Ukraina raportohet se përdori 28 robotë luftarakë në një operacion pranë Lymanit – një zhvillim që sinjalizon zgjerimin e luftës robotike, por që ende nuk është konfirmuar nga burime të pavarura.
Burime ruse raportojnë për një sulm në shkallë të gjerë me sisteme robotike tokësore ukrainase pranë Lymanit, ka titullin shkrimi i portalit ukrainas Defense Express.
Në hyrje të tekstit thuhet:
Forcat ukrainase raportohet se kanë vendosur 28 sisteme robotike tokësore të armatosura kundër pozicioneve ruse pranë Lymanit, duke përfshirë platforma të pajisura me hedhës automatikë granatash, armë antitank dhe ngarkesa të tipit “kamikaze”.
Kanale ruse në Telegram kanë raportuar për një sulm në shkallë të gjerë, në të cilin janë përfshirë mjete tokësore pa pilot të Ukrainës kundër pozicioneve ruse pranë Lymanit, në rajonin e Donjeckut. Sipas këtyre raporteve, në operacion morën pjesë dhjetëra platforma robotike, të vëna në përdorim nga Trupi i Tretë i Ushtrisë së Ukrainës.
Burime ruse pretendojnë se në sulm morën pjesë gjithsej 28 sisteme robotike tokësore.
Në përmbyllje të tekstit nënvizohet se sipas burimeve ruse pretendohet se forcat e tyre arritën ta zmbrapsnin sulmin. Megjithatë, ato e kanë përshkruar incidentin si një zhvillim shqetësues, duke vënë në dukje përdorimin në rritje të sistemeve robotike tokësore nga forcat ukrainase.
Nëse shifrat e raportuara janë të sakta, operacioni do të përbënte një angazhim të konsiderueshëm të mjeteve tokësore të armatosura pa ekuipazh në një sulm të vetëm. Kombinimi i platformave me hedhës granatash, armëve kundër-tank dhe sistemeve “kamikaze” mund t’u mundësojë forcave ukrainase të përdorin mjete të ndryshme robotike për detyra plotësuese në fushën e betejës.
Pavarësisht nëse ky operacion konkret konfirmohet, zhvillimi është me rëndësi strategjike.
Ukraina po e zgjeron përdorimin e mjeteve tokësore pa pilot (UGV – Unmanned Ground Vehicles), të cilat mund të kryejnë:
- sulme ndaj pozicioneve të fortifikuara;
- mbështetje me zjarr;
- transport municionesh dhe furnizimesh;
- evakuim të të plagosurve;
- operacione kamikaze kundër objektivave ushtarake.
Kjo nuk është më thjesht një eksperiment teknologjik. Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës, deri më 19 tetor 2026 ishin regjistruar afro 168.000 misione logjistike me robotë tokësorë. [ISHGJ]
