Nga Dan GASHI / Njujork
Në realitetin e ri gjeopolitik në formësim, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po konsolidojnë pozitën e tyre dhe po projektojnë strategjinë e re afatgjatë. Shmangia e konfrontimeve të drejtpërdrejta ushtarake me kosto enorme financiare dhe politike, në këmbim strategjie te ndikimit, presionit dhe “fuqisë së butë” mbetet preferenciale.
Në frymën e kësaj qasje të re gjeopolitike, SHBA-ja ka ndërmarrë nisma të reja konkrete. Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, dhe presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, nënshkruan në Baku “Kartën e Partneritetit Strategjik”. Marrëveshja përfshin mbrojtjen, shitjen e armëve, sigurinë energjetike, luftën kundër terrorizmit dhe bashkëpunimin në inteligjencën artificiale, si dhe vendosjen e anijeve ushtarake në Detin Kaspik për të forcuar sigurinë detare të Azerbajxhanit.
Marrëveshja e gushtit të vitit 2025 midis Aliyevit dhe Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, që përkoi me marrëveshjen e paqes midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, duke i dhënë fund zyrtarisht konfliktit të gjatë të Karabakut. Me këtë marrëveshje, Azerbajxhani nuk shihet më vetëm si një eksportues i karburanteve, por si një nyje strategjike midis Evropës, Azisë Qendrore dhe Lindjes së Mesme, një zonë stabiliteti pro-perëndimor midis Rusisë dhe Iranit.
Zëvendëspresidenti Vance gjithashtu bëri një vizitë historike në Armeni, e para nga një zëvendëspresident në detyrë i SHBA-së. Në kryeqytetin e Armenisë, Jerevan, u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi bërthamor civil me vlerë rreth 5 miliardë dollarë, si dhe kontrata shumëvjeçare për karburantin dhe mirëmbajtjen e reaktorëve modularë amerikanë.
Qëllimi i Armenisë është të zëvendësojë termocentralin e vjetër të Metsamorit të epokës sovjetike, duke bërë një ndarje të qartë të energjisë nga Moska. Marrëveshja e nënshkruar parasheh gjithashtu shitjen e dronëve të vëzhgimit dhe licencimin e çipave Nvidia me performancë të lartë për qendrat armene të të dhënave, duke pezulluar pjesëmarrjen e Armenisë në aleancën ushtarake të udhëhequr nga Rusia (CSTO), dhe afrimin gradual drejt SHBA-së dhe Evropës.
Strategjia e re amerikane TRIPP (Rruga e Trumpit për Paqe dhe Prosperitet Ndërkombëtar) në bërthamë parasheh një korridor prej 43 kilometrash përmes rajonit armen të Syunikut që do të lidhë Azerbajxhanin me eksklavën e tij të Nahçivanit dhe më pas me Turqinë. Në këtë projekt përfshihet hekurudha, naftësjellësi, gazsjellësi, linja energjetike dhe kablloja me fibra optike.
Marrëveshja dypalëshe parasheh që Shtetet e Bashkuara të kenë të drejta ekskluzive zhvillimi dhe menaxhimi për 99 vjet përmes një konsorciumi, ndërsa sovraniteti do t’i mbetet Armenisë. Fillimet në këtë projekt pritet të fillojnë në gjysmën e dytë të këtij viti. Rëndësia strategjike e projektit, ështe se ky korridor do të lidhet me Korridorin e Mesëm Trans-Kaspik, që lidh Kinën dhe Evropën duke anashkaluar Rusinë dhe Gjeorgjinë, qeveria e së cilës mban një qëndrim prorus.
Projekti amerikan TRIPP synon të sigurojë furnizime kritike të energjisë dhe mineraleve nga Azia Qendrore drejt Evropës, duke anashkaluar ndikimin rus dhe kinez. Misioni i Vance është pjesë e iniciativës së SHBA-së për mineralet kritike, e nisur në Uashington me 55 vende pjesëmarrëse, qëllimi i së cilës është krijimi i një blloku tregtar të koordinuar për të reduktuar varësinë nga Kina në zinxhirët strategjikë të furnizimit. Qëllimi final i TRIPP-it është të bëhet konkurrent potencial ndaj iniciativës kineze “Një brez, një rrugë”, për të ndërtuar rrjete alternative ndaj Rrugës së Re të Mëndafshit.
Në këtë ripozicionim të ri global, Kazakistani dhe Pakistani kanë projektuar një korridor që do të lidhë vendet e rajonit përreth me portet pakistaneze të Gvadarit dhe Karaçit, duke u ofruar atyre qasje të drejtpërdrejtë në Oqeanin Indian. Korridori i planifikuar përshkon Bjellorusinë, Rusinë, Azinë Qendrore dhe Afganistanin. Njëkohësisht po projektohen edhe “Korridori i Kabulit”, i mbështetur nga Uzbekistani, që do të lidhte Pakistanin përmes një hekurudhe rreth 650 km, e parashikuar të përfundojë në vitin 2027.
Në këtë konfigurim të ri gjeopolitik, Kazakistani po pozicionohet si nyjë e lidhjes euroaziatike, duke menaxhuar pjesën më të madhe të trafikut tokësor Evropë-Kinë. Edhepse Afganistani mbetet faktori kryesor i pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë politike në rajon, disa vende rajonale mbajnë marrëdhënie ekonomike me Kabulin, duke u fokusuar te stabilizimi përmes tregtisë dhe infrastrukturës. Gjithashtu, edhe Rusia e sheh korridorin trans-afgan si një vazhdimësi të Korridorit Ndërkombëtar të Transportit Veri-Jug (INSTC), i cili lidh Shën Petersburgun me Indinë përmes Iranit dhe Azerbajxhanit. Korridori INSTC është tashmë gjerësisht operacional, më i shpejtë dhe më i lirë se rruga e Suezit.
Dallimi midis dy arkitekturave të këtyre korridoreve është në qasjen afatgjatë strategjike. Korridori TRIPP, i favorizuar dhe i shtyrë nga SHBA-ja, është një projekt me qasje politike sepse konsolidon paqen midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, forcon praninë amerikane në Kaukaz dhe krijon një rrugë alternative që anashkalon Rusinë dhe Iranin. Ky projekt i mundëson SHBA-së një pikëmbështetje në një udhëkryq kyç midis Evropës, Lindjes së Mesme dhe Azisë Qendrore.
Korridori tjetër, i mbështetur nga vendet BRICS, është një sistem i gjerë korridorësh tokësorë dhe detarë, i përbërë nga INSTC-ti, te Rruga Arktike dhe lidhjet me Indinë e Pakistanin, i projektuar për të reduktuar varësinë nga pikat tradicionale të bllokimit dhe infrastruktura financiare perëndimore, përfshirë Bankën e Re të Zhvillimit dhe sistemet alternative të pagesave në këtë hemisferë.
Pozicioni gjeografik i Iranit, midis Detit Kaspik, Gjirit Persik dhe Oqeanit Indian, e bën atë dyfish të rëndësishëm; pengesë ndaj TRIPP-it, por i preferuar për korridoret e BRICS-it.
Projektimet e këtyre korridoreve gjigante e vendosin rajonin e Kaukazisë dhe Azisë Qendrore në qendër të konkurrencës globale të infrastrukturës. Korridori amerikan TRIPP dhe ai i shumicës së vendeve të BRICS-it, të mbështetura nga Rusia, Kina dhe partnerët rajonalë, janë më shumë se projekte të rrugëve tregtare, energjetike dhe minerale të shekullit të 21-të; janë transporte logjistike, caqe strategjike me ndikim politik, pozicionime afatgjata gjeopolitike, si dhe qasja në burimet strategjike dhe projektim i fuqisë globale përgjatë aksit euro-aziatik gjithnjë e më strategjik. Në këtë konstelacion të ri gjeopolitik, Evropa do të detyrohet edhe më shumë të zgjedhë anë sesa të imponojë.
