Nga Kadri REXHA /Shkrimtar
Libri i autorit Xhevat Hasani, me titull “S’ka dhe s’mund të ketë komb kosovar (Kundër ideve komb-ndarëse të Nexhmedin Spahiut)”, është një vepër polemike dhe analitike që trajton një nga debatet më të ndjeshme të viteve të fundit në hapësirën shqiptare: çështjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve të Kosovës dhe tezën për ekzistencën apo krijimin e një “kombit kosovar”.
Me anën e kësaj vepre autori ndërmerr një kundërshtim të drejtpërdrejtë ndaj ideve të publicistit Nexhmedin Spahiu, si dhe ndaj qëndrimeve të disa publicistëve të tjerë, si Halil Matoshi, M. Kelmendi dhe B. Meta, të cilët, sipas autorit, në forma të ndryshme kanë folur dhe kanë promovuar konceptin e një identiteti të veçantë kombëtar kosovar.
Sipas autorit, motivi kryesor për shkrimin e kësaj vepre ka qenë reagimi ndaj asaj që ai e konsideron propagandim të ideve “komb-tjetërsuese” dhe “komb-ndarëse”. Sipas tij, përdorimi i shpeshtë i termit “kosovar” në kuptim identitar dhe jo vetëm gjeografik mund të kontribuojë gradualisht në krijimin e një vetëdijeje të re kombëtare, e cila do të ndante shqiptarët e Kosovës nga trungu i përbashkët kombëtar shqiptar. Autori këtë proces e sheh si një rrezik potencial për unitetin kombëtar të shqiptarëve në Gadishullin Ilirik.
Libri është i strukturuar në mënyrë të gjerë: ai ndahet në 13 pjesë dhe 59 kapituj, çka tregon për një trajtim voluminoz dhe të detajuar të temës. Metodologjia e përdorur nga autori mbështetet në analizën dhe kundërshtimin e deklaratave publike të Nexhmedin Spahiut, të cilat autori i citon dhe më pas i analizon përmes një qasjeje kritike. Në këtë polemikë ai përdor një gamë të gjerë argumentesh: etnike, historike, demografike, gjuhësore, kulturore, gjeopolitike dhe teorike. Një pjesë e argumentimit mbështetet edhe në dokumente juridiko-politike, si Plani i Ahtisarit dhe Kushtetuta e Kosovës, si dhe në teoritë klasike evropiane për kombin, veçanërisht ato gjermane dhe franceze.
Në planin konceptual, libri mbështet tezën se identiteti kombëtar i shqiptarëve të Kosovës është pjesë e pandarë e kombit shqiptar dhe se koncepti i një “kombit kosovar” nuk ka bazë historike, etnike apo teorike. Sipas autorit, Kosova e pavarur përfaqëson një realitet shtetëror të veçantë, por kjo nuk nënkupton krijimin e një kombi të ri. Në këtë rrjedhë, vepra e Hasanit është një mbrojtje e idesë së unitetit kombëtar shqiptar dhe një kritikë ndaj përpjekjeve për diferencim identitar brenda tij.
Një pjesë e rëndësishme e librit përmban edhe kritika ndaj mediave dhe institucioneve akademike shqiptare. Autori shpreh shqetësimin se përdorimi gjithnjë e më i shpeshtë i termit “kosovar” në një pjesë të mediave publike në Kosovë dhe Shqipëri mund të krijojë gradualisht një perceptim të ri identitar, duke e zbehur emërtimin “shqiptar” për banorët e Kosovës. Po ashtu, autori shpreh pakënaqësi ndaj heshtjes së institucioneve akademike dhe të elitave intelektuale përballë këtij fenomeni.
Në aspektin stilistik, libri është shkruar në një frymë polemike, frymë kjo që përbën boshtin kryesor të argumentimit. Autori nuk e fsheh angazhimin e tij emocional dhe ideologjik në mbrojtje të identitetit kombëtar shqiptar, gjë që e bën tekstin shpeshherë të ngarkuar me përsëritje dhe me tone proteste e shqetësimi. Megjithatë, përmes analizave të shumta dhe referimeve teorike, ai përpiqet ta mbështesë këtë qëndrim me argumente historike dhe teorike.
Thënë shkurt, libri i Xhevat Hasani paraqet një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në debatin mbi identitetin dhe kombin në Kosovën e pasluftës dhe pas pavarësisë së vitit 2008. Ai është një tekst polemik që synon të kundërshtojë konceptin e “kombit kosovar” dhe të riafirmojë idenë e unitetit kombëtar shqiptar. Si i tillë, libri mund të shërbejë si material reflektimi për studiuesit, publicistët dhe lexuesit e interesuar për çështjet e identitetit kombëtar, të historisë politike dhe të debatit intelektual në hapësirën shqiptare.
Libri ka 500 faqe dhe është botuar nga Shtëpia Botuese Prointegra, Cyrih, 2025.
(Duke e falënderuar për këtë dhuratë të çmuar, autorit Dr. Xhevat Hasani, mikut tim të moçëm dhe veprimtarit të palodhur të çështje kombëtare, i uroj shëndet dhe suksese të reja!)
