Gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Johann Wadephul, ministër për Punë të Jashtme i Gjermanisë.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se gjatë takimit është diskutuar rreth marrëdhënieve bilaterale, çështjeve të sigurisë dhe mbrojtjes, zgjerimin e BE-së dhe Procesin e Berlinit.
ZKM njofton se Kurti po ashtu shprehu mirënjohjen për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës.
“Ky ishte takimi i dytë bilateral i mbajtur mes tyre në muajt e fundit, pas vizitës së ministrit Wadephul nëntorin e kaluar [2025] në Kosovë”- thuhet në njoftimin e 14.02.2026.
Përveç kësaj, Kurti në Mynih u takua edhe me katër senatorë amerikanë, Jeanne Shaheen, Chris Murphy, Thom Tillis dhe Ruben Gallego.
Kryeministri theksoi rëndësinë e dorëzimit nga Serbia të Milan Radoiçiqit, i cili, sipas tij, duhet të përballet me drejtësinë në Kosovë për organizimin dhe ekzekutimin e sulmit në Banjskë më 24.09.2023, gjatë të cilit mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Pos kësaj, në lidhje me raportet me Serbinë, Kurti foli edhe për nënshkrimin e Marrëveshjes Bazike; tërheqjen e letrës së Brnabiq ku thuhet se nuk do të respektohet integriteti territorial i Kosovës.
Krahas ngritjes së çështjes së raportit me Serbinë, Kurti shprehu mirënjohjen ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës si aleat kryesor i Kosovës.
Edhe Progresi i Kosovës në aspektin demokratik dhe atë ekonomik u theksua përgjatë takimit.
“Kryeministri foli edhe rreth orientimit euro-atlantik dhe objektivit e angazhimit tonë të vazhdueshëm për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian”- theksohet më tej në komunikatën e 14.02.2026.
Duke vijuar takimet në Konferencën e Sigurisë në Mynih, kryeminstri Kurti u takua me deputetët nga Bundestagu gjerman, Jurgen Hardt, Adis Ahmetovic, Carl-Philipp Sassenrath dhe Deborah Düring.
Gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ai është takuar edhe me Administratorin e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Alexander De Croo dhe kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviq.
Dy ditë pasi u votua Qeveria Kurti 3, më 13.02.2026, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Gjermanisë për të marrë pjesë në edicionin e 62-të të Konferencës së Sigurisë në Mynih (MSC).
Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se krahas pjesëmarrjes në ngjarjet e organizuara në kuadër të MSC, kryeministri gjithashtu do të ketë edhe takime bilaterale në margjina të konferencës.
Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka qenë e ftuar në këtë konferencë, por e ka anuluar pjesëmarrjen për shkak të zhvillimeve në vend.
Konferenca e 62-të e Sigurisë në Mynih do të zhvillohet nga 13 deri më 15.02.2026, në Hotel Bayerischer Hof në Mynih.
Si forumi kryesor për politikën ndërkombëtare të sigurisë, MSC 2026 do të mundësojë debate të nivelit të lartë mbi sfidat kryesore të politikës së jashtme dhe të sigurisë të kohës sonë. [Kallxo.com]
