Sak MUJI [Sylë Mujaj]
VLERËSIM KOMBËTAR DHE KRITIK PËR LIBRIN E BAJRAM KOSUMIT “REVOLUCIONI 1981”
* Dëshmitar i drejtpërdrejtë i ngjarjeve të 11–26 marsit 1981
* Bashkëvuajtës dhe bashkëveprimtar i autorit
Në vend të hyrjes
Këtë libër të Bajram Kosumit, “Revolucioni 1981”, e mora me respektin dhe emocionin e një bashkëveprimtari të asaj kohe, të asaj Pranvere të Madhe Studentore ku unë, autori dhe mijëra të tjerë u përfshimë me trup, mendje e shpirt.
Leximi im nuk është ai i një kritiku akademik, por i një dëshmitari fizik, që ka përjetuar çdo hap të atyre ditëve të zjarrta, nga 11 deri më 26 mars 1981, kur u përplasëm me forcat ushtarake dhe u arrestuam katër veta nga grupi ynë.
Prandaj qasja ime ndaj këtij libri është reale, e ndjerë dhe e përjetuar, jo teorike.
Ajo buron nga terreni, nga përballja, nga qelia – dhe nga kujtesa që nuk shuhet.
Pas burgosjes sonë në atë pranverë, pushteti filloi të ndërtonte grup pas grupi:
së pari “Grupi i Shtatë”, pastaj “Grupi i Njëmbëdhjetë”, e më pas të gjithë na bashkuan në të ashtuquajturin “Grupi Kundërrevolucionar”, për t’i ndryshuar nenet e akuzës nga “propagandë armiqësore” në “irredentizëm e nacionalizëm”, që të na dënonin me nenin famëkeq 114, deri në 15 vjet burg.
Kjo nuk është thjesht kujtesë personale, por fakt historik që konfirmon thelbin e librit të Bajram Kosumit: se ngjarjet e vitit 1981 ishin një revolucion i vërtetë kombëtar, jo një kundërrevolucion.

Një studim që shkrin dilemat dhe deformimet
Vepra e Bajram Kosumit vjen si një dokument i jashtëzakonshëm që shkërmoq çdo dilemë e çdo interpretim të shtrembër për karakterin e ngjarjeve të 1981-shit.
Autori nuk është thjesht studiues — ai është një nga protagonistët dhe të dënuarit kryesorë të asaj kohe, me 15 vjet burg në regjimin serbo-jugosllav.
Kjo e bën librin të fuqishëm dhe autentik. Ai flet nga brenda historisë, me dokumente, dëshmi, statistika dhe analiza të rralla, që deri më sot kanë munguar në literaturën shqiptare.
Në një kohë kur shumëkush është përpjekur të relativizojë ose të mohojë karakterin kombëtar të demonstratave të 1981-shit, Bajram Kosumi sjell të dhëna shterrëse, dëshmi të dorës së parë, dhe argumente të pakundërshtueshme që e vendosin këtë ngjarje në piedestalin e duhur historik — si Revolucioni i Rinisë Shqiptare për Republikë, Barazi dhe Liri.
⸻
Nga pabarazia ekonomike te pabarazia kombëtare
Një shtyllë e fuqishme e studimit është analiza e thellë ekonomike që autori sjell me burime të shumta ndërkombëtare.
Ai e dëshmon qartë se Kosova u shndërrua nga një provincë me zhvillim të barabartë me republikat tjera më 1947, në krahinën më të varfër të Jugosllavisë më 1981, me produkt shoqëror për frymë 7.5 herë më të ulët se në Slloveni.
Kjo pabarazi e thellë, e shoqëruar me diskriminim politik, arsimor e kulturor, ishte lënda e parë e shpërthimit të marsit.
Këto të dhëna, të mbështetura në referenca shkencore, e bëjnë librin një dokument të paçmuar për çdo studiues serioz të historisë sonë moderne.
⸻
Qasja ndaj mohuesve dhe deformuesve të së vërtetës
Bajram Kosumi përballet me guxim me tendencat e individëve që, dje e sot, përpiqen të quajnë ngjarjet e vitit 1981 si “të panevojshme” apo “të manipuluara”.
Me dokumente arkivore, me citime nga shtypi jugosllav dhe nga intelektualë të lidhur me sistemin, ai e shkatërron këtë narrativë mohimi.
Autori i ekspozon hapur politikën servile të disa kuadrove shqiptare të lidhura me Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë, të cilët më 1968 përmendnin “Republikën”, por më 1981 e dënuan atë me histeri.
Këtu qëndron forca e librit: ai bën lustrim moral e historik, pa hakmarrje, por me fakte.
⸻
Matja e kohës me sahatin e prishur të autonomistëve
Autori nuk bie në grackën e glorifikimit. Ai njeh vlerat e autonomisë së 1974-ës (si hapja e Universitetit dhe unifikimi i gjuhës), por e zbërthen qartë mashtrimin e saj juridik:
Kosova nuk ishte subjekt, por pjesë përbërëse e Serbisë, dhe nuk mund të shpallte kurrë Pavarësi me atë kushtetutë.
Kështu, Bajram Kosumi rrëzon me argumente bindëse mitin e “mjaftueshmërisë së autonomisë” dhe e dëshmon pse kërkesa “Kosova Republikë” ishte jo vetëm e drejtë, por e domosdoshme.
⸻
Revolucioni 1981 – ndalimi i jugosllavizimit të shqiptarëve
Libri përshkruan edhe aspektin kulturor e shpirtëror të asaj kohe, kur një shtresë e shoqërisë shqiptare kishte filluar ta përqafonte frymën e “kozmopolitizmit jugosllav”.
Ngjarjet e vitit 1981 e ndalën këtë rënie morale, duke e kthyer vëmendjen te rrënja kombëtare, te vetëdija shqiptare dhe te kërkesa për dinjitet.
Prandaj me të drejtë autori e quan këtë ngjarje “Revolucion” — sepse ishte më shumë se demonstratë: ishte rilindje shpirtërore dhe politike e një populli të nëpërkëmbur.
⸻
Përfundim – dëshmi e brezit që solli dritën
Ky libër prej mbi 500 faqesh nuk është vetëm një studim akademik; është memorial kombëtar.
Çdo kapitull i tij është një dëshmi, një dokument, një kujtesë.
Për mua, si pjesë e atij brezi, ky libër është pasqyrë e përbashkët e sakrificës sonë, që filloi në mensat e studentëve dhe përfundoi në burgjet e Nishit, Pozharevcit e Mitrovicës.
Revolucioni 1981 është dëshmi e gjallë e brezit që u burgos për liri dhe doli nga burgu me dinjitet.
Kushdo që shkruan për këtë periudhë, s’mund ta anashkalojë këtë vepër.
Sepse Bajram Kosumi nuk shkruan vetëm për veten — ai shkruan për ne të gjithë, për atë brez që nuk u përkul dhe që i solli Kosovës dritën e lirisë.
⸻
