sasi të konsiderueshme janë kromi, argjendi, boksidet, mangani, hekuri, antimoni, zhiva, bakri e kallaji. Nuk mungojnë as mineralet e rralla si kobalti, indiumi, kadmiumi, germaniumi etj., pa folur më tej për metaloidet, ndër të cilat numërohen mbi 20 lloje me vlera të mëdha industriale (I. Gusia, Burimet natyrore si faktor i zhvillimit ekonomik të KSA të Kosovës, Prishtinë, 1982, f. 73-74; Shih edhe “Rilindja”, Prishtinë, 14 shkurt 1988, f. 6).
Megjithëse disponon pasuri kaq të mëdha minerale dhe energjetike, që përbëjnë 10 % të gjithë pasurive natyrore të Jugosllavisë, (ndonëse zë vetëm 4,2 % të sipërfaqes së saj) dhe si pasojë kushte shumë të favorshme për zhvillimin mbi këtë bazë të industrisë dhe të bujqësisë, Kosova ishte gjithnjë rajoni më i prapambetur i Jugosllavisë (Vjetari Statistikor i KSA të Kosovës 1985, Prishtinë, 1985, f. 82).
Sikurse shihet Kosova përdorej kryesisht si një burim për furnizimin e viseve të tjera të Jugosllavisë me lëndë të para të përpunuara ose pjesërisht të përpunuara, me energji elektrike bile edhe me fuqi punëtore të lirë. Në të njëjtën kohë ajo ishte kthyer në një treg të leverdishëm për shitjen e mallrave të gatshme industriale të republikave më të zhvilluara.
Prapambetja dhe struktura ekonomike e pavolitshme e Kosovës kushtëzohet jo vetëm nga gjendja e trashëguar, sikurse pohonin në Beograd, por kryesorja ishte politika e interesave të ngushta të kapitalit të madh që ndodhej kryesisht në republikat e zhvilluara jugosllave, të cilat bënin investime në sektorët që nuk i leverdisnin ekonomisë kosovare.
Në këtë mënyrë nga një nivel i produktit shoqëror dhe i të ardhurave kombëtare për frymë 2 herë më i ulët se mesatarja jugosllave në periudhën e pasluftës dytë, Kosova ra në vitet e fundit të viteve 70-ta në një nivel 4 herë më të ulët. Gjatë të njëjtës periudhë 40 vjeçare Kosova, e cila në vitet e para të pasluftës ishte në produktin shoqëror dhe në të ardhurat kombëtare për frymë në nivel të njëjtë me atë të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe të Bosnjë Hercegovinës, ra në një nivel 2,5 herë më të ulët në krahasim me këto republika. Kurse në krahasim me republikën më të zhvilluar, të Sllovenisë kjo diferencë u thellua, nga 3,3 herë në vitin 1947, në 7,5 herë në vitin 1981 (E. Reuter, Die Albaner in Jugoslaëien, München, 1982, f. 57; “Rilindja”, Prishtinë, 1-2 maj 1987, f. 8; Po aty, 8 nëntor 1987, f. 7).
Atëbotë gjatë 15 viteve të fundit, deri më 1981, premtimet zyrtare që ishin dhënë për të penguar këtë tendencë duke rritur produktin shoqëror të Kosovës me një ritëm vjetor 60 % më të lartë se mesatarja e Jugosllavisë, kurrë nuk u realizuan. Përkundrazi ritmi ka qenë 50 % më i ulët se kjo mesatare. Pra prirja e zhvillimit të ekonomisë kosovare shkonte në të kundërtën e parashikimeve të bëra. Rrjedhimisht dallimet dhe prapambetja e Kosovës në krahasim me ekonomitë e republikave jugosllave dhe të Krahinës së Vojvodinës shkonin duke u thelluar (Kosovo – Past and Present, Belgrade, 1989, f. 183-189, 190-196).
Përcaktuese për prapambetjen e Kosovës ishte në radhë të parë, politika e investimeve, nëpërmjet së cilës realizohet shfrytëzimi i saj ekonomik. Degët bazike kanë thithur gjithnjë mjetet kryesore të investimeve, që nga ana e tyre asnjëherë s’kanë qenë të mjaftueshme.
Deri në gjysmën e dytë të viteve 50 investimet në ekonominë e Kosovës pothuajse munguan, kurse më pas u përdor sistemi i kreditimit në vend të financimit buxhetor. Në këtë mënyrë deri nga mesi i viteve 60 Kosova ndërtoi me mjete pa detyrim kthimi vetëm 8 % të objekteve të saj ekonomike ndërkohë që në viset e tjera me këtë mënyrë u ngritën 27 % e objekteve (T. Abdyli, Zhvillimi i industrisë në Kosovë, Prishtinë, 1978, f. 75).
Me gjithë parashikimet që bëheshin, në Kosovë nuk realizohen asnjëherë fondet e caktuara për investime. Nga shuma prej 94 miliardë dinarësh, e caktuar për investime në pesëvjeçarin 1975-1980 u realizuan vetëm 51 miliardë e 220 milionë dinarë, domethënë rreth 56 % e tyre.
Struktura e shpërndarjes së investimeve kishte mbetur e pandryshuar. As kur Kosovës iu njoh statusi i rajonit më të pazhvilluar të Jugosllavisë dhe iu premtuan si kurrë më parë investime të shumta në degët rentabile të industrisë përpunuese, gjendja nuk ndryshoi. Në këtë periudhë, Kosova mori mjete jo vetëm shuma më të pakta nga sa iu premtuan, por edhe rreth 16 % më të pakta se në pesëvjeçarin e mëparshëm (“Rilindja”, Prishtinë, 13 shkurt 1988, f. 7; Po aty, 14 shkurt 1988, f. 6).
Edhe gjatë viteve 1970 e më tej, ekonomia kosovare ka qenë në gjendje të përballojë me mjetet e veta financiare vetëm 5-10 % të investimeve, tregues ky disa herë më i ulët se mesatarja jugosllave. Në këtë mënyrë ekonomia kosovare ishte vënë në një gjendje krejtësisht të varur nga Serbia e Federata dhe ishte e zhytur në borxhe (Po aty, 8 tetor 1981, Tri nga Kosova).
Për çdo 100 dinarë të investuar ajo duhet të ndajë 97 dinarë për shlyerjen e borxheve, një e treta e të cilave ishin thjesht kamata (Po aty, 12 mars 1988, f. 7; Po aty, 12 prill 1988, f. 6).
Në këto kushte edhe ata shqiptarë që punonin, mund të siguronin në përgjithësi vetëm një nivel jetese shumë të ulët për familjet e tyre.
Përveç kësaj, të ardhurat personale që nga 1979 po pakësoheshin vazhdimisht, 5-6 % në vit dhe ndodheshin në nivelin e para 20 vjetëve (Po aty, 4 prill 1987, f. 7; Po aty, 1 shkurt 1988, f. 7; Po aty, 6 shkurt 1988, f. 7-8; Po aty, 21 shkurt 1988, f. 6; Po aty, 8 mars 1988, f. 7; Po aty, 14 maj 1988, f. 6; TANJUG, Beograd, 17 janar 1989).
Prapambetja ekonomike e Kosovës, në raport me vendet tjera jugosllave, shfrytëzimi i Kosovës si koloni dhe sidomos rritje e hendekut të zhvillimit midis shqiptarëve dhe kombeve të tjera në Jugosllavi në periudhën 1945 – 1981 është një prej faktorëve kryesorë që ka nxitur demonstratat. (Bajram Kosumi: Revolucioni 1981, Prishtinë, faqe 218).
Të gjitha këto që u thanë, dhe shumë të tjera që duhet thënë, tregojnë qartë pozitën e pafavorshme e shqiptarëve nën Jugosllavi, ku duhet potencuar dhe shtypja e egër që u bëhej përmes formave të ndryshme të represionit, detyrimit për shpërngulje për Turqi, ndalimit të shkollimit në gjuhën shqipe pas luftes së dytë, censurës së pamëshirshme të kulturës kombëtare, etj., paraqesin pasqyrën e qartë të pabarazisë së shqiptarëve në Jugosllavi.
Kështu që në pranverën e vitit 1981 u shqye përfundimisht maska e gënjeshtrave mashtruese mbi parajsën e socializmit vetëqeverisës dhe Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë.
Kësi soji djemtë dhe vajzat më të guximshme të Kosovës e jashtë saj, u organizuan në radhët e lëvizjes ilegale, të cilët ua sqaronin këtij populli gjendjen e rëndë dhe pabarazinë e madhe në të cilën ishte katandisur Kosova, duke u shfrytëzuar resurset e saja natyrore e njerëzore.
Dhe më 11 mars të vitit 1981 situata shpërtheu. Ishte kjo lëvizja e parë politike në Evropën Lindore e cila së bashku me Solidarnostin polak, që ja hoqën maskën e barazisë së vëllazërim bashkimit, e cila ishte vetëm një parullë boshe për tu hedhur hi syve të popullit, për bashkëjetesë të dhunshme nën shfrytëzim.
Atëbotë, këto ngjarje masës ju servuan si shprehje e revoltës së studentëve për kushte më të mira. Pushteti i atëhershëm komunist, u mundua ta fshehte gjendjen reale në të cilën ndodheshin shqiptarët nën Jugosllavi. Mu atëherë, kur pushteti titist, kishte menduar se ja kishte arritur qëllimit për ta mashtruar sërish popullin, më 25 mars të vitit 1981 në Prizren shpërthyen demonstratat, ku në këtë rast doli pikërisht rinia e Prizrenit, ku kryesisht mbizotëronin studentët e SHLP-së “Xhevdet Doda”, si dhe nxënës të shkollave të mesme, ku dalloheshin në këtë drejtim shkolla e mesme teknike “Gani Qavdërbasha” dhe gjimnazi që atëherë quhej “Jovanka Radivojeviq – Kica”. Në këtë rast, jo vetëm që ju dha përkrahje ngjarjeve të 11 marsit, por atyre ju dhanë edhe konotacion të qartë politik, sepse nga studentët dhe nxënësit përpos kërkesave të karakterit social, kishte edhe kërkesa të karakterit politik si: “duam barazi”, “kushtetutë”, “Kosova Republikë” etj. Natyrisht se pushteti i atëhershëm u alarmua dhe reagoi egërsisht menjëherë me polici, të cilët rrahën e arrestuan shumë të rinj shqiptarë, shumë nga të cilët më vonë do të dënoheshin me vite të tëra burgu.
Demonstratat e Prizrenit të 25 marsit të vitit 1981, janë të rëndësishme, sepse jo vetëm që masën e madhe të njerëzve që kishin dalë atë të mërkurë në Pazar (dhe po vështronte e hutuar), por edhe të tjerët që nuk ishin aty, i bënë që të mendojnë politikisht.
Këto ngjarje janë të rëndësishme edhe për faktin se i dhanë kurajë studentëve të Universitetit të Prishtinës, të cilët të nesërmen më 26 mars, ditën kur po vinte stafeta e Titos – që proklamohej si simbol i bashkim vëllazërimit, e që për shqiptarët në fakt ishte simbol i mashtrimit, (të cilëve tentohej tu paraqitej deri në nivelin e besëtytnisë), studentët e festuan me demonstrata të fuqishme të cilëve ju bashkuan edhe punëtorët dhe popullata e gjerë.
Ngjarjet e vitit 1981 padyshim se nuk janë fillimi i rezistencës shqiptare, por gjithsesi janë ngjarjet që paraqesin formën më të artikuluar të rezistencës shqiptare pas luftës së dytë botërore deri në atë kohë, duke ja trandur kështu themelet e Jugosllavisë së atëhershme.
Në këto ngjarje më e papërgatitura ishte inteligjenca e Kosovës, prandaj edhe nuk u hodh në mbrojtje të kërkesave të drejta të studentëve dhe të punëtorëve. Burokracia politike e Kosovës e ndikuar nga kërcënimi i shovinizmit dhe hegjemonisë serbe, u hodh në gjykim të ashpër të këtyre ngjarjeve duke i cilësuar ato njëjtë, ashtu siç i cilësonte politika antishqiptare jugosllave e kohës, si nacionaliste, separatiste, irredentiste, armiqësore, të drejtuara kundër sistemit socialist vetëqeverisës jugosllav, e për minimin e pushtetit politik të klasës punëtore, për prishjen e bashkim vëllazërimit, etj.
Kësi soji ngjarjet e vitit 1981, ishin burim frymëzimi edhe për ngjarjet e mëvonshme të vitit 1989 e deri te pranvera e vitit 1998.
Muaji mars për shqiptarët, nuk është vetëm muaji i fillimit të pranverës. Marsi është muaji i fillimit të shpresave shqiptare, i rezistencës, për liri.
Në marsin e vitit 1981, u tranden themelet e të ashtuquajturës Jugosllavi.
Në marsin e vitit 1989, u derdh lumë gjaku në mbrojtje të asaj autonomie që e kishte Kosova, e cila edhe aq sa ishte dhe e tillë çfarë ishte e përgjysmuar, ju muar shqiptarëve me tanksa.
Kurse në marsin e vitit 1998, Adem Jashari me UÇK-në, përfundimisht me rënien e vet në altarin e lirisë, e ndërpreu procesin e vdekjes së heshtur të Kosovës.
Lidhur me kërkesën për Republikën e Kosovës
Azem Vllasi thotë se paskan kërkuar Republikë te Titua. Ndërkaq Sonja Biserko thotë:
“Shqiptarët reaguan negativisht në kontestimin e pozitës së krahinave në federatë. Fadil Hoxha, përfaqësuesi i Kosovës në Byronë Ekzekutive të Kryesisë së LKJ, thekson se: askush nuk ka kërkuar që Kosova të jetë Republikë, e as të jetë jashtë Serbisë”. (Kovanje antijugoslovenske zavere, Knjiga I…Sonja Biserko, Beograd, 2006, fq. 17).
Elita serbe, më drejt estabilishmenti serb, në asnjë rast, gjatë shekullit XX, përveç një kohe të shkurtër dy – tri vjeçare, nese mund të mbështetemi te pohimi i Sonja Biserkos: se liberalët serbë, në krye me Marko Nikeziqin e Latinka Peroviqin ishin në gjendje të pranonin statusin e republikës për Kosovën në Federatën Jugosllave, sepse ishin të bindur që rryma politike për shkëputje të Kosovës jashtë Jugosllavisë, ishte mjaft e fortë, prandaj duhej bërë një zgjidhje parandaluese. (Po aty, fq. 10-13).
Sa i përket mendimit se ngjarjet e vitit 1981, u bënë shkas për të marr hov unitarizmi serb kundër Kosovës, Sonja Biserko thotë: “Koha do të tregoj se çfarë kuptimi dhe roli pati ky grup i profesorëve të Fakultetit Juridik, jo vetëm në kundërshtimin e karakterit federal të Jugosllavisë, por edhe në formulimin e qëllimeve të revolucionit antiburokratik të vitit 1989, i cili e shtyri Jugosllavinë në luftë të përgjakshme”.
Kurse Bajram Kosumi shton: “Për politikën unitariste serbe Kosova është shkas dhe mit i shpërdorur dhe jo qëllimi final. Sigurisht “qëllimi final” i serbëve do të ndodhte më lehtë pa Revolucionin 1981. Ndodhi e kundërta: Revolucioni 1981 u shërbeu shqiptarëve, po edhe të tjerëve, si sllovenëve, kroatëve, muslimanëve dhe më vonë edhe malazezëve për vetdijesim nga rreziku i unitarizmit serb dhe për përgaditje për luftën që po dukej në skenën jugosllave”.
(Bajram Kosumi: Revolucioni 1981, Prishtinë, faqe 372).
Shtypi përendimor në përkrahje të ngjarjeve të vitit 1981
Gazetat e mëdha si: “Frankfurter Allegemeine Zeitung” e Frakfurtit; ”Die Welt” e Berlinit; “Suddetutsche Zeitung” e Mynihut e shumë tjera, ju dhanë publicitet duke i përkrahur ngjarjet e vitit 1981.
Në Austri gazetat e mëdha si: “Kurier” dhe “Neue Kronen Zeitung”. Shumë shkrime në shtypin amerikan si “New York Times” etj.
Vlen të theksohet se asnjë gazetë e BRSS nuk i ka përkrahur demostratat e vitit 1981. Përkundrazi i kanë quajtur kontrarevolucion, ashtu siç i kanë quajtur edhe protestat e Solidarnostit në Poloni si kundërrevolucionare (Bajram Kosumi: Revolucioni 1981, Prishtinë, faqe 501.
Në raportin nr. 47 të Drejtorisë II, sektori i Evropës Perensimore të MPJ të Shqipërisë me titull “Mbi reagimet e SHBA dhe të disa vendeve perendimore ndaj ngjarjeve të fundit në Kosovë”, të datës 26 qershor 1981, nënshkruar nga ambasadori Nesip Kaçi, jepet një përmbledhje e reagimit të SHBA dhe të disa vendeve perendimore për demonstratat e Kosovës ku thuhet pos tjerash se “perendimi në përgjithësi i kundërvihet qeverisë jugosllave lidhur me problemet themelore që kanë të bëjnë me ngjarjet në Kosovë:
– Nuk pranon versionin jugosllav që i mohon Kosovës të drejtën e ligjshme për të fituar statusin e një republike në kuadrin e federatës me pretekstin se kjo do të qonte në prishjen e kësaj të fundit.
– Hedh poshtë pretendimet e autoriteteve jugosllave se në ngjarjet e Kosovës ka dorë Shqipëria.
– Ve në dukje se shqiptarët e Kosovës janë diskriminuar vazhdimisht dhe u janë mohuar të drejtat e tyre politike e demokratike dhe se kërkesa e tyre kryesore ka qenë gjithnjë shpallja e Kosovës republikë më vete.
– Kritikon faktin se krahina e Kosovës është lënë pas dore për sa i përket zhvillimit të saj ekonomik.
– Vë në dukje se pakënaqësia më e madhe në Kosovë është ajo kombëtare, që ka qenë me të vërtetë kërkesa kryesore në të gjitha revoltat dhe demonstratat e popullit kosovar, së cilës i shtohen kërkesat ekonomike, që së bashku përbëjnë një kombinim shumë të fuqishëm të revoltave kombëtare, ekonomike dhe shoqërore…. (Disa citate nga S.Syla: Dokumente diplomatike të Qeverisë Shqiptare për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë).
Pjesë nga shkrimet e Ukshin Hotit për ngjarjet e vitit 1981
Pushteti komunist jugosllav e cilësonte politikisht këtë proces si një rikthim prapa, por e vërteta ishte se ky proces po niste një revolucion nacional dhe demokratik, sepse rrënimi i socializmit jugosllav dhe rrënimi i politikave jugosllave të shtypjes dhe shpërfytyrimit të shqiptarëve në Jugosllavi nuk ishte ‘kthim prapa’ (pra kundërrevolucion), por progres drejtë lirisë nacionale dhe politike, pra revolucion. (Ukshin Hoti: Filozofia politike e çeshtjes shqiptare, Prishtinë, artikulli “Viti ’81 dhe proceset e demokracisë”).
Duket se viti 1981 është nyja, zbërthimi i së cilës, e mundëson lëvizjen e drejtë të gjërave dhe të proceseve. (Filozofia politike e çeshtjes shqiptare, Prishtinë, 1997).
“Demostratat e vitit 1981 e kishin shndërruar individin në qytetar aktiv, i gatshëm për tu vënë në ballë të shoqërisë në lëvizje, në kërkim të progresit shoqëror dhe lirisë” (Po aty).
Madje sipas Ukshin Hotit, viti 1981 është çelësi i shpjegimit të proceseve të mëvonshme demokratike, jo vetëm të shqiptarëve, po të të gjithë popujve (të bllokut socialist) qësynojnë një Evropë demokratike.
Disa nga “xhevahiret” e deklarimeve të përsonaliteteve politike shqiptare në Kosovë, të cilat i ka demantuar koha, historia…
Azem Vllasi:
Duke folur për ngjarjet e vitit 1981, Azem Vllasi thotë, se “Në fakt, në Kosovë ndodhi një ‘përpjekje për revolucion marksist – leninist’. (Azem Vllasi: Kosova, fillimi që nuk harrohet, Prishtinë, 2017, faqe 280-282).
Duke folur kundër kërkesës për Republikën e Kosovës, përkatësisht, kundër atyre që po demonstronin për Republikën e Kosovës, për ti paraqitur sa më të egër shqiptarët ndaj kësaj kërkese, Azem Vllasi pos tjerash pati deklaruar në një intervistë për revistën NIN të Beogradit: «sikur të fitonin ata (demonstruesit), do të na pushkatonin ‘po kratkom postupku’». (Bajram Kosumi: Revolucioni 1981, Prishtinë, faqe 281).
Veli Deva:
Veli Deva nuk heziton të thotë se do të kapin pushkët të luftojnë kundër demonstruesve të vitit 1968, e përserit të njëjtën gjë edhe në vitin 1981.
Bajram Kosumi: Revolucioni 1981, Prishtinë, faqe 281.
Fadil Hoxha:
Pas cilësimit të ngjarjve të vitit 1981 si kundërrevolucionare, gjatë diskutimeve të tij, Fadil Hoxha për 1981-shin kishte thënë edhe cilësime të tilla si: “Bira e minit 300 groshë”; “Plehu i Kosovës”; “As çikë as djalë për armiqtë”; “as në dasëm e as në deke me armiqtë”. (Merxhan Avdyli: Demonstratat e vitit 1981 në vizionin e komunistëve shqiptarë të Kosovës. Kumtesë e paraqitur në Konferencën ndërkombëtare për demonstratat e vitit 1981, e mbajtur në Prishtinë, më 3 qershor 2011).
Fadil Hoxha në fjalimin e tij para inteligjencës së Kosovës të mbajtur më 27 prill 1981:
“parulla për shndërrimin e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës në Republikë, de facto është orientuar ka shkatërrimi i Jugosllavisë”.
Mahmut Bakalli:
”herdokur do të konfirmohet se në ngjarjet në Kosovë më 1981 kanë qenë të ndërthurur…edhe disa shërbime të Jugosllavisë dhe të botës së jashtme”
Xhavit Nimani:
Në gazeten “Rilindja” të datës 2 prill, 1981, pos tjerash botohet kryeartikulli nga Xhavit Nimani, në cilësinë e Kryetarit të Kryesisë së KSA të Kosovës, në të cilën për herë të parë për ngjarjet e vitit 1981, e përdorë cilësimin: veprimtari armiqësore me qëllime kontrarevolucionare, për demonstratat dhe e siguron lexuesin se: “kundër veprimtarisë armiqësore do ti ndërmarrim të gjitha masat përkatëse”. (Bajram Kosumi: Revolucioni 1981, Prishtinë, faqe 417).
“Kërkesa Kosova Republikë, projekt dogmatik Stalinist”…
Fadil Hoxha në fjalimin e tij më 3 prill, ashtu edhe Azem Vllasi më 6 maj 1981: është i pari Fadil Hoxha që e thotë akuzën se demostruesit janë të ndikuar nga stalinizmi i Shqipërisë dhe diskuton se komunizmi në Jugosllavi është më liberal e më demokratik se komunizmi në Shqipëri, duke lënë të kuptohet se demonstruesit paskan kërkuar një republikë staliniste në Jugosllavi. Edhe Azem Vllasi pothuajse një muaj më vonë i bie këtij teli: flet se Republika e Kosovës, përveç si projekt nacionalist do të ishte edhe projekt dogmatik, Stalinist…
Kjo hipotezë për propagandë është shfrytëzuar nga shumë politikanë të kohës deri në rënien e monizmit.
Po kështu edhe Stane Dollanc, si Sekretar Federativ i Punëve të Brendshme, sipas Tanjug-ut, më 29 shtator 1981 thekson: “irridentistët shqiptarë tani po e tregojnë fytyrën e tyre të vërtetë, nuk flasin më për republikë, por thonë Rroftë Enver Hoxha” (M. Vickers, The albanians modern history, 1999, pg. 204.
Kurse Lazar Mojsov, si kryetar i Kryesisë të KQ të LKJ, më 7 prill 1981, lidhur me këto ngjarje e akuzon BRSS-në. Bajram Kosumi: Revolucioni 1981, Prishtinë, faqe 437.
Më vonë Llazar Mojsov tërhiqet nga kjo akuzë.
Vërtet, shtrohet pyetja: kush ka kërkuar dhe në cilën demostratë është kërkuar: Rroftë Kosova Republikë marksiste – leniniste, ose Rroftë Kosova Republikë staliniste, enveriste etj?
Sa i përket marksizmit, kjo ka ekzistuar edhe si lëndë mësimore në të gjitha shkollat e mesme si dhe në të gjitha fakultetet në Jugosllavi. Atëherë është e qartë se nga kush u lansua, nga kush u përdor dhe për cilin qëllim. Është lansuar nga UDB-a dhe u është servuar të gjithë politikanëve në të gjitha nivelet në ish Jugosllavi, e veçmas në Kosovë.
Të gjitha këto akuza kanë një burim, nga shërbime jugosllave dhe kanë një qëllim, që ti denigrojnë sa më shumë para opinionit si brenda ashtu edhe jashtë.
Në vend të epilogut
Citate nga përsonalitete tjera shqiptare të kohës së atëhershme si: Sinan Hasani, Ali Shukrija, Rrahman Morina, e ndonjë tjetër, nuk e pamë të arsyeshme t’i sjellim, sepse ndaj këtyre përsonaliteteve më vonë do të distancohen edhe Azem Vllasi, Fadil Hoxha, Mahmut Bakalli…, e që gjithsesi paraqet një vijë të madhe ndarëse mes tyre.
Por, mbajtja e qëndrimeve statike për ngjarjet e vitit 1981, të cilat qëndrime tashmë i ka shkelur koha, jo vetëm që nuk i bën nderë historisë, por akterët e tillë nuk i bëjnë nderë as vetes së tyre.