Një pamje e përgjithshme e Teheranit me tym të dukshëm në distancë pas raportimit të shpërthimeve në qytet, më 2 mars 2026 në Teheran, Iran. | Kontribues/Getty Images
Newsweek / 14 mars 2026
David Sacks, këshilltari i Presidentit Donald Trump për inteligjencën artificiale dhe kriptomonedhat, ka paralajmëruar se Izraeli po shqyrton përdorimin e një arme bërthamore në luftën me Iranin.
Gjatë një paraqitjeje në podcast-in All In, Sacks foli për “rreziqet” e një “qasjeje përshkallëzuese” në konflikt. “Izraeli mund të shkatërrohet seriozisht,” tha ai, duke shtuar: “Dhe pastaj duhet të shqetësoheni për Izraelin që përshkallëzon luftën duke menduar përdorimin e një arme bërthamore.”
Newsweek ka kontaktuar me Shtëpinë e Bardhë, Pentagonin dhe zyrën e Kryeministrit izraelit për koment, por kërkesat janë dërguar jashtë orarit zyrtar të punës.
Trump ka dërguar sinjale të përziera rreth përmasave dhe kohëzgjatjes së planifikuar të konfliktit. Të mërkurën, ai u tha mbështetësve në Hebron, Kentucky, se konflikti praktikisht kishte përfunduar sapo filloi. “Ne fituam, përfundoi që në orën e parë, por ne fituam,” tha presidenti, para se të shtonte: “Ne nuk duam të largohemi herët, apo jo? Duhet ta përfundojmë punën.”
Ndërsa amerikanët janë të ndarë sipas linjave partiake dhe shumica e sondazheve tregojnë se kundërshtimi ndaj luftës është më i lartë se mbështetja, deklaratat e Sacks vijnë në një moment tensionesh të larta. Komentet e tij të sinqerta për mundësinë e sulmeve bërthamore mund të ngjallin shqetësim të gjerë.
Duke folur në podcast, Sacks tha: “Kjo është një kohë e mirë për të deklaruar fitoren dhe për t’u larguar, dhe kjo është qartësisht ajo që tregjet do të dëshironin të shihnin.”
Ai shtoi se ekziston një “fraksion njerëzish”, kryesisht në Partinë Republikane, të cilët duan që lufta të përshkallëzohet. “Unë thjesht dua të paraqes disa nga rreziqet që mund të sjellë një qasje përshkallëzuese,” tha ai.
Më tej, ai foli për rrezikun ndaj infrastrukturës së naftës dhe gazit, si dhe asaj të ujit për vendet fqinje, dhe potencialin për hakmarrje të vazhdueshme nga Irani ndaj shteteve të Gjirit nëse nafta e tyre goditet.
Sacks u ndal edhe te ndikimi i konfliktit mbi Izraelin: “Është e vështirë të dihet saktësisht se sa dëm po pëson Izraeli tani. Jemi vetëm në javën e dytë. Nëse kjo luftë vazhdon për javë apo muaj, Izraeli thjesht mund të shkatërrohet.”
Lidhur me shqyrtimin e përdorimit të armës bërthamore, ai tha se kjo do të ishte “vërtet katastrofike”, duke shtuar se ka “shumë skenarë vërtet të frikshëm se ku mund të çojë përshkallëzimi”. Këto komente kanë qarkulluar gjerësisht në rrjet dhe kanë nxitur reagime të shqetësuara.
[Përktheu: Dan GASHI]
