Për gjashtë ditë radhash, përfshi sidomos mbrëmjet e së premtes dhe së shtunës protestat në Tiranë dhe qytete tjera të Shqopërisë morën kthesë të madhe: ato kaluan ndërkohë nga protesta paqësore në përplasje me forcat e rendit dhe revoltë të përgjithshme.
Kryeministri shqiptar Edi Rama dënoi përfshirjen e “forcave të huaja” në këtë valë protestash, e cila sipas tij kishte për qëllim pengimin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE), raporton AFP.
Për të gjashtë ditë radhazi, policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë protestuesit që hodhën gurë dhe bllokuan rrugët me kanaçe mbeturinash që digjeshin. Në mbrëmjen e së shtunës policia përdori edhe plumba gome, që po rrezikojnë jeëtn e qytetarëve. Përleshjet vazhduan deri vonë natën në disa lagje të Tiranës.
Një gazetar i AFP-së vëzhgoi grupe të maskuara që thyenin vitrinat e dyqaneve, plaçkitnin dyqanet dhe përpiqeshin të sulmonin ndërtesat qeveritare në qendër të qytetit. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama, i cili ka qenë në pushtet për 13 vjet, dhe po denoncojnë kushtet e mësimdhënies dhe tarifat e shkollimit.
Sipas raportimeve të mediave lokale, protestat janë përhapur në qytete të tjera, si në Shkodër, Vlorë, Durrës, Korçë e deri në Peshkopi, me bllokada studentore më pak të dhunshme, duke shënuar një përshkallëzim të ndjeshëm të lëvizjes.
Në kryeqytet, qindra njerëz u mblodhën jashtë Ministrisë së Arsimit, duke brohoritur, “Rama, jep dorëheqjen!”. “Ne nuk jemi kriminelë. Ne thjesht duam një jetë më të mirë për prindërit tanë dhe veten tonë. Ne nuk duam të largohemi nga Shqipëria”, tha 18-vjeçarja Ledia për AFP-në. “Indiferenca dhe arroganca e qeverisë që nga fillimi i lëvizjes sonë janë të padurueshme dhe e kanë përkeqësuar situatën”, shtoi studentja, e cila kërkoi të identifikohej vetëm me emrin e saj të parë.
Ajo që nisi si pakënaqësi për kushtet në universitete, kostot e studimit dhe perspektivën e punësimit, mobilizoi edhe qytetarë që kundërshtojnë pabarazinë ekonomike dhe Qeverinë e Edi Ramës.
“Kështu nuk shtyhet, sepse ka njerëz që janë bërë miliarderë, e super-miliarderë, ndërsa ka të tjerë shumë të varfër. Unë nuk mund të pajtohem me padrejtësinë, me Qeverinë që është shumë arrogante dhe shumë e korruptuar”, tha protestuesja Luljeta Kola për agjencinë e lajmeve Reuters.
Pakënaqësia me Qeverinë e Edi Ramës, në pushtet që nga viti 2013, nisi të merrte përmasa më të gjera qysh në fund të majit, kur kundërshtimi i një projekti turistik pranë zonës së mbrojtur të Zvërnecit nxiti atë që u quajt “Revolucioni i Flamingove”.
****
Kryeministri Edi Rama deklaroi të premten se protestat nuk kishin “absolutisht asnjë lidhje me vështirësitë, problemet apo aspiratat legjitime të të gjithë atyre që dëshirojnë një jetë më të mirë”.
“E gjithë kjo është vepër e së njëjtës dorë, dorës që e ka kapur opozitën shqiptare për jake, dorës që e ka vënë flakën dhe e ka shkatërruar vazhdimisht Shqipërinë”, pohoi ai, duke akuzuar “fuqitë e huaja”, pa i përmendur mendjet kryesore, për nxitje të trazirave dhe pengim të pranimit të vendit të tij në BE. “Këto janë fuqi të huaja që nuk duan paqe në Shqipëri”, tha ai në një video të postuar në faqen e tij në Facebook.
Është sikur shumë qeveri po lexojnë të njëjtin manual udhëzimesh për trajtimin e protestave, i cili thotë: “Akuzoni disa ‘fuqi të huaja’ të paemërtuara se qëndrojnë pas protestave”.
BE-ja, të cilës Shqipëria shpreson t’i bashkohet në vitin 2030, ka shprehur shqetësimin e saj, ka dënuar dhunën e kësaj jave dhe ka bërë thirrje për një hetim mbi akuzat për përdorim të tepërt të forcës nga policia… [GN/ISHGJ]
