UÇK-ja në pranverën e vitit 1999: drejtimi ushtarak, përplasjet politike dhe bashkëveprimi me NATO-n
Intervistë ekskluzive me Bislim Zyrapin dhe Dilaver Goxhajn
I. Ndryshimi në drejtimin e Shtabit Operativ: çfarë ndodhi më 28 prill 1999?
Andre Myller: Edhe nga ajo që kemi lexuar, por edhe nga ajo që kemi dëgjuar, konkludimi ynë është se ju, që të dytë, keni bërë një punë të shkëlqyeshme. Por, Bislim, pse atëherë, më 28 prill 1999, papritmas të larguan nga pozicioni që kishe, si Shef i Shtabit Operativ, e ju zëvendësuan përmes emërimit të Agim Çekut?
Bislim Zyrapi: Sipas bisedave paraprake që kishim bërë për angazhimin e Agim Çekut, ideja ishte që ai të angazhohej nga Shqipëria. Nga atje ai të udhëhiqte Operacionin SHIGJETA, ndërkaq unë ta drejtoja nga brenda. Kështu ishim akorduar paraprakisht. Ky akordim ishte arritur pas kthimit të parë nga Konferenca e Rambujesë. Mirëpo, papritmas, në prill të vitit 1999, e shohim Agim Çekun në Molopolc.
Dilaver Goxhaj: … më 12 prill 1999.
Bislim Zyrapi: Tashmë ishin kthyer bashkë një grup, e me ta edhe Agim Çeku, tok me Hashim Thaçin, Rame Bujën, Shukri Bujën etj.
Pse erdhi deri te ky ndërrim, e kam pyetur veten herë pas here. Ma merr mendja se arsyeja duhet të ketë qenë meqë unë nuk isha i pozicionuar në rrafshin politik pro këtij apo atij krahu. Kam qenë profesionist i punës sime.
Pas përfundimit të Konferencës së Rambujesë, anëtarët e SHP-së transferohen në Qeverinë e Përkohshme. Duket se mëdyshja ekzistonte se në këtë rast do të kishte shumë fuqi vendimmarrjeje krahu ushtarak. Sipas asaj që kam mundur ta mësoj më pas, por edhe atëherë nga prapavija, frika e tyre ishte që unë do ta merrja komandën e UÇK-së, e atëherë këta do të binin.
… Sadri Ramabaja: A ka pasur mundësi që ky grupim [Hashimi, Xhaviti, Azemi e Kadriu] t’i ketë rënë në gjurmë asaj marrëveshjeje mes teje e Ibrahim Kelmendit, në njërën anë, dhe ministrit të Mbrojtjes të Qeverisë Bukoshi, z. Bicaj, që kishte të bënte sa me kontrollimin e dy formacioneve ushtarake – FARK-ut e UÇK-së, aq edhe me neutralizimin e mosmarrëveshjeve të mundshme?
Bislim Zyrapi: Ka gjasa, por nuk kam të dhëna konkrete për këtë fakt.
Kjo që ju thashë ishte njëra prej arsyeve, ndërkaq si arsye e dytë duhet të ketë qenë fakti se unë shumicën e ish-eprorëve ushtarakë të APJ-së, që tashmë ishin sistemuar brenda UÇK-së, ky grupim vazhdimisht i ka cilësuar si persona jo të besueshëm.
Sadri Ramabaja: Do të thotë se edhe pas krejt atij suksesi në terren, kishte ende dyshime?
Bislim Zyrapi: Unë do të thosha se më shumë kishim të bënim me frikën se mund t’ju ikte komanda e ushtrisë nga duart, meqë duket se nuk më kishin besuar kurrë plotësisht dhe nuk do të shndërrohesha kurrë në një marionetë të tyre.
Dilaver Goxhaj: Unë kam dëgjuar edhe diçka tjetër, që ky nuk po e nxjerr dot nga goja. Me shkarkimin e Bislimit edhe unë qeshë befasuar. Agimi nuk na tregonte fillimisht se pse kishte ardhur.
Dilaver Goxhaj: Qeveria e Përkohshme, e me ta edhe Agimi, erdhën më 12 prill. U atashuan fillimisht në Devetak. Më 1 prill 1999 mbaroi shpërthimi i rrethimit. Atë ditë qe lëshuar edhe urdhri i Qeverisë së Përkohshme dhe i Shtabit të Përgjithshëm për mobilizim të përgjithshëm. Bislimi më thërret mua, Drinin dhe Sokol Dobrunën dhe na thotë se ne do të shkojmë në Nerodimë.
Po pse duhet të shkonim? Pse kaq herët në mëngjes, i pyes unë. Bislimi nuk na tregoi.
Megjithatë, ne morëm rreth 100 ushtarë dhe u nisëm për Nerodimë.
Kemi marshuar, kemi kaluar Grykën e Caralevës dhe vajtëm në Monopollc. Komandanti i Zonës i kishte dhënë urdhër Ferrit, pseudonim i zëvendëskomandantit të Imri Ilazit, që të siguronte një vend të sigurt, meqë do të na vinin pjesëtarët e Qeverisë së Përkohshme.
Ferri kishte marrë përsipër këtë detyrë.
Ecëm tutje dhe mbërritëm në Monopollc. Hymë në një shpellë. Guva ishte e madhe, mirëpo kishte lagështi. Nuk e pëlqeva as unë, as Ferri. U ngjitëm pastaj në fshatin Devetak. Atje, në një pllajë, ishte një shtëpi pushimi dhe një stan për bagëti. Shtëpia kishte dy dhoma. Aty vendosëm ta përshtatnim për punë.
Njërën dhomë ta pajisnim me shtretër me dy kate, tjetrën ta rregullonim për Komandë, ndërkaq koshin e misrit ta përshtatnim për ushtarët.
Unë dhe Bislimi kishim dy karrige, aty punonim.
Më datën 12 erdhën këta [Qeveria e Përkohshme], të shoqëruar me një ekip rojesh.
Meqë Hashimit nuk i pëlqeu ambienti, na dërgoi në fshatin Jezerc. Një shoqërues, Adidasi, na dërgoi te familja e Sylajve. Ishte një shtëpi dykatëshe shumë e mirë. Kishte një dhomë të madhe në katin përdhes, kuzhinën, një korridor të madh, ndërkaq kishte katër dhoma. Aty do të vendosej Qeveria.
Pastaj vazhduam për fshatin Monopollc. Aty ndërkohë vijnë edhe Kadri Veseli dhe Sylejman Selimi.
Sylejman Selimi gjatë gjithë kësaj periudhe [ofensivës serbe] ishte në Zonën e Drenicës. Ata erdhën bashkë me Shtabin. Në atë kohë Sylejman Selimi kishte funksionin e Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm. Aty na thonë Hashimi dhe Agim Çeku se me forcat që kemi në Shqipëri do të hapim frontin për thyerjen e kufirit, që të arrinim ta furnizonim ushtrinë. Ne, në fakt, kishim përherë këtë problem që ndërlidhej me logjistikën dhe furnizimin me armë e municion. Ne na thanë se sikur kishin ardhur diku 6 000 vullnetarë…
II. Planifikimi strategjik i Operacionit „Shigjeta“: Pashtriku, Opoja dhe objektivi i Prizrenit
Dilaver Goxhaj: I ngarkohet detyra Bislimit që të hartohet Plani i Operacionit Shigjeta. Të bëhej me shkrim e të hidhej në hartë. Ky, pra, Bislimi, më ngarkon mua dhe Ekrem Rexhën që ta thellonim këtë plan, meqë më herët e kishim biseduar bashkë, dhe çdo gjë ta kishim gati. Punonim në ekip. Sa herë Bislimi kthehej nga punët e tij, vazhdonin konsultimet dhe i hidhnim piketat në plan.
Kishim një hartë 1:50 000.
Këtë e kishte siguruar Bislimi nga OSBE-ja. Ia kishte marrë Shon Bërnsit.
Në plan parashikuam gjithçka me detaje. Mirëpo, ne na thanë që duhet të sulmonim nga të dy drejtimet: edhe nga Mali i Pashtrikut, edhe nga Opoja. Ideja ishte që të zbarkonim në Prizren.
Pse bëhej kjo?
Këta, si duket, do të kenë kontaktuar me oficerët e NATO-s në Tiranë. Në këtë kohë kishte ardhur edhe Plaku [Kudusi Lame] dhe ishte vendosur në Kukës. Diskutohej që të futeshin edhe forcat tokësore. Më 10 prill NATO-ja e kishte hedhur mendimin se mund të ndërhynte edhe me forca tokësore. Prandaj ne filluam Operacionin Shigjeta.
Më datën 17 prill 1999 ne e përmbyllëm së hartuari planizimin në tërësi. Mirëpo, po atë ditë, Maqedonia deklaroi se nuk do të lejonte të futeshin forcat tokësore të NATO-s përmes saj. Atëherë ne dërguam një skuadër për të kontrolluar rrugën nga Prizreni në Dragash; sidomos na interesonte madhësia e dëborës, që të dinim nëse mund të sulmonim dot nga ai krah. Skuadra u kthye brenda javës dhe na njoftoi se sasia e dëborës ishte e madhe, mbi 2 m.
III. Shkarkimi i Bislim Zyrapit dhe beteja për autoritetin ushtarak
Sadri Ramabaja: Në kulmin e këtyre përgatitjeve, punëve intensive, erdhi shkarkimi i Shefit të Shtabit Operativ?!
Dilaver Goxhaj: … Pas kumtit të skuadrës, ne vendosëm që të sulmonim vetëm nga Mali i Pashtrikut. Por se si do të sulmonim nga ai krah, Mali i Pashtrikut, kemi bërë një debat të gjatë me Agim Çekun. Agim Çeku kërkonte që goditjen kryesore ta jepnim në Gorozhupë. Ne mbronim idenë se në fshatin Zymë, përballë, është një pikë goditjeje me artileri të fuqishme që mund të na dëmtojë. Prandaj insistonim që të godisnim majën e Pashtrikut. Atje, pra, në Gorozhupë, na janë vrarë shumica, 15 gjithsej, dëshmorë.
Qëllimi cili qe? Se do të vinin forcat tokësore nga Shqipëria dhe të gjitha do të kalonin në Marinë. […]
Andre Myller: A keni sot dilema se planin që kishit hartuar në këtë mënyrë kaq të detajuar, Hashim Thaçi dhe Agim Çeku, ta sabotojnë?!
Bislim Zyrapi: Nëse e gjykojmë në prizmin se a ka pasur veprime të asaj natyre në terren, po, ka pasur.
Sadri Ramabaja: … Plan sabotues?
Bislim Zyrapi: Po, ishte plan sabotues, por nuk mund të them se ai ishte nga ky apo ai.
Planin për drejtimin e Operacionit e kishim bërë qysh më herët. Me Dilaverin, kur ka ardhur në mars 1999, e kishim diskutuar e trajtuar edhe një herë.
E treta ishin edhe këto ndërhyrjet e Agim Çekut.
Dilaver Goxhaj: Ai [Agim Çeku] ishte një elektron i lirë.
Bislim Zyrapi: Përveç skuadrës që dërguam për vëzhgim terreni në Dragash, patëm dërguar edhe një skuadër drejt Pashtrikut. Ata patën vajtur deri në Shqipëri dhe, kur u kthyen, na njoftuan se territori mund të kalohej dhe ne mund të shkonim në atë drejtim.
Po i kthehem edhe një herë ndërrimit [de facto, fjala është për shkarkimin e tij – SR]. Atë ditë ne shkuam në Jezerc. Atë ditë Hashimi më tha që unë të shkoja në Shqipëri, të bëhesha zëvendësministër i Mbrojtjes, ta zhvilloja Ministrinë e Mbrojtjes dhe ta udhëhiqja prej andej Operacionin Shigjeta.
Ai më tha se nuk dyshonte aspak që unë do ta kryeja punën më së miri në Ministri.
Unë ia ktheva përgjigjen: Jam epror, por edhe ushtar i thjeshtë po të isha, unë kryej detyrën që më ngarkohet.
Ndërkohë mblidhet Shtabi dhe në rrugë zyrtare bëhet ky ndryshim.
Shefi i Shtabit ndërrohet për tri arsye, nënvizova në këtë mbledhje: e para, për shkak të moshës, pra pensionimit; e dyta, në rast se gjendet në gabim, ndërrohet dhe merret në përgjegjësi; dhe e treta, në qoftë se shkon në pozicione më të larta, zhvillime të institucioneve.
E para nuk është. Isha në luftë.
E dyta, gjithashtu nuk është, meqë ne nuk kishim bërë gabime.
E treta, duket se qëndron, meqë duhet të shkosh e t’i ndihmosh Azem Sylës në prosperimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe ta udhëheqësh operacionin.
Atëherë shënojeni këtë. U mbajt shënim, u nënshkrua dhe çështja u mbyll.
Aty për aty unë jam nisur me grup për në Shqipëri.
Dilaver Goxhaj: … Më fal, dua të ndërhyj pak.
Për modesti Bislimi edhe nuk flet. Ai nuk pranon që të jetë vetë komandanti që do ta drejtojë Operacionin, por i propozon Hashimit që kjo detyrë t’i ngarkohej Nexhmedin Kastratit. Pastaj zyrtarisht si komandant i Operacionit u emërua Nexhmedini.
[Andy, pasi fton Nexhmedinin të afrohet], bën me dorë nga ai dhe thotë:
Ky burrë ka qenë i emëruar për ta drejtuar Operacionin Shigjeta?
Bislim Zyrapi: Po, ashtu është. Nexhmedini e ka urdhrin që është nënshkruar për këtë detyrë nga unë dhe Sylejman Selimi. Ishte vendim i Shtabit të Përgjithshëm.
Dilaver Goxhaj: Kishim mbaruar bashkë me Drinin tekstin. Ua qes në tavolinë. Jemi në datën 25 prill 1999. Lum Haxhia [Hajdin Abazi] e hodhi në kompjuter. Tepër sekret.
Kam mbaruar në orën 02:00 të natës. Në dhomë flija me Kurtesh Fondajn. Ishte shef i Kimisë, inxhinier. Pasi e hodha në tavolinë, ai më pyet: E mbarove? Po, i thashë. Po kush është komandant i këtij operacioni? Nuk e di, ia ktheva. Është emëruar Nexhmedini, ma ktheu ai. Jo, absolutisht, ia ktheva.
I kisha hequr këpucët paraprakisht, por i mbatha sërish dhe zbrita poshtë. I vajta pranë Bislimit. Është punë që nuk bëhet, i thashë. Filloi të më sillte argumentet e tij. Nexhmedini ka drejtuar këtë operacion… etj., etj. Jo, mor, jo, ia ktheva. Ti njihesh në opinionin shqiptar, je Komandant i Shtabit Operativ të UÇK-së, ty të njohin të gjithë ata vullnetarë që kanë ardhur; vetëm autoriteti yt mund t’i hedhë ata me moral të madh në luftë. Andaj do të shkosh ti. Po, si të shkoj unë, or ti, kur unë propozova Nexhmedinin. Atë ma lër mua, i thashë prerë.
Kadri Veseli, Sylejman Selimi dhe Agim Çeku flinin te kuzhina. Kishin shtruar sfungjerët atje dhe flinin. Ne flinim në një dhomë tjetër, aty ku edhe punonim.
Vajta dhe u ula midis të treve. Ata u ngritën paksa të trembur. Çfarë ka ndodhur, më pyetën. Ua bëra me shenjë se nuk ka ndonjë gjë shqetësuese. Por ua bëra menjëherë pyetjen: Pse e keni emëruar komandant Operacioni Nexhmedinin? Fillova t’jua numëroj arsyet pse duhej të ishte Bislimi. I binda. Por Agim Çeku nuk fliste. Po, si mendon, kush të jetë, ma kthyen Kadriu e Sylejmani. Po, ky zotëria pse ka ardhur, e kisha fjalën për Agim Çekun. Ai nuk foli.
A do të shkosh ti, ma kthyen.
Do të ishte ky një nder i madh për mua, meqë kemi të bëjmë me operacionin më të madh deri tani të UÇK-së. Çështja është se do të thonë se operacionin e drejtuan oficerët e Enver Hoxhës. Ndaj ju thashë se duhet të jetë një djalë i juaji. Dhe djali më i përshtatshëm është në mesin tuaj. Po sikur ta ngarkojmë Bardhyl Tahirin, më thonë.
Si unë, si Bardhyli, jemi njësoj. Por komandant duhet të jetë një djalë kosovar që ka edhe autoritetin, edhe besimin. Po mirë, ma kthejnë ata, a do të pranonte Bislimi? Nuk ju tregova që kisha folur me Bislimin. Ju thashë: Mirë, po flas unë me Bislimin dhe jam i sigurt se do ta bind. Dakord, më thanë ata.
Vajta te Bislimi. I them: Bislim, ata pranuan që ti të jesh komandant operacioni.
Shqipja, daktilografistja, filloi punën. Unë diktoja urdhrin, ajo shkruante dhe urdhrin e ri ia dhamë Sylejman Selimit për ta nënshkruar, meqë ai ishte Komandant i Përgjithshëm. [Vijon]
![UÇK-JA NGA BRENDA: MES IDEALIT TË LIRISË DHE BETEJËS PËR PUSHTET [7]](https://ishgj.org/wp-content/uploads/2026/11/Intervista-BZ-1024x683.png)