Nga Dr. Selim IBRAIMI
Pavarësisht pozicionit të SHBA-së dhe rënies së fuqisë në politikën ndërkombëtare, Uashingtoni duket se po zhvillon aktivitete jashtë organizatave të zakonshme ndërkombëtare të krijuara pas Luftës së Dytë Botërore (LDB). Rrjedhimisht SHBA-të mund të arrijnë diçka të mirë në rajone të caktuara të botës si: përpjekjet për rindërtimin e Gazës, stabilizimi i rajonit të Ballkanit etj. Në takimin e “Bordit të Paqes”, në Uashington, presidenti i SHBA-së Donald Trump duke ju referuar problemit në mes Beogradit dhe Prishtinës ju drejtua presidentes Vjosa Osmani me fjalët: “Nëse nuk ia dilni, më thirrni dhe do ta zgjidhim.”
Presidentja Vjosa Osmani pas takimit me zv. sekretarin e Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Christopher Landau, në Uashington tha: “Shpreha mirënjohjen e popullit të Kosovës për ligjin e sapo nënshkruar nga presidenti Trump, i cili thotë shprehimisht se nuk do të ketë ndarje, duke mbrojtur kështu sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit tonë. Dialogu me Serbinë duhet të bazohet në njohjen reciproke dhe mbështet anëtarësimin tonë në NATO.”
E ngarkuara me punë e SHBA-së, Anu Prattipati, u takua po ashtu në Prishtinë me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, për të diskutuar forcimin e lidhjeve diplomatike SHBA-Kosovë. “Ne presim me padurim bashkëpunimin e vazhdueshëm me ministrinë mbi prioritetet e përbashkëta, duke përfshirë sigurinë, stabilitetin rajonal dhe diplomacinë tregtare.”
Sekretari i Departamentit të Shtetit Marco Rubio ndër të tjera tha se presidenti Trump ka aftësinë ashtu edhe gatishmërinë për të përdorur pushtetin e zyrës së tij për të menduar “jashtë kutisë”.
Shanset për të bërë diçka në këtë drejtim janë shumë të larta, pasi presidenti Trump mund të bëjë presion mbi Beogradin dhe Prishtinën të arrijnë njëfarë marrëveshjeje. Por kjo do të varet edhe nga siguria ndërkombëtare dhe nga mënyra se sa Kosova do të jetë e interesuar të bëjë më shumë duke detyruar dhe Serbinë të bëjë kompromise. “U takova me presidenten Vjosa Osmani dhe e falënderova atë dhe popullin e Kosovës për angazhimin e tyre ndaj paqes dhe stabilitetit duke qenë anëtare themeluese e “Bordit të Paqes.” Gjithashtu falënderova presidenten Osmani për kontributet e saj në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza.” njoftoi në X, Sekretari i Departamentit të Shtetit Marco Rubio pas takimit me presidenten Vjosa Osmani. Gjatë takimit të “Bordit të Paqes” në Uashington nuk kishte përfaqësues nga shtetet më të fuqishme evropiane.
Në rritjen e gjasave për normalizim të raporteve serbo-kosovare nën presidencën e dytë të Trump-it, Kosova dhe Serbia më parë kanë nënshkruar një varg marrëveshjes por pa efekte konkrete. Marrëveshja e shtatorit në Uashington nën drejtimin e presidentit Trump në vitin 2020 e cila kshte për qëllim që të përmirësojë raportet ekonomike e politike, u pengua nga arestimi presidentit të Kosovës Hashim Thaçi. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama gjatë një fjalimi në Uashington në takimin e “Bordit të Paqës”, fajin ia hudhi prokurorit Jack Smith. Që prej atëherë, asgjë nuk ka lëvizur përpara në marrëdhëniet serbo-kosovare.
Koha mund të jetë tani nëse shfrytëzohen mirë të gjitha mundësisë, pasi admnistrata e presidentit Donald Trump po përdor mjete të diplomacisë jo tradicionale. Andaj në këtë rast për Kosovën dhe Serbinë mund të jetë moment i duhur, shfrytëzimi i atmosferës në Uashington.
BE-ja që nga viti 2023 ka vendosur sanksione ndaj Kosovës. Nga marsi i vitit 2023 me Marrëveshjen e Ohrit për normalizimin e marrëdhënive serbo-kosovare nuk ka ndodhur asnjë hap pozitiv. Përveç nënshkrimit të një marrëveshje për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë, rezultate nuk kemi nga asnjera palë. SHBA-të pavarësisht probleme të brendshme dhe sfidave globale janë të interesuar të shtyjnë një marrëveshje politike dhe ekonomike deri në zgjidhjen përfundimtare.
Në ndërkohë Serbia nuk është pjesë e “Bordit të Paqes”. Dhe kjo nuk nënkupton se Beogradi nuk shkon mirë me Uashingtonin zyrtarë. Në dhjetor të vitit 2025, ministri i Jashtëm i Serbisë Marco Gjuriq zhvilloi takime të rëndësishme në Uashington më senatorë, kongresemenë dhe zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit. “Serbia i kushton shumë rëndësi forcimit të partneritetit gjithëpërfshirës me SHBA-të, partneriteti (sh.y.) qëndron si një nga shtyllat kryesore të angazhimit tonë në politikën e jashtme. Prandaj, unë e mirëpres sinqerisht energjinë dhe entuziazmin e fortë për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tonë dypalësh që unë dhe zv. sekretari
Christopher Landau ndamë në bisedën tonë.” njoftoi në X Gjuriqi.
Beogradi zyrtarë ka kërkuar garanci për serbët duke lobuar vazhdimisht për Asociacionin e Komunave Serbe (AKS). Serbia po zhvillon një diplomaci multivektorale e përqëndruar së fundi në Indi, Lindje të Mesme dhe në shtetet e BE-së.
Kosova ka gjasa maksimale të përfitojë nga atmosfera në Uashington nën administratën e Trump-it. Se a do ta shfrytëzojë këtë moment politika kosovare, mbetet të shihet.
Disa zyrtarë në BE e kanë kritikuar takimin e Trump-it në Uashington, por për hir të paqes dhe për të dalë nga burokratizmi i OKB-së dhe institucioneve të tjera, koha është e përkryer dhe mund të shkojë në favor të konflikteve të ngrira. Në këtë drejtim, shefja e Komisionit Evropian (KE) Ursula von der Leyen tha: “Nga kërcënimet hibride te presioni demografik dhe ndikimi ekonomik, rajonet tona lindore që kufizohen me Rusinë, Bjellorusinë dhe Ukrainën po përballen me një mori sfidash. Ne duhet t’i mbështesim këto rajone dhe të tregojmë solidaritetin tonë. Sepse siguria jonë qëndron në forcën, qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e tyre”. “Me strategjinë e sotme të rajoneve kufitare lindore, ne po forcojmë sigurinë e tyre, duke nxitur njëkohësisht rritjen dhe prosperitetin rajonal. Për të mbrojtur ata që na mbrojnë.”
