Një recension i librit të Fron Nahzit, Ethnic Interest Groups and U.S. Foreign Policy (Routledge, 2025)
Nga Ledio Cakaj
Në kujtesën historike shqiptare ka zënë vend një mit i qëndrueshëm: se Presidenti amerikan Woodrow Wilson, i bindur për drejtësinë e çështjes shqiptare, përdori autoritetin e tij moral për të mbrojtur kufijtë e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris më 1919. Dhe se, që prej asaj kohe, Amerika ishte mikja e Shqipërisë. Libri i ri i Fron Nahzit, i mbështetur në kërkime të gjera dhe të kujdesshme, nuk e rrëzon krejt këtë mit, por e vendos në një kornizë më të ndershme dhe për këtë arsye edhe më informuese.
Ekspertët amerikanë që hartuan në 1917 raportin mbi Ballkanin për Wilsonin rekomandonin ndarjen e Shqipërisë mes fqinjëve të saj, duke arritur në përfundimin se “një Shqipëri e pavarur është pothuajse me siguri një entitet politik i padëshirueshëm.” Një raport i shërbimeve sekrete i vitit 1919 shkonte edhe më tej. Sipas tij, Shqipëria nuk e meritonte vëmendjen e Shteteve të Bashkuara dhe duhej thjesht të ndahej mes Jugosllavisë dhe Greqisë. Madje edhe Sekretari i Shtetit i Wilsonit, Robert Lansing, e kundërshtonte parimin e vetëvendosjes që presidenti i tij po promovonte, duke paralajmëruar se ky parim ishte “i mbushur me dinamit” dhe ai do të “prodhonte pakënaqësi, çrregullim dhe rebelim” në gjithë botën. Këto ishin pikëpamjet e njerëzve që punonin për presidentin Willson, fjalimin e të cilit, të titulluar 14 Pikat, shqiptarët e kishin kuptuar si një premtim të presidentit.
Qëndrimi i SHBA-ve për formimin e një shteti të pavarur shqiptar nuk erdhi domosdoshmërisht si pasojë e parimit të vetëvendosjes, por për shkak të organizimit të vetë shqiptarëve. Një komunitet i vogël emigrantësh, kryesisht punëtorë të pakualifikuar nga Korça të vendosur në Boston, ndërtoi një federatë panshqiptare me tetëdhjetë degë, nga New Hampshire deri në Missouri. Ata botuan gazetën e parë në gjuhën shqipe në Amerikë, Kombi. I dërguan shumë telegrame Komisionit Amerikan për Negocimin e Paqes. Botuan libra dhe revista në anglisht dhe ua shpërndanë ato delegatëve të Konferencës së Paqes. Fan Noli u takua me presidentin Wilson në një ceremoni në Mount Vernon për 4 korrikun, festën e pavarësisë së SHBA-ve, dhe i paraqiti atij çështjen shqiptare.
Pastaj hyri në lojë nafta. Kur në fillim të viteve 1920 u zbulua naftë pranë bregdetit shqiptar, kompania Sinclair Oil e shtyu Uashingtonin drejt njohjes së Shqipërisë, nga frika se kontrata për shfrytëzimin e naftës shqiptare do të përfundonte në duart e Britanisë ose Italisë. Njohja zyrtare e Shqipërisë nga SHBA-të erdhi në korrik 1922, si produkt i bashkimit të dy forcave: presionit të diasporës shqiptare dhe interesit të drejtpërdrejtë tregtar të SHBA-ve.
Ky është një nga korrigjimet më të rëndësishme që sjell libri i Nahzit. Shqipëria nuk u shpëtua nga një fuqi e madhe (SHBA) që u tregua bujare apo nga një njeri me qendrime të larta etike si presidenti Wilson. Shqipëria hyri në axhendën e një fuqie te madhe sepse disa shqiptarë e kuptuan si funksiononte Uashingtoni dhe përdorën me shumë zgjuarsi çdo mjet që kishin në dorë për ta influencuar atë.
Kontrata e naftës nuk shkoi tek Sinclair, por tek Anglo-Persian Oil Company, kompania që sot njihet si BP. Disa zyrtarë amerikanë dhe shqiptarë të kohës dyshonin se Londra kishte kërcënuar të mbështeste pretendimet territoriale të Greqisë në jug të Shqipërisë nëse Tirana nuk e pranonte lojën, dhe se udhëheqës shqiptarë ishin bindur që të bashkëpunonin, duke u paguar nga britanikët. Diaspora e kishte bërë pjesën e saj. Më pas, si shpeshherë në Ballkan, fuqitë e mëdha i rregulluan punët e tjera mes tyre.
Nahzi është i pozicionuar mirë për ta treguar këtë histori të diasporave shqiptare në vite. Prindërit e tij u larguan nga Shqipëria komuniste drejt Kosovës më 1952. Në 1968, i ati kontaktoi Komitetin “Shqipëria e Lirë” në Nju Jork, një nga organizatat e mërgatës të financuara nga qeveria amerikane, që zë vend qendror në këtë libër, dhe që ndihmoi në përpunimin e kërkesës së familjes Nahzi për emigrim në SHBA. Familja e tij u vendos përkohësisht në një qytet të vogël italian derisa u bënë gati dokumentat dhe at mbërritën në Shtetet e Bashkuara në vitin 1969, falë një kredie udhëtimi prej 700 dollarësh nga Catholic Relief Services, të cilën familja e shleu plotësisht më 1974.
Nahzi shkruan nga brenda një histori që familja e tij e ka jetuar. Ky dimension personal i jep librit një peshë që rrallë e arrijnë studimet thjesht akademike për diasporën. Nahzi e rrëfen dhe analizon këtë histori duke u mbështetur jo vetëm në kujtesë, por edhe në dosje të deklasifikuara të CIA-s, kabllograme të Departamentit të Shtetit, dokumente të Kongresit Amerikan dhe intervista me aktorë kyç. Rezultati është një histori me mbi më shumë se një shekull përpjekjesh të shqiptaro-amerikanëve për të ndikuar në politikën amerikane ndaj Shqipërisë dhe Kosovës, nga vala e parë e emigrantëve shqiptarë që shkuan në Boston në fillim të shekullit XX deri tek aktivistët dhe lobistët që ndihmuan ta shtynin NATO-n drejt ndërhyrjes në Kosovë në 1999.
Arritja që përshkruan Nahzi është e jashtëzakonshme. Të ndihmosh në krijimin e dy shteteve të pavarura – Shqipëri dhe Kosovë – në më pak se një shekull, me një diasporë të vogël, është një përpjekje shumë më e vështirë se shumica e rasteve të krahasueshme në historinë politike amerikane. Irlandezo-amerikanët ndikuan në politikën amerikane ndaj Irlandës së Veriut. Kubano-amerikanët ndikuan në qasjen ndaj Kubës së Fidel Kastros. Hebrenjtë amerikanë ndikuan në politikën amerikane ndaj sigurisë së Izraelit. Këto janë ndër makineritë lobuese më të studiuara në historinë moderne amerikane. Argumenti i Nahzit është se edhe shqiptaro-amerikanët meritojnë të vendosen në të njëjtën kategori. Dhe ndoshta rasti i tyre është edhe më i pazakontë, sepse ata nuk lobuan thjesht për mbështetjen e një shteti ekzistues. Ata lobuan për krijimin e vetë shtetit. Fillimisht për Shqipërinë, më pas për Kosovën. Këto arritje meritojnë më shumë vëmendje se ç’kanë marrë deri tani.
Kapitulli i librit të Nahzit për Luftën e Ftohtë është ndoshta pjesa më e pasur në dokumentim. Historia e Operacionit FIEND, përpjekja e fshehtë amerikano-britanike mes viteve 1949 dhe 1954 për të rrëzuar regjimin e Hoxhës, e sabotuar nga agjenti i dyfishtë britanik Kim Philby, e cila përfundoi me më shumë se 200 agjentë shqiptarë të vrarë ose të burgosur, do t’ju duket e njohur shumë lexuesve shqiptarë. Më pak e njohur dhe më interesante është ajo që Nahzi sheh si trashëgimi të atij dështimi. Koalicioni i mërgatës i mbledhur për ta udhëhequr operacionin FIEND ishte i përçarë nga konfliktet mes republikanëve dhe monarkistëve, nga besnikëritë krahinore dhe nga luftërat e pafundme për udhëheqje. Ishte diaspora në versionin e saj më vetëshkatërrues. Por pikërisht nga ai dështim doli diçka më e qëndrueshme: një infrastrukturë gazetash, organizatash kulturore dhe rrjetesh emigracioni, që e mbajti gjallë identitetin shqiptar në diasporë gjatë viteve të diktaturës së Enver Hoxhës dhe hodhi themelet për brezin që do ta fitonte betejën e Kosovës katër dekada më vonë.
Kapitulli për Kosovën është pjesa ku libri bëhet më qartazi personal. Vetë Nahzi ishte aty. Ai themeloi Fondacionin Soros në Shqipëri në vitin 1992 dhe pa nga afër se si premtimi demokratik i Sali Berishës u shndërrua në autoritarizëm. Ai punoi si gazetar gjatë negociatave të Rambujesë dhe përcolli mesazhe mes komandantëve të UÇK-së dhe kontakteve amerikane në natën kur marrëveshja më në fund u nënshkrua. Rrëfimi i Nahzit për mënyrën se si komuniteti shqiptaro-amerikan fillimisht u rreshtua pas Berishës, për shkak të origjinës së tij veriore dhe kredencialeve antikomuniste, dhe më pas e pa teksa Berisha çmontonte lirinë e shtypit dhe pavarësinë e gjyqësorit ndërsa Uashingtoni mbyllte sytë, është një nga vlerësimet më të kthjellta të qendrimeve politike të diasporës shqiptare në SHBA në shkrimet lidhur me këtë çështje.
Nahzi është po aq i kthjellët edhe në vlerësimin e zyrtarëve amerikanë. Kontrasti që ai nxjerr në pah mes Richard Holbrooke dhe Chris Hill, të cilët e shihnin konfliktin e Kosovës përmes një lenteje fetare dhe kërkonin një marrëveshje që ruante sovranitetin serb, dhe Madeleine Albright, e cila e kuptonte se Miloševići i përgjigjej vetëm forcës, është përshkruar me saktësi dhe mbështetet në dokumente të deklasifikuara.
Libri mbyllet me një shqetësim. Fija që e lidh të gjithë rrëfimin në këtë libër, është e qartë: angazhimi amerikan ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve ka ndjekur interesin, jo ndjenjën. Dhe shqiptaro-amerikanët kanë pasur peshë atëherë kur kanë ditur ta kthejnë këtë interes amerikan në politikë konkrete. Shqetësimi i Nahzit është se kjo aftësi sot është zbehur. Sipas tij, komuniteti shqiptaro-amerikan është tërhequr nga Uashingtoni dhe vendin e tij e kanë zënë firma profesionale lobimi të kontraktuara drejtpërdrejt nga Tirana dhe Prishtina. Dhënia e ishullit të Sazanit Jared Kushner-it, dhëndrrit të presidentit Trump, në dhjetor 2024 pa garë të hapur, paraqitet si kapitulli më i fundit i një logjike transaksionale që nis qysh me Sinclair Oil më 1922. Në vitin 1922 shqiptarët e përdorën interesin tregtar amerikan në dobi të tyre. A po ndodh e njëjta gjë sot, apo interesi amerikan po e përdor Shqipërinë sot pa i kthyer asaj ndonjë përfitim të vërtetë? Kjo është pyetja që Nahzi e lë pezull. Dhe është pyetja që e bën librin e tij jo vetëm një kontribut të rëndësishëm për historinë e diasporës shqiptare në SHBA, por edhe një tekst thellësisht aktual për mënyrën se si Shqipëria dhe Kosova përpiqen të kuptojnë vendin e tyre në Washington sot. [TEMA]
Shënim: Ledio Cakaj është ish-diplomat amerikan dhe autor i When the Walking Defeats You, një rrëfim për Ushtrinë e Rezistencës së Zotit në Afrikën Qendrore (Zed, 2016).
