Nga Korab BLAKAJ
Njëri nga këta që synojnë postin e kryeministrit ka guxuar të flasë për territorin sikur ai të jetë opsion diktati dhe negociate.
Të thuhet se “nëse një i fuqishëm thotë mjaft, veriu s’është Kosovë” është , „t’ia bësh me sy „ e të përkulesh para diktatit përpara se ai të vijë. E pse? Për t‘u liruar nga problemi të cilin je i pa aftë dhe i pa guximshëm për ta zgjidhur!
Artikulimi i tillë nxit agjenturat armike të shtojnë intensitetin e përpjekjeve të tyre dhe nxit qytetarët ta pranojnë coptimin e atdheut si „shpëtim nga një rrezik më i madh“ e jo si rrezik ekzistencial! Fatkeqësisht , partia që mban emrin e Rugovës ka rreshqitur keq! Aq keq sa në kreun e saj ka ngritur një politikan aksidental pa logjikë politike!
„Drejtuesi i saj me shokë“, tregon se ajo ka rënë në duart disa oportunistëve mendjelehtë e pakurrizorë, njerëz që presin miratim për të qenë sovranë.
Dr Ibrahim Rugova nuk kërkonte leje për të qenë i drejtë dhe sovran! Ai i respektoi drejtësinë dhe sovranitetin si standarde ndërkombëtare!
Të jesh në garë për kryeministër dhe të relativizosh integritetin territorial është më shumë se papërgjegjësi. Është rrezik institucional. Madje është alarm për Sigurinë Kombëtare.
Në vend se të programohet si arkitekt alternativ i fatit shtetëror, me këtë narrativë ai përgatit terrenin psikologjik për kapitullim.
E gjitha kjo nuk vjen rastësisht.
Ky është i njëjti mentalitet që votoi demarkacionin me Malin e Zi dhe e paraqiti si “maturí shtetërore”, ndërkohë që preku territorin në mënyrë të pakthyeshme. Pandëshkueshmëria për atë akt krijoi një brez politikanësh që nuk kanë frikë nga pasojat, sepse nuk kanë parë kurrë përgjegjësi.Shteti nuk i ka dënuar, tradhëtia nuk është goditur, armët nuk kanë folur!
Për më keq,janë ngritur në poste më të larta!
Kujtojani atij dhe të tjerëve ; Kosova nuk është eksperiment diplomatik,as organizatë e përkohëshme, dhe nëse nuk e kanë kuptuar këtë…, mos i lejoni t’u afrohen karriges së kryeministrit.
