Nga Xhemil Zeqiri
Ndoshta dështimi më i madh i politikës shqiptare gjatë këtyre 36 viteve nuk matet vetëm me korrupsionin, varfërinë apo shkatërrimin e institucioneve. Ky shkatërrim-trishtim është më fatalist, për njerëzit që Shqipëria feudale-kapitaliste i humbi.
Një vend që, pas rënies së socializmit kishte rreth 4,2 milionë banorë, sot ai po përballet me një tkurrje dramatike të popullsisë, emigrim masiv dhe plakje të shoqërisë. Sipas Censusit të vitit 2023, Shqipëria kishte vetëm 2,4 milionë banorë. Ky është një alarm kombëtar, jo thjesht një tregues statistikor. Kjo katastrofë demografike nuk mund t’i faturohet vetëm një qeverie.
Ajo është rezultat i një “tranzicioni” të gjatë, ku përgjegjësi kanë qeverisjet e njëpasnjëshme, vendimmarrjet ekonomike, mungesa e ardhmërisë, si shkak pasojë e ka emigracionin dhe dështimin për të ndërtuar një shtet që u jep të rinjve dhe popullit mundësi për të qëndruar në atdheun e tyre. Sali Berisha dhe Edi Rama, kanë sunduar Shqipërinë në periudha të ndryshme dhe të dy duhet të përballen me përgjegjësinë për bilancin të tyre politik katastrofal.
Por, ajo që është edhe më e rëndë; është se shqiptarët po përballen me pasojat e një modeli të mashtrimit politik, që faktikisht nuk arriti të ndërtojë besim, siguri për ardhmërinë e ndritur për rininë dhe për brezat që do të vijnë. Fatkeqësisht, sot kemi gjithnjë e më shumë pensionistë, e, gjithnjë e më pak të rinj dhe kemi më shumë familje të shpërndara nëpër botë. Shtrohet pyetja: kush do ta ndërtojë Shqipërinë e së ardhmes, nëse brezi që duhet ta zhvillojë vendin detyrohet të kërkojë një jetë më të mirë jashtë tij?
Kur frika nga e kaluara përdoret për të justifikuar të tashmen?!!! Është krijuar një tendencë mashtruese trilluese politike tepër e rrezikshme: “Më mirë Rama, sesa Berisha, sepse, Berisha na vriste”?!!! Kjo mënyrë të menduarit e redukton demokracinë në zgjedhjen e së keqes që konsiderohet më pak e rrezikshme.
-Ajo e mban shoqërinë peng të frikës dhe të së kaluarës.
Shqiptarët, nuk duhet të detyrohen të zgjedhin mes frikës nga rikthimi i një modeli të vjetër dhe pakënaqësisë ndaj qeverisjes së sotme. Përgjegjësia për vitin 1997 nuk mund të fshihet. Por, as problemet e sotme nuk mund të justifikohen duke përdorur vitin 1997 si mburojë politike. Një demokraci e vërtetë nuk funksionon me logjikën: “Mos e kundërshto qeverinë, sepse alternativa mund të jetë më e keqe”.
-Ajo funksionon me llogaridhënie, zgjedhje të lira dhe alternativa reale.
Studentët nuk kërkojnë ndërrimin e një pengmarrësi me një tjetër
Prandaj, brohoritja e studentëve “Rama në burg, Berisha në burg”, shpreh revoltën e protestës së tyre, ka një domethënie të qartë politike: kërkesën që përgjegjësia të mos ketë përjashtime dhe që asnjë liderucë i keq, të mos jetë mbi ligjin.
Studentët nuk kanë pse të zgjedhin mes dy historive politike që kanë dominuar Shqipërinë për dekada. Ata kanë të drejtë të kërkojnë drejtësi, arsim cilësor, mundësi punësimi dhe një shtet ku e ardhmja nuk varet nga lidhjet partiake. As Berisha nuk mund ta përdorë revoltën e tyre për të legjitimuar rikthimin e vet politik, as Rama nuk mund ta përdorë frikën nga Berisha për të shmangur përgjegjësinë për qeverisjen e tij. Shqipëria nuk ka nevojë të zgjedhë se cili prej dy liderucëve shkatërrues, duhet ta mbajë peng të ardhmen e saj.
Shqipëria ka nevojë të dalë nga kjo logjikë politike.
Një komb nuk mund të jetojë përgjithmonë me kujtimet e vitit 1997 dhe me premtimet e pa mbajtura të së tashmes. Ai, ka nevojë për një të ardhme që ndërtohet këtu, në Shqipëri, nga të rinjtë e tij. Dhe përgjegjësia për këtë të ardhme duhet të fillojë me llogaridhënien e atyre që kanë sunduar dhe po e sundojnë vendin.
