Nga Dr. Agim KRASNIQI
Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese (KO265/25, dt. 30 shtator 2025) për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb ka hapur debat dhe dilema mbi funksionalitetin e institucioneve dhe të ardhmen kushtetuese të Kosovës.
Gjykata konstatoi se Kuvendi i Kosovës nuk mund të konsiderohet i konstituuar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb, duke e lidhur këtë me nenet 66 dhe 67 të Kushtetutës. Në këtë mënyrë, moszgjedhja e një pozite të vetme, e kthen gjithë Kuvendin në të papërfunduar, duke e lënë shtetin në gjendje të bllokuar.
Ky interpretim, edhe pse mbështetet në tekstin e Kushtetutës, prodhon pasoja të rënda politike dhe shtetërore. Ai e kthen postin e nënkryetarit serb në fuqi bllokuese, që mund të shfrytëzohet politikisht për të ndalur funksionimin e institucioneve. Nëse deputetët e komunitetit serb refuzojnë të marrin pjesë në proces, Kuvendi mbetet i paralizuar, dhe me të gjithë mekanizmat e shtetit.
Ky precedent është veçanërisht i rrezikshëm sepse lidhet drejtpërdrejt me narrativën e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Nëse Kushtetuta interpretohet vetëm teknikisht, pa marrë parasysh frymën e saj, rrezikohet të hapet rruga për federalizimin e Kosovës, diçka që bie ndesh me nenin 1 të Kushtetutës, i cili përcakton qartë se Kosova është shtet unik, sovran dhe i pandashëm.
Gjykata Kushtetuese ka detyrim jo vetëm të lexojë fjalët e Kushtetutës, por edhe të mbrojë frymën e saj. Nenet 1 dhe 3 përcaktojnë qartë që Kosova është shtet me shoqëri shumëetnike, por jo me të drejtë vetoje për komunitetet. Prandaj, interpretimi që i jep komunitetit serb të drejtën për ta mbajtur peng Kuvendin është në kundërshtim me parimet më të larta kushtetuese.
Ky vendim është thirrje alarmi për politikën dhe për vetë sistemin juridik të Kosovës: nëse nuk jemi vigjilentë, institucionet tona mund të bëhen peng i një pakice dhe Kushtetuta të përdoret si armë për dobësimin e shtetit.
Nga një perspektivë e drejtës kushtetuese, vendimi KO265/25 duhet parë në vazhdimësi me jurisprudencën e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në veçanti rastin KO119/14 (zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit, 2014) dhe KO103/14 (mandatimi i kandidatit për kryeministër, 2014). Në të dy rastet, Gjykata interpretoi dispozitat kushtetuese përtej aspektit formal, duke u përqendruar në garantimin e funksionalitetit institucional dhe respektimin e frymës së Kushtetutës. Vendimi i fundit, megjithatë, e forcon dimensionin teknik dhe e ngre në nivel kushtetues kërkesën për zgjedhjen e nënkryetarit serb, duke krijuar standard të ri që i afron kompetencat e këtij posti me mekanizma të bllokimit institucional.
Në doktrinën juridike ndërkombëtare, ky interpretim mund të krahasohet me rastet e Bosnjës dhe Hercegovinës (kushtetuta e Dejtonit) dhe Belgjikës, ku mekanizmat e “double majority” dhe “group veto” kanë prodhuar jo stabilitet, por shpesh bllokadë institucionale. Një pjesë e literaturës juridike (p.sh. Bieber, 2004; Wolff, 2012) thekson se vetoja e komuniteteve duhet të kufizohet vetëm në çështje që prekin drejtpërdrejt identitetin e tyre kolektiv, e jo të zgjerohet në funksionimin e institucioneve të përditshme. Nëse ky standard mbetet pa korrigjim në interpretimet e ardhshme, ekziston rreziku real që Kuvendi dhe institucionet të mbeten peng i një komuniteti të vetëm, duke cenuar rendin kushtetues të Kosovës si shtet unik dhe funksional.