Nga Lirim GASHI
Serbia është aq e fortë sa jemi ne shqiptarët injorantë, të papërgjegjshëm, të pandërgjegjshëm, të pandershëm, të paditur, të përçarë, të nënshtruar dhe të dobët përballë saj.
Ose, për ta thënë më saktë: Serbia është shumë më pak e rrezikshme për ne sesa jemi ne për vetveten.
Mjafton të shohim historinë e popullit hebre për të kuptuar se çfarë mund të arrijë një popull që e kupton vlerën e dijes, të organizimit dhe të unitetit.
Për mijëra vjet, hebrenjtë kanë kultivuar dijen dhe kanë prodhuar mendje të jashtëzakonshme në pothuajse të gjitha fushat e shkencave natyrore dhe shoqërore, si dhe në filozofi, teologji, arsim, kulturë, letërsi dhe art.
Këtë nuk e dëshmojnë vetëm laureatët e Çmimit Nobel, por edhe filozofët, shkencëtarët, teologët, shpikësit, shkrimtarët, artistët, bankierët, tregtarët dhe poetët hebrenj, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e njerëzimit.
Megjithatë, asnjëri prej tyre, sado i ditur, i talentuar apo i famshëm të ketë qenë, nuk mundi ta shpëtonte individualisht popullin hebre nga Holokausti.
Sepse gjenialiteti individual mund ta lartësojë një njeri, por nuk mjafton për ta mbrojtur një popull. Dija mund të prodhojë personalitete të mëdha, por pa organizim, pa institucione të besueshme dhe pa vetëdije kolektive, ajo nuk shndërrohet domosdoshmërisht në forcë kombëtare dhe shtetërore.
Hebrenjtë e kuptuan këtë të vërtetë historike: se mbijetesa dhe siguria e një populli nuk mund të mbështeten vetëm në arritjet e individëve, por kërkojnë bashkim, organizim politik dhe institucione të afta për ta mbrojtur të ardhmen e tij.
Kështu, përmes organizimit dhe bashkimit kombëtar, u krijua shteti i tyre – Izraeli.
Ne shqiptarët, ndërkaq, shpesh sillemi sikur armiku ynë më i madh të jetë ai që jeton përtej kufirit, ndërkohë që nuk arrijmë ta kuptojmë se sa shumë e dëmtojmë vetveten me injorancën, përçarjen, papërgjegjshmërinë, mungesën e ndershmërisë dhe paaftësinë për ta vënë interesin e përbashkët mbi interesat personale e partiake.
Nuk na mungojnë njerëzit e talentuar, as mendjet e ndritura. Ajo që na mungon është aftësia për t’i bashkuar vlerat individuale në një forcë të përbashkët shoqërore, kombëtare dhe shtetërore.
Sepse një popull nuk bëhet i fortë vetëm pse ka njerëz të zgjuar, por kur arrin ta shndërrojë zgjuarsinë e tyre në dije kolektive, në përgjegjësi të plotë, në institucione të besueshme dhe në vetëdije të lartë kombëtare.
Dhe pikërisht këtu qëndron dallimi ndërmjet një populli që ndërton të ardhmen e vet dhe një populli që vazhdon t’ia faturojë të tjerëve dështimet e veta.
Serbia nuk është aq e fortë sa mendojmë. Shpesh, ne jemi aq të dobët saqë ia bëjmë asaj të panevojshme të jetë akoma më e fortë.
