Një luftë që është “fituar”, por edhe “nuk ka përfunduar ende”. Një “ekskursion” që kërkon “dorëzimin pa kushte” të Iranit.
Nga Nick Paton Walsh [CNN-World]
3/13/2026
Nyjet retorike të Presidentit Donald Trump përshtaten mirë me stilin e tij të diktimit të dietës informative të Amerikës, por dështojnë kur përplasen me realitetin e ashpër të konfliktit.
“Fitorja” në luftë nuk është si në sport: rezultati nuk shpall fituesin pas një kohe të rënë dakord paraprakisht. Mburrjet dhe videot e stilit të lojërave elektronike të qeverisë amerikane, ndërsa vazhdon sulmin ndaj Iranit, fshehin seriozitetin e jashtëzakonshëm të një momenti të vështirë: sa larg duhet të shkojnë amerikanët, jo vetëm për të deklaruar “ne fituam”, siç bëri Trump të mërkurën në Kentaki, por për ta bërë Iranin të sillet sikur ka pësuar disfatë?
Trump tani është kapur në kurthin më të vjetër të luftës moderne – besimin se një operacion ushtarak i shpejtë dhe kirurgjikal do të sjellë rezultate politike të shpejta dhe të qëndrueshme. Sovjetikët e bënë këtë në Afganistan; SHBA në Irak në 2003; Putini e bëri në Ukrainë dhe ende po lufton. Çfarëdo force që një ushtri dështon ose arrin të zbatojë në fillim, njerëzit që ajo po sulmon kanë përkushtim më të madh për të mbrojtur tokën dhe shtëpitë e tyre.
Shtëpia e Bardhë mund të jetë nxitur në këtë aventurë, duke shfrytëzuar mundësinë për një goditje “dekapituese” (shkatërrim i lidershipit), të ofruar nga inteligjenca izraelite. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka objektiva rajonale shumë të ndryshme, dhe një përfshirje e gjatë e SHBA-së kundër Teheranit i përshtatet dëshirës së tij për një Iran në kolaps të vazhdueshëm që nuk përbën më kërcënim. Por vdekja e Udhëheqësit Suprem, Ali Khamenei, më 28 shkurt, ka shkaktuar po aq probleme sa ka zgjidhur.
Nuk ka asnjë “Delcy Rodriguez” që pret në hije për t’u emëruar nga Trump, siç ishte rasti kur forcat amerikane kapën presidentin venezuelian Nicolás Maduro. Përkundrazi, linja e ashpër iraniane e ka mbushur vakumin me djalin e Khameneit, Mojtaba – pikërisht njeriu që Trump tha publikisht se nuk e donte.
Është e paqartë nëse Mojtaba është në gjendje të mirë shëndetësore për të regjistruar një video ku njofton udhëheqjen e tij, megjithëse media shtetërore iraniane njoftoi të enjten mesazhin e tij të parë si udhëheqës suprem.
Është shumë e qartë se Garda Revolucionare Islamike (IRGC) po kërkon një hakmarrje të përgjakshme për vrasjet e pamëshirshme të komandantëve të saj, ashtu siç do të pritej të bënin trupat amerikane nëse Trump, Shefat e Shtabit dhe shumica e komunitetit të inteligjencës amerikane do të vriteshin.
Ky zemërim pengon perspektivat e menjëhershme të Trumpit për një fund. Irani – brenda 13 ditëve – e ka kthyer këtë në një test qëndrueshmërie të cilin duket se po e mbijeton. SHBA mund të bombardojë për muaj të tërë, por jo pa shteruar rezervat e saj jetike të municioneve dhe pa u përballur me dëme më të mëdha politike përpara zgjedhjeve të nëntorit, si dhe rrezikun e më shumë viktimave amerikane.
Irani do të vazhdojë të humbasë lëshues raketash, baza dronësh, personel dhe infrastrukturë, por mjaftueshëm ka gjasë të mbijetojë që forcat e tij të mos ndalojnë kurrë. Udhëheqësit e IRGC-së janë përgatitur për këtë moment për vite me radhë. Ata mund të mbeten pa bomba, dronë, ose edhe njerëz, por jo pa motivim. Ky, gjithashtu, ishte mësimi i Irakut dhe Afganistanit.
Nocioni dritëshkurtër se goditjet precize do të siguronin një kryengritje të gjerë popullore iraniane po ekspozohet dalëngadalë si një mashtrim. Demokracia dhe ndryshimi i regjimit tani janë aspirata që Trump po i lë pas ndërsa kërkon një fund të luftës.
Në vend të kësaj, po ekspozohen kufizimet e fuqisë ajrore të SHBA-së. Ajo mund të ndryshojë regjimet – në terma të aftësive ose figurave udhëheqëse – por ende nuk ka arritur, me Iranin, të detyrojë një regjim të ndryshojë metodat e tij. Dhe me kalimin e kohës, breshëria do të bëhet më pak efektive dhe më vdekjeprurëse për civilët, pasi objektivat e mbetura për t’u goditur bëhen më të ndërthurura me jetën civile.
Për iranianët, llogaritja e rrezikut kundrejt shpërblimit po shkon në anën tjetër: ata mund të shqetësojnë dhe shkatërrojnë anijet në Ngushticën e Hormuzit, duke mbajtur çmimin e naftës mbi 100 dollarë dhe duke detyruar ekonominë globale të protestojë.
Tani që Trump ka filluar të flasë për fundin çdo ditë, ai e ka bërë të qartë se dëshiron të ndalojë. Ai i ka bërë të ditur armikut të tij se dëshiron të dalë tani. Dhe kështu, për regjimin e Iranit, rruga drejt fitores – ose të paktën jo drejt humbjes – është papritmas shumë e qartë: Thjesht duhet të mbijetojë.
Megjithatë, kjo nuk është ende një “Luftë e Përjetshme” (Forever War). Është vetëm 13 ditëshe. Ka më shumë gjasa që diplomacia e heshtur, ose lodhja e skajshme, të shohë dhunën të shuhet në javët e ardhshme, në një mënyrë që të dyja palët të pretendojnë fitoren.
Pastaj, regjimi i Iranit do të rindërtohet, më i ashpër, më i dhunshëm – i vetëdijshëm se e gjithë fuqia ushtarake e SHBA-së mund t’u vrasë udhëheqësin suprem, por jo t’i shpërbëjë ata. Ky është një triumf i madh psikologjik. Rusia dhe Kina padyshim do t’i ndihmojnë ata të ngrihen përsëri në këmbë.
SHBA ka të ngjarë të duhet të konsiderojë një sulm të përsëritur në të ardhmen. Trump deklaroi fitoren pas 12 ditësh, një fitore që nuk e ka merituar ende ose që nuk është pranuar nga kundërshtari i tij. Ai tani përballet me detyrën e pamundur të pajtimit të nevojës së tij për t’u dukur fitimtar me dëshirën këmbëngulëse të Iranit për të mos u ndalur kurrë. Pritja për lodhje nuk është një plan loje, por duket se është i vetmi në dispozicion tani. [Përktheu: Dan GASHI]

Një grua iraniane mban një poster të udhëheqësit suprem të vrarë të Iranit, Ali Khamenei, në Teheran më 11 mars. [Atta Kenare/AFP/Getty Images]
