Nga Gjon KEKA, PhD
Historia e civilizimit europian nuk është thjesht një kronikë betejash, kufijsh apo traktatesh politike; ajo është mbi të gjitha historia e një busulle shpirtërore që i dha formë identitetit, etikës dhe lirisë së kontinentit të vjetër. Në themel të kësaj kthese historike qëndron momenti kur Perandori me origjinë ilire, Konstantini i Madh, përpara betejës vendimtare të Urës Milviane, pa në qiell shenjën e Kryqit me mbishkrimin profetik: „In hoc signo vinces!“ (Nën këtë shenjë do të fitosh!). Duke braktisur paganizmin dhe duke përqafuar krishterimin, Konstantini nuk siguroi vetëm një fitore ushtarake, por hodhi themelet e Europës së krishterë, duke vërtetuar se forca morale dhe shpirtërore e vetëmohimit është më e fuqishme se çdo epërsi materiale.
Njëmbëdhjetë shekuj më vonë, kjo thirrje u mishërua në mënyrën më madhështore në tokën arbërore përmes figurës së Gjergj Kastriotit. Ashtu si Konstantini që u kthye nga paganizmi te e vërteta e Kryqit, edhe Gjergj Kastrioti kreu aktin më të lartë të vetëdijes kombëtare e shpirtërore: pasi u rrëmbye në fëmijëri dhe iu ndërrua dhunshëm besimi në oborrin e sulltanit otoman, ai u rikthye në Krujë, në besimin e të parëve të tij. Duke ngritur flamurin e arbërve dhe duke luftuar nën shenjën e Kryqit, ai u njoh nga mbarë Europa si Athleta Christi (Atleti i Krishtit) dhe Propugnaculum Christianitatis (Mburoja e Krishterimit). Për një çerek shekulli, Arbëria e vogël nuk u mbrojt thjesht me shpatë, por me forcën morale të atij që kishte gjetur sërish shpirtin e vet të vërtetë, duke shpëtuar qytetërimin perëndimor nga pushtimi dhe duke e bërë kombin tonë bashkëthemelues dhe mbrojtës të vlerave të përbashkëta europiane.
Sot, në shekullin e XXI, Kosova dhe kombi ynë në përgjithësi gjenden përballë një udhëkryqi të ri historik. Ndonëse sfidat nuk janë më pushtimet me shpatë, ato janë po aq vendimtare: janë sfidat e identitetit, të dinjitetit kombëtar dhe të integrimit të plotë në familjen e kombeve europiane. Përvoja historike tregon se asnjë komb nuk mund të fitojë dhe as të integrohet me dinjitet nëse hyn në shtëpinë e përbashkët si një „mish i huaj“ apo një „shpirt i tjetërsuar“. Europa e bashkuar, pavarësisht sekularizmit të saj modern, është ndërtuar mbi shtyllat e trashëgimisë judeo-kristiane, të së drejtës romake dhe të filozofisë greke — vlera këto që prodhuan lirinë e individit, dinjitetin njerëzor, paqen dhe kulturën perëndimore. Rrjedhimisht, çdo orientim apo mentalitet ideologjik i huaj sikur që është ideologjia islamike, i mbivendosur përmes shekujve të robërisë dhe i huaj për traditën burimore arbërore, krijon një hendek kulturor dhe shpirtëror që e pengon natyrshëm bashkimin e plotë në familjen europiane.
Prandaj, thirrja „In hoc signo vinces“ sot përkthehet si një domosdoshmëri për një rilindje të thellë shpirtërore dhe kulturore. Ky rikthim te rrënjët e lashta të krishtera nuk mund të mbetet vetëm një nostalgji romantike e individëve të veçantë, por duhet të nisë nga vetë “elita” udhëheqëse dhe institucionale e vendit. Qeveria, Presidenca, Kuvendi, Akademia e Shkencave, institutet kërkimore dhe universitetet kanë përgjegjësinë historike të prijnë këtë proces të vetëdijesimit. Kur institucionet shtetërore dhe akademike e njohin, e afirmojnë dhe e jetojnë hapur trashëgiminë e tyre dardane e arbërore — nga kishat e hershme paleokristiane të Dardanisë e deri te katedralet dhe vepra e Pjetër Bogdanit, Pjetër Budit, Frang Bardhit e Nënës Terezë — ato i dërgojnë botës një mesazh të qartë: se Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi nuk kërkojnë mëshirë në dyert e Europës, por po kthehen në shtëpinë e tyre të ligjshme, aty ku kanë qenë që në agimin e krishterimit.
Ashtu siç na mëson historia, fitorja e vërtetë nuk arrihet me lëkundje, dyshim e paqartësi dhe as me kompromise të rreme identitare, por me vendosmërinë e karakterit dhe besnikërinë e palëkundur ndaj të vërtetës. Kur pushtetarët, intelektualët dhe populli ynë të bashkohen në këtë rikthim moral dhe kulturor, duke hedhur poshtë çdo gjurmë të tjetërsimit dhe duke përqafuar me krenari dritën e Kryqit që udhëhoqi Konstantinin e Madh dhe Gjergj Kastriotin (Skënderbeun), atëherë integrimi europian nuk do të jetë më një proces i vështirë burokratik, por një bashkim i natyrshëm shpirtëror. Sepse vetëm duke qenë vetvetja, të rrënjosur thellë në traditën tonë të lashtë perëndimore, ne mund të fitojmë të ardhmen.
SHËNIM REDAKSIONAL
Redaksia e faqes së ISHGJ-së nuk mban përgjegjësi për pikëpamjet, qëndrimet dhe vlerësimet e shprehura në shkrimet e botuara. Ato pasqyrojnë ekskluzivisht qëndrimet personale të autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht qëndrimet e redaksisë apo të Institutit Shqiptar për Gjeopolitikë.
