Një reflektim i imi mbi librin “Masakrat në Kosovë 1998-1999” të publicistit Shkëlzen Gashi, i cili u promovua dje në Ambasadën e Republikës së Kosovës
Nga Dijana TOSKA
Kur mora në dorë librin, Masakrat në Kosovë të publicistit, Shkëlzen Gashit, fotografia në kopertinën e këtij libri më kapi shpirtërisht. Ajo dorë është dëshmitarja e historisë që nuk flet, por akuzon, bën thirje drejtësisë, ndërgjegjes sonë që të mos harrojmë. Është zë, testament jetësor, është dora e viktimës së një kombi që hesht e na kujton se dora e historisë duhet të shkruajë.
Çdo damar i kësaj dore të brishtë bart një emër, një fëmijë, një nënë, një krim të paemërtuar. Ajo dorë nuk kërkon mëshirë, kërkon betim për të mos masakruar historinë tonë, sepse kujtesa është forma e vetme e drejtësisë që nuk vdes.
Në thonjtë e ngurtësuar nga vdekja, dheu rri si pasqyrë e ndërgjegjes sonë, flet më fort se shteti, na kujton se toka nuk mbrohet me fjalë, por me jetën e atyre që ranë për të, ndërkohë që heshtja përballë krimit është pjesëmarrje në të.
Mosdokumentimi me kohë i masakrave, mungesa e një strategjie shtetërore për mbledhjen e provave dhe dështimi i politikës për të vendosur drejtësinë si prioritet është plagë që vazhdon të rëndojë jo vetëm mbi kujtesën e viktimave, por edhe mbi legjitimitetin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Kosova, në vend që ta ndërtonte politikën e saj shtetërore mbi të vërtetën për të cilën u derdh gjak, e ktheu kujtesën në dekor ceremonial. Kujtesa u privatizua, ndërsa sakrifica u politizua.Përkujtimet u kufizuan në data, në përmendore, në fjalime oportune që përsëriten çdo vit pa ndjeshmëri njerëzore. Në vend të një dite shtetërore që do të nderonte të gjithë dëshmorët e lirisë, ushtarët e thjeshtë, gratë, burrat, civilët e vrarë, përkujtimi u monopolizua nga gradat e komandantëve. Sikur gjaku i tyre të ishte më i kuq, më i vlefshëm, më i denjë për t’u përmendur. Ky hierarkizim i sakrificës, kjo përzgjedhje e kujtesës, hodhi njollë të hidhur mbi lavdinë e UÇK-së, ku lavdia e një lufte u mat me grada, e jo me qëllimin dhe drejtësinë e gjakut që u derdh. Dhe kur drejtësia humbet në ceremonitë e pushtetit, edhe kujtesa bëhet e rreme, një monument pa shpirt, një flamur që s’e fryn më era e lirisë.
Në vend që Kosova të ballafaqohej drejtpërdrejt me krimet e kryera, qindra masakrave mbi popullsinë civile të ndërtojë një dosje të fortë morale dhe juridike kundër Serbisë, ajo u mbyt nga elitat politike të cilat vendosën interesin personal mbi atë kombëtar duke i dhënë hapësirë Serbisë të ndërtojë tregimin e saj të viktimës që edhe sot e kësaj dite e përdorë si propagandë.Një sprovë serioze për ta kompenzuar këtë strategji shtetërore, është edhe ky libër i Shkelzen Gashit i cili na ofron, jo vetëm një tregim autentik për vitet më të vështira të Kosovës në shekullin e kaluar, por na përkujton dhe cilat ishin faktorët vendimtar që ndikuan në vonesën e drejtësisë tranzicionale.
Dhe një ndër faktorët vendimtar që ndikoi në vonesën e drejtësisë pas luftës në Kosovë ishte edhe lufta për pushtet midis komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas vitit 1999, shumë prej tyre kaluan nga uniforma ushtarake në poste politike e institucionale, duke u bërë figura dominante të jetës publike. Ky tranzicion i shpejtë u shoqërua me disa pasoja që e penguan procesin e ballafaqimit me krimet. Ish-komandantët u përpoqën ta ruanin prrallën heroike të luftës, duke shmangur çdo debat mbi shkeljet apo krimet që mund të cenonin legjitimitetin e tyre. Frika nga përgjegjësia individuale bëri që proceset e drejtësisë tranzicionale të shtyheshin ose të devijoheshin. Raportet ndërkombëtare që përmendnin emra të lidhur me strukturat e UÇK-së krijuan presion të madh politik, të cilit udhëheqësit vendorë iu kundërvunë duke bllokuar hetimet.Instrumentalizimi i institucioneve, sidomos gjyqësorit dhe policisë u përdor për të kontrolluar drejtimin e hetimeve. Në vend të një vullneti për të sjellë drejtësi, institucionet shpesh u vunë në shërbim të mbrojtjes së elitave të reja politike. Organet si UNMIK, EULEX dhe misionet e tjera ndërkombëtare kanë pjesë përgjegjësie, sepse shpesh nuk kanë vënë në funksion mekanizmat që të siguronin gjykimin e krimeve dhe bashkëpunimin me institucionet vendore. Vonesa dhe fragmentimi i përgjegjësisë ndërkombëtare lehtësuan manipulimin e rrëfimit nga Serbia.
Si pasojë, Kosova nuk e humbi vetëm një betejë politike, por edhe atë morale, humbi mundësinë të imponohej në arenën ndërkombëtare si viktima e qartë e agresionit dhe e spastrimit etnik. Në sytë e botës, konflikti u paraqit gjithnjë e më shumë si “dy palë që kanë bërë krime”, duke e relativizuar përgjegjësinë e agresorit.Sa më pak që u hetuan dhe u gjykuan krimet në Kosovë, aq më lehtë Serbia shmangu përgjegjësinë shtetërore dhe juridike për masakrat. Vonesat në dokumentim dhe në gjykime e bënë më të vështirë ndërtimin e një dosjeje të fortë ndërkombëtare kundër saj.Serbia e paraqiti mungesën e drejtësisë në Kosovë si dëshmi të “paaftësisë” së institucioneve kosovare, duke minuar kështu legjitimitetin ndërkombëtar të shtetit të ri. Shumë individë dhe struktura të aparatit shtetëror serb, të përfshirë në krime, mbetën të paprekur dhe vazhduan karrierën e tyre politike ose ushtarake. Kjo jo vetëm që e pengoi drejtësinë, por i lejoi Serbisë të mos e pranojë përgjegjësinë morale dhe historike.Në këtë mënyrë, procesi i pajtimit mes dy shoqërive mbeti i bllokuar.
Pra, Kosova humbi betejën morale jo sepse nuk kishte të drejtë, por sepse nuk arriti ta mbrojë të drejtën e saj. Kosova nuk ariti ta kthej kujtesën në formë rezistence, duke treguar se historia nuk është thjesht e kaluar, por mburojë dhe busull për të ardhmen. Nuk arriti të ndërtojë kulturën e kujtesës si detyrë etike, si mjet mbijetese kombëtare, si përgjegjësi ndaj historisë. për të mos lejuar që historia të shkruhet nga të tjerët që është rrezik më i madh se vet lufta, është zjarr për ta zhdukur identitetin e një kombi.
Sot populli e ka të qartë se nuk mund të ecë përpara nëse ecën mbi harresë dhe se kujtesa nuk është luks kulturor, por kusht ekzistence. Lufta për të vërtetën nuk mbaron me armë, por me dokumente, libra dhe dëshmi të pakundërshtueshme. Pikërisht aty fillon mbrojtja e historisë. Çdo dëshmi që mbetet pa dokumentim, çdo varr pa emër, çdo krim pa dënim, është një fletë e grisur nga libri i së vërtetës. Dhe kur libri griset, të tjerët e rishkruajnë sipas interesit të tyre.
Sot, kemi nevojë për rikthimin e kujtesës morale për ta mbrojtur historinë tone.Kemi nevojë që të kujtojmë që të mos përsëritet, padrejtësia që i kemi bërë vetvetes.
Kosova ka nevojë për një qendër kombëtare të kujtesës që ruan dëshmitë e luftës, krimet, dëmet materiale e morale, ka nevojë për një “Yad Vashem” shqiptar. Aty duhet të flasin viktimat, dëshmitarët, gazetarët, mjekët e ushtarët që e kanë përjetuar luftën. Kujtesa duhet të bëhet arkiv i vërtetësisë, jo muze ceremonial.
Nëse çdo fakt ruhet, çdo krim dokumentohet dhe çdo viktimë ka emër, historia nuk mund të na vidhet më e as të manipulohet nga dikush nga brenda e jashtë që për interese të ndryshme, propagandojnë bile edhe nëpër studio tona televizive narrative helmuese e destabilizuese kundër shtetit .
Fëmijët e Kosovës nuk duhet të mësojnë vetëm për luftën si datë, por si dramë njerëzore dhe si mësim etik. Historia duhet të shpjegohet me dëshmi, me rrëfime reale, me letërsi dhe me kujtime të gjalla. Sepse arsimi është ura midis brezave e Kosova i ka borgj rinisë tia mësojë historinë e vërtetë që të mund ta kujtojnë me dinjitet, për të mos u nënshtruar. Ngase kujtesa nuk është vetëm për të kujtuar të shkuarën, është mënyra se si një komb mbron të ardhmen e vet.
Drejtësia nuk është vetëm ndëshkim, por edhe kujtesë morale e institucionalizuar. Ajo nuk kërkon hakmarrje, por nderim ndaj jetës. Kosova nuk humbi për mungesë heroizmi, por për mungesë institucionalizimi të kujtesës dhe drejtësisë. Çdo proces gjyqësor për krime lufte është një kapitull i shkruar në librin e së vërtetës, një themel për etikën ndërkombëtare, jo nga hakmarrja, por nga përgjegjësia historike. Sepse drejtësia e vonuar është kujtesë e lënduar. Dhe sa më shumë që institucionet tona dështojnë ta shkruajnë këtë kapitull me ndershmëri, aq më lehtë do ta përvetësojë Serbia të drejtën tonë morale. Në heshtjen tonë, ajo do ta ndërtojë prrallën e saj, derisa viktima të ngatërrohet me agresorin, dhe historia të rishkruhet pa ne.
Filmat, letërsia, poezia dhe gazetaria mund ta ruajnë më fuqishëm kujtesën se çdo monument. Një roman, një dokumentar apo një shfaqje teatri mund të bëhet dëshmi e pavdekshme, siç u bë “Ditari i Anne Frankut”. Arti e humanizon kujtesën, e bën të prekshme dhe universale. Në vend që të heshtim, ne dhimbjen duhet ta kthejmë në formë komunikimi dhe vetëdije kombëtare.
Dhimbja si kujtesë dhe film i ndërgjegjes!
Dhe a ka më mirë se dhimbjen ta kthejmë në komunikim e vetëdije kombëtare? Sepse, pothuajse pa e vënë re, Shkëlzen Gashi në librin e tij na ka dhënë një skicë të gatshme për një film dokumentar të kujtesës.
Rasti i kafeterisë Panda nuk është vetëm një kapitull i errët i historisë, por një metaforë për mënyrën se si e vërteta u përdor për të justifikuar dhunën.
Më 14 dhjetor 1998, dy persona të maskuar hapën zjarr mbi gjashtë të rinj serbë të paarmatosur në Pejë. Brenda natës, propaganda e Millosheviqit e shpalli aktin “terrorizëm shqiptar”. Filluan hakmarrjet, arrestimet, torturat. Gjashtë të rinj shqiptarë u dënuan pa prova, dhe pas një viti u liruan si të pafajshëm. Por jeta e tyre nuk u kthye më.
Vitet kaluan, dhe më në fund, vetë Vuçiçi, dikur shef i shërbimeve të sigurisë, e pranoi publikisht: “Krimi në Panda nuk është kryer nga shqiptarët.”
Edhe prokurori për krime lufte, Vlladimir Vukçeviç, konfirmoi: “Shqiptarët nuk janë autorët e krimit.”
Por e vërteta nuk u zbardh as sot. Sepse Panda ishte terrorizëm shtetëror. Një skenar i montuar në laboratorët e dhunës, për të justifikuar vrasjet që pasuan.
Në letrën që familjarët e viktimave i dërguan presidentit të Serbisë më 2022, shkruajnë:
“Z. President, ju e dini dhe ne e dimë se vrasja e djemve tanë në kafeterinë Panda ishte çështje shtetërore. Ishte terrorizëm shtetëror par excellence.”
Një nga të arrestuarit shqiptarë, edhe sot pas më shumë se dy dekadash, jeton me plagët e torturës. Nëna e tij thotë:
“Djali im është si një i vdekur që ecën.”
E megjithatë, ai çdo vit kthehet te ajo kafeteri e rrënuar. Jo për hakmarrje, por për kujtesë.
Në 20-vjetorin e ngjarjes, njëri prej tyre, Vllaznim Përgjegjaj, tha me dinjitet që tejkalon çdo urrejtje:
“Do të doja t’i takoja familjet e serbëve të rinj që u vranë në Pejë. Të vendosim së bashku lule mbi varret e tyre. Ne të dyja palët po presim drejtësi.”
Deri më sot, për këtë masakër nuk është dënuar askush.
Por rasti Panda është më shumë se një krim i pambyllur është dëshmi se propaganda mund të vrasë po aq sa plumbi.
Një film dokumentar mbi këtë ngjarje do t’i shërbente Kosovës natyrshëm si një vepër e lart artistike, si një akt rezistence ndaj harresës, si një provë për drejtësinë, dhe një kujtesë universale për tragjeditë njerëzore që prodhojnë sëmundjet shtetërore.
Shkelzeni na kujton se për t’i hyrë kësaj pune, sa gjigante aq edhe humane, u frymëzua nga Bosnja nga mënyra se si ajo përkujton me gjithë shpirt krimet e luftës. Pajtohem plotësisht. Boshnjakët, me respektin që treguan ndaj viktimave, na dhan një leksion të gjithëve se, kujtesa është zëri i përjetësisë, dhe se kjo është trashëgimia më e madhe që mund t’u lihet brezave.Sot çdo emër në Srebrenicë është aktakuzë, është kujtesë që do të tingëlloj ndër shekuj si jehona e tradhtisë së ndërgjegjes europiane.
Por për të hapur një debat të sinqertë mes nesh, le të ndalemi te një tjetër shembull prej të cilit Kosova duhet të mësojë: mbrojtja e historisë kolektive hebraike. Një nga dëshmitë më të fuqishme në botë se si një popull mund të ruajë kujtesën, identitetin dhe narrativën e vet, edhe pas përpjekjeve për zhdukje.
Ata ndërtuan institucione që e kthyen kujtesën në sistem.
Yad Vashem, tempulli i së vërtetës historike në Jerusalem, është një qendër botërore e dokumentimit, edukimit dhe ndërgjegjësimit mbi Holokaustin.
Muzeumet dhe arkivat hebraike ruajnë jetën e diasporës, kulturën, shkrimet dhe dëshmitë e të mbijetuarve, duke e shndërruar historinë në memorie të verifikueshme, të mbrojtur nga manipulimi.
Ndërkohë që artin, poezinë, filmin, e kthyen në kujtesën e përvojës universale.
Që nga themelimi i Izraelit në vitin 1948, kujtesa është bërë identitet shtetëror.
Përmendja e Holokaustit, përndjekjeve dhe kthimit në “tokën e etërve” është pjesë e diplomacisë, politikës dhe edukimit. Ata e ngritën kujtesën në shkencë, në kulturë dhe në diplomacy, duke mbrojtur çdo dëshmi, çdo emër, çdo kujtim që flet për ta.Kështu historia u mbrojt nga manipulimi dhe u kthye në forcë diplomatike.
Edhe ne kemi një faqe të ndritur në këtë histori: shqiptarët dhe hebrenjtë.
Një histori kur njerëzimi fitoi mbi frikën, kur besa u bë mburojë kundër urrejtjes.
Nga besa që shpëtoi jetën dje, sot duhet të lindë kujtesa që shpëton të vërtetën.
Një popull që dikur ruajti të huajin, nuk duhet të lejojë sot të humbasë vetveten.
Le ta mbrojmë historinë si akt dashurie ndaj së vërtetës.
Si një thirrje për drejtësi, për një humanizëm të ri shtetëror, për kujtesën si themel të shtetit.Sepse një komb që kujton, nuk vdes kurrë. Ai rilind sa herë që ia thotë vetes të vërtetën.
Faleminderit, Shkëlzen, që me librin tënd na kujton se kujtesa është forma më e lartë e drejtësisë dhe se dhimbja, kur dokumentohet, bëhet vetëdije kombëtare.
13.10.2025