Recension për librin “Prekazi, altar i lirisë” të autores Elmedina Buja
Nga Bislim ELSHANI
Zonjës së re, Elmedina Buja, gjatë vizitave që i ka bërë Kosovës bashkë me familjarët nga Zvicra ku po jeton që prej shumë vitesh, një përshtypje të veçantë i ka bërë tragjedia e familjes Jashari në Prekaz të Ulët, me 5,6 dhe 7 mars 1998. Ajo e ka vizituar edhe Raçakun, dhe e njeh mirë këtë ngjarje që i parapriu ndërhyrje së forcave të NATO-s kundër shtetit serb, por masakra kundër Jasharajve ia ka tërhequr vëmendjen në mënyrë të veçantë, qoftë për shkak të peshës së saj të përqendruar kundër një familjeje të vetme, qoftë për shkak të rezistencës së ushtruar nga pjesëtarët e kësaj familjeje kundër forcave serbe. Për këtë subjekt kanë shkruar historianë të shumtë nga e gjithë bota dhe studiues të fushave të tjera të shkencave humane që janë marrë me problemin e Kosovës, kështu që t’u referohesh sot të gjithëve është e pamundur. Megjithatë një ese politik që ka tërhequr vëmendjen është ai i zonjave Anna di Lellio dhe Stephanie Schwandner-Sievers (Përpjekja, Viti XII, nr. 23 Tiranë, vjeshtë 2006) i cili flet nga pozicioni i dekonstruktimit të miteve politike. Autoret kanë folur hapur mbi të gjitha arsyetimet që qarkullojnë rreth Jasharajve në Kosovë, si për ato që e ngrenë lart figurën e tyre si një familje martire në themel të pavarësisë së Kosovës, si për ata që vënë në dyshim vendimin e Jasharajve për të mos u dorëzuar, qoftë edhe me çmimin e shfarosjes kolektive.
Rezistenca shembullore e një familjeje të madhe patriarkale në Kosovë ka nxitur ndonjë historian, si austriakun J. Schmitt, që gjithë lëvizjen e armatosur çlirimtare në Kosovë ta cilësojë si një lëvizje fshatare. Ndërsa britaniku James Petiffer, ndonëse nënvizon aspektin rural të kësaj lëvizjeje, e shpjegon këtë me arsyen e pamundësisë së ushtrimit të kontrollit normal të një fuqie të huaj në një mjedis etnik armiqësor, gjë që edhe i mundësoi hapësirat e para të lira dhe jashtë kontrollit të forcave serbe në rajonin e Drenicës. Mirëpo Pettifer e shpjegon UÇK-në para së gjithash si një replikë luftarake kundrejt politikës së dështuar pacifiste të Rugovës. Ajo, sipas tij i kishte rrënjët në LPK, një organizatë e fuqishme kosovare në Zvicër e në Gjermani që fillimisht kishte një histori të majtë dhe nga e cila ajo më pas u shkëput.
Unë vetë, si ish-kryeredaktor i organit të kësaj lëvizjeje, që ka mbështetur që nga fillimi luftën e UÇK-së në Kosovë, kam pasur një përjetim personal mbi këtë ngjarje. Mbrëmjen midis 6 dhe 7 marsit 1998, kur po bëhesha gati të lija zyrën e redaksisë, brenda saj hynë dy aktivistë të njohur të LPK-së, Xhavit Hoxha dhe Mehmet Bislimi. “Ka ndodhur një ngjarje e rëndë, një tragjedi”, tha Mehmeti. “Duhet të shkruash diçka për numrin e ri të gazetës”, më tha Xhaviti.
Ngjarja ishte vërtetë tronditëse, dhe mua më duhej të përcaktohesha në shkrimin tim midis tragjedisë dhe heroizmit, midis masakrës dhe rezistencës. Titulli do të vendoste mbi frymën e raportimit. Raportimi i Mehmetit, se Jasharajt gjatë qëndresës kishin kënduar, midis tjerash, edhe një këngë për “Luftën e Mashkullores”, kushtuar rezistencës anti-turke të fillim-shekullit 20 në skajin më jugor të Shqipërisë, vulosi vendimin tim për ta titulluar: “Epopeja e Jasharajve”. Dmth. përjashtova, së paku në titull, fjalë të tilla si “masakra” apo “tragjedia”. Fjala “epope” më pas do të bëhej një përcaktues themelor i kësaj ngjarjeje për kosovarët, ndërsa për të huajt vlerësimet do të jenë të ndryshme, që nga vlerësimi afirmativ i diplomatit francez Bernard Kouchner (Sikur të kishte Çmim Nobel për Liri, atëherë ky çmim do t’i takonte në rend të parë familjes Jashari) e deri te vlerësimet destruksioniste e psikosociale të ndonjë studiuesi apo gazetari.
Studimi i Elmedinës nuk ka mundur t’i shmanget kësaj dileme, duke theksuar më shumë elementin që fajëson shtetin serb mbi këtë ngjarje, përkatësisht, përdorimin joproporcional të forcës ndaj një familjeje, me qëllimin final të shfarosjes fizike, brenda kuadrit më të gjerë të politikës gjenocidale serbe mbi ndryshimin e përbërjes etnike të Kosovës në dobi të elementit serb. Dhe mendoj se ia ka dalë, me gjithë dilemat që ka hedhur historiania Boshkovska e Universitetit prestigjioz të Cyrihut mbi veprimet luftarake serbe, të arsyetuara prej saj si veprime pak-a-shumë të zakonshme brenda një lufte, ku masakrat, për fat të keq, janë ndonjëherë të pashmangshme. Ajo madje edhe shfarosjen e plotë të familjes Jasharaj e trajton, kushtimisht, si një dëm kolateral në përpjekje për të luftuar kundër rezistuesve të armatosur, duke hedhur poshtë vendosmërisht dhe pothuajse në mënyrë cinike dimensionin gjenocidal të dhunës ushtarako-policore serbe. Mirëpo gjatë vlerësimit të saj ajo nuk përmend as përdorimin joproporcional të forcës e të dhunës (përdorimi i artilerisë dhe i kalibrave të mëdhenj kundër një shtëpie të zakonshme banimi), as ndonjë rezultat të publikuar nga aktgjykimet e Gjykatës për krime lufte në Jugosllavi, që ekspeditat ushtarako-policore serbe në Kosovë i vendos në kuadër të operacionit “Patkoi”, i cili nënkuptonte spastrimin etnik të Kosovës, një gjë të dokumentuar edhe nga kamerat televizive që raportonin nga vendi i ngjarjes, përkatësisht, në kalimet kufitare të Morinës e të Bllacës, në kufijtë me Shqipërinë e me Maqedoninë. Prandaj vendimi i autores Elmedina Buja, që librin ta përfundonte me raportin e oficerit serb Jovan Goluboviq, pjesëmarrës në operacionin kundër Jasharajve në Prekazin e ulët me 5,6 dhe 7 mars 1998 është i qëlluar. “Vritini të gjithë, asgjë e gjallë të mos mbetet”, – citon z. Goluboviq urdhrin e marrë prej eprorëve të tij para sulmit. Z. Goluboviq thekson se ky urdhër kishte ardhur direkt prej Millosheviqit, gjë që s’mund të vihet në dyshim, duke pasur parasysh si ingjerencat zyrtare të këtij të fundit, ashtu edhe natyrën e tij si njeri. Spekulimet se ka pasur ndonjë zgjidhje tjetër për Jasharajt këtu marrin fund, sepse ky urdhër ishte dëgjuar së paku prej një pjesëmarrësi të mbijetuar të tragjedisë. Raporti mbetet i thjeshtë, kishte pasur një vendim ushtarako-policor me prapavijë politike gjenocidale, dhe një vendim familjar të rezistencës deri në vdekje. Të dyja palët janë sjellë pikërisht duke e njohur mirë njëri-tjetrin: tërbimin fashist serb të Millosheviqit dhe gatishmërinë për sakrificë sublime të familjes Jashari. Nëse një jurist ia del që ta nxjerrë nga takti vrasësin serial para gjykatës, dhe ta bëjë që të flasë hapur për krimet e tij, atëherë mund të thuhet që familja Jashari ia doli që para gjyqit ndërkombëtar të historisë ta nxjerrë shtetin serb në dritë të vërtetë, përkatësisht, të një “spastruesi etnik serial”, siç e cilësonte atë me të drejtë diplomati britanik Robin Cook.
Mirëpo Nevenka Tromp, ish-zyrtare e ICTY në Hagë, në librin e saj “Prosecuting Slobodan Milošević, The Unfinished Trial”, me të drejtë nënvizon dhe një dimension tjetër, atë orientalist, të ngjarjeve në ish-Jugosllavi. Ajo shpreh dyshimin nëse do të ndodhte ajo që ndodhi në hapësirat jugosllave, po qe se Perëndimi nuk do të vuante nga komplekset orientaliste gjatë qëndrimit tolerant kundrejt shtetit serb, dhe nëse edhe Millosheviqi nuk do t’i shfrytëzonte këto komplekse gjatë realizimit të planeve të tij raciste e gjenocidale anti-boshnjake e anti-shqiptare. Natyrisht që argumenti orientalist nuk vlen edhe për qëndrimin e tij ndaj kroatëve, dhe këtu vjen në shprehje një qasje diferencuese. Ndërkaq një fjalim i kriminelit Radovan Karaxhiq me 1992, e shpreh hapur këtë dimension: “Evropa nuk e lejon dhe nuk dëshiron që këtu (në Bosnjë) të lind një shtet islamik!”
Kur znj. Elmedina më tregoi së voni, se ajo kishte interes të studionte juridikun dhe jo historinë, i thashë se sidoqoftë, autorët më të besueshëm që kanë raportuar mbi Kosovën në kuptimin politik, juridik e historik, janë ca juristë, bashkëpunëtor të ICTY, si zonjat F. Hartmann e znj. N. Tromp, apo si zoti E. Behar. Mirëpo për dallim nga gjykatorja, në një hulumtim shkencor historik dëshmitarët janë të panumërt, dhe shumë prej tyre, për fat të keq, dëshmitarë të rremë. Kësisoj, pozicionet e historianit dhe juristit në thelb përputhen, përpos faktit që historianit i dalin shumë më tepër punë në përjashtimin e dëshmitarëve të tillë.
Gjithsesi, ky libër do të ketë vendin e vet midis literaturës për Jasharajt, si një referencë e re, si një pikëvështrim i veçantë dhe si një pasqyrë origjinale e ngjarjes së marsit 1998 në Prekaz të ulët, në Drenicë të Kosovës.
