Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Abstrakt
Debati mbi funksionalitetin dhe qëndrueshmërinë e sistemit politik në Kosovë është intensifikuar në vitet e fundit për shkak të krizave të përsëritura institucionale që kanë shoqëruar procesin e formimit të qeverive dhe funksionimin e institucioneve kushtetuese. Ky artikull analizon në mënyrë krahasuese modelin e demokracisë konsensuale të Zvicrës dhe arkitekturën institucionale të sistemit politik kosovar, duke u mbështetur kryesisht në tipologjinë klasike të demokracive të zhvilluar nga Arend Lijphart. Qëllimi i studimit është të shqyrtojë nëse elemente të modelit zviceran – veçanërisht qeverisja kolegjiale dhe mekanizmat e demokracisë direkte – mund të ofrojnë një perspektivë teorike për reflektimin mbi stabilitetin institucional në Kosovë. Artikulli argumenton se sistemi politik kosovar, i karakterizuar nga pluralizmi partiak dhe fragmentimi institucional, mund të përfitojë nga reflektimi mbi parimet e demokracisë konsensuale. Megjithatë, transplantimi i drejtpërdrejtë institucional mbetet i kufizuar për shkak të dallimeve historike, kulturore dhe strukturore ndërmjet dy konteksteve politike.
Fjalë kyçe: demokraci konsensuale, pluralizëm politik, stabilitet institucional, reforma kushtetuese, sistem parlamentar.
1. Hyrje
Ndërtimi i institucioneve demokratike në shtetet e reja shpesh karakterizohet nga tensione ndërmjet arkitekturës formale kushtetuese dhe praktikës reale të politikës. Në këtë kuptim, proceset e konsolidimit institucional në shtetet pas-konfliktuale shpesh shoqërohen me paqëndrueshmëri politike dhe me krizë të besimit institucional.¹
Përvoja e Kosovës përbën një rast veçanërisht interesant për analizë në fushën e shkencave politike dhe të së drejtës kushtetuese krahasuese. Që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, sistemi politik i Kosovës është përballur me një sërë krizash institucionale që lidhen me procesin e formimit të qeverive, interpretimin e dispozitave kushtetuese dhe rivalitetin e fortë ndërmjet aktorëve partiakë.²
Sistemi elektoral proporcional dhe pluralizmi partiak kanë prodhuar një skenë politike të fragmentuar, ku qeveritë zakonisht janë formuar përmes koalicioneve të brishta ndërpartiake. Ky konfigurim institucional është tipik për shumë sisteme parlamentare me përfaqësim proporcional, ku fragmentimi partiak mund të vështirësojë krijimin e shumicave stabile qeverisëse.³
Megjithatë, dinamika e konkurrencës politike në Kosovë ka njohur një transformim të rëndësishëm në dekadën e fundit me konsolidimin e Lëvizjes Vetëvendosje si një forcë dominante në skenën politike. Në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit 2025 kjo parti arriti të fitojë shumicën absolute në Kuvend [51.1%], duke sfiduar konfigurimin tradicional të sistemit shumëpartiak në vend.
Ky zhvillim ka rihapur debatin mbi natyrën e sistemit politik kosovar dhe mbi mundësinë e
reformimit të tij për të garantuar stabilitet institucional afatgjatë.
Në këtë kontekst, studimi i sistemeve tjera demokratike – veçanërisht atyre që kanë zhvilluar mekanizma të avancuar të bashkëqeverisjes dhe të ndarjes së pushtetit – mund të ofrojë një perspektivë të vlefshme krahasuese. Një nga modelet më të studiuara në literaturën e shkencave politike është sistemi i demokracisë konsensuale i Zvicrës.
2. Korniza teorike: demokracia shumëpartiake dhe demokracia konsensuale
Në literaturën e shkencave politike, një nga tipologjitë më të njohura të sistemeve demokratike është ajo e zhvilluar nga Arend Lijphart, i cili dallon ndërmjet dy modeleve kryesore: demokracisë shumëpartiake dhe demokracisë konsensuale.⁴
Sipas Lijphart-it, demokracia shumëprtiake karakterizohet nga koncentrimi relativ i pushtetit politik në duart e shumicës parlamentare dhe nga një logjikë e qartë e alternimit të pushtetit ndërmjet forcave politike konkurruese. Ky model është tipik për sisteme politike si ato të Mbretërisë së Bashkuar dhe të Shteteve të Bashkuara.⁵
Në Mbretërinë e Bashkuar, sistemi elektoral i shumicës (first-past-the-post) prodhon zakonisht qeveri stabile të udhëhequra nga një parti e vetme, zakonisht nga Partia Konservatore ose nga Partia Laburiste. Në mënyrë të ngjashme, në Shtetet e Bashkuara struktura presidenciale e pushtetit dhe dominimi i dy partive kryesore – Partia Demokratike dhe Partia Republikane – krijojnë një sistem politik relativisht të polarizuar por institucionalisht stabil.
Në kontrast me këtë model, demokracia konsensuale synon të përfshijë një gamë më të gjerë aktorësh politikë në procesin e vendimmarrjes. Ky model karakterizohet nga:
- koalicione të gjera qeverisëse
- ndarje të balancuar të pushtetit institucional
- sisteme elektorale proporcionale
- mbrojtje të fortë të të drejtave të minoriteteve
- mekanizma të avancuar të federalizmit dhe decentralizimit.⁶
Në studimet krahasuese të demokracive moderne, disa nga shembujt më tipikë të demokracive konsensuale janë: Zvicra [që konsiderohet shpesh modeli klasik i demokracisë konsensuale], Belgjika, Holanda [ me një traditë tëgjatë të“politikës së kompromisit”], Austria, Luksemburgu, Danimarka dhe Norvegjia.
Një nga shembujt më të konsoliduar të këtij modeli është sistemi politik i Zvicrës, i cili shpesh konsiderohet në literaturë si një “demokraci konsensuale paradigmatike”.⁷
3. Metodologjia
Ky studim përdor një metodologji krahasuese institucionale, e cila është një nga qasjet më të përdorura në analizën e sistemeve politike në shkencat politike krahasuese.⁸
Analiza fokusohet në tri dimensione kryesore:
- Struktura e pushtetit ekzekutiv
- Sistemi partiak dhe formimi i qeverisë
- Mekanizmat e pjesëmarrjes demokratike
Përmes kësaj qasjeje synohet të identifikohen dallimet dhe ngjashmëritë ndërmjet sistemit politik të Kosovës dhe modelit zviceran të demokracisë konsensuale, si dhe të vlerësohet potenciali i reflektimit institucional në kontekstin kosovar.
4. Modeli zviceran i demokracisë konsensuale
Sistemi politik i Zvicrës është ndërtuar mbi një filozofi të qeverisjes që synon përfshirjen e gjerë të aktorëve politikë në procesin e vendimmarrjes.⁹
Në qendër të këtij sistemi qëndron Këshilli Federal, qeveria federale e vendit, e përbërë nga shtatë anëtarë që përfaqësojnë partitë kryesore politike. Ky organ funksionon mbi bazën e një parimi kolegjial të vendimmarrjes dhe presidenca e tij është rotative.
Ky model shmang përqendrimin e pushtetit tek një figurë e vetme politike dhe inkurajon bashkëqeverisjen ndërpartiake. Në literaturën e shkencave politike kjo shpesh përshkruhet si “formula magjike” e ndarjes së pushtetit ndërmjet partive kryesore politike.¹⁰
Një element tjetër thelbësor i sistemit zviceran është demokracia direkte. Referendumet dhe iniciativat qytetare përbëjnë instrumente të rëndësishme përmes të cilëve qytetarët marrin pjesë drejtpërdrejt në procesin e vendimmarrjes politike.¹¹
Kombinimi i federalizmit, qeverisjes kolegjiale dhe demokracisë direkte ka kontribuar në krijimin e një sistemi politik jashtëzakonisht stabil, pavarësisht pluralizmit kulturor dhe gjuhësor të shoqërisë zvicerane.
5. Sistemi politik i Kosovës: pluralizëm dhe fragmentim
Sistemi politik i Kosovës është ndërtuar mbi një model parlamentar me sistem elektoral proporcional dhe përfaqësim shumëpartiak.¹²
Ky konfigurim institucional ka prodhuar një pluralizëm të theksuar partiak dhe një skenë politike relativisht të fragmentuar. Për shumë vite, qeveritë në Kosovë janë formuar përmes koalicioneve ndërpartiake që shpesh kanë qenë të paqëndrueshme.
Fragmentimi partiak dhe rivaliteti i fortë ndërmjet elitave politike kanë kontribuar në një nivel relativisht të lartë të paqëndrueshmërisë institucionale.
Megjithatë, zhvillimet politike të viteve të fundit kanë treguar një tendencë drejt konsolidimit të një poli dominant politik. Fitorja e shumicës absolute nga Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, me theks ato të 28 dhjetorit 2025, përfaqëson një moment të rëndësishëm në evolucionin e sistemit politik kosovar.
Ky zhvillim mund të interpretohet si një proces gradual transformimi nga një sistem shumëpartiak i fragmentuar drejt një konfigurimi më të centralizuar të konkurrencës politike.
6. Analizë krahasuese
Krahasimi ndërmjet sistemit politik të Kosovës dhe modelit zviceran nxjerr në pah disa dallime strukturore.
Së pari, derisa sistemi politik i Kosovës është i ndërtuar mbi logjikën e konkurrencës ndërpartiake dhe alternimit të pushtetit, sistemi zviceran bazohet në bashkëqeverisjen e vazhdueshme të partive kryesore politike.
Së dyti, roli i qytetarëve në procesin e vendimmarrjes është shumë më i theksuar në Zvicër përmes mekanizmave të demokracisë direkte.
Së treti, struktura kolegjiale e ekzekutivit zviceran redukton ndjeshëm polarizimin politik që shpesh karakterizon sistemet parlamentare klasike.
Megjithatë, stabiliteti i sistemit zviceran nuk është vetëm rezultat i arkitekturës institucionale, por edhe i një kulture politike konsensuale që është zhvilluar gradualisht gjatë një periudhe të gjatë historike.¹³
6.1 Diversiteti etnik, gjuhësor dhe fetar
Një nga faktorët më të rëndësishëm historikë është struktura e larmishme e shoqërisë zvicerane. Në territorin e Zvicrës bashkëjetojnë komunitete me identitete të ndryshme: gjermanofonë, frankofonë, italofonë dhe retroromanë [një përzierje e substratit latin me italishten dhe gjermanishten].
6.2 Trashëgimia e konflikteve të shekullit XIX
Një moment kritik në historinë politike zvicerane ishte lufta civile e vitit 1847, e njohur si
Sonderbund Krieg.
Ky konflikt ndërmjet kantoneve katolike konservatore dhe kantoneve liberale protestante ishte relativisht i shkurtër, por ai prodhoi një mësim strategjik për elitën politike zvicerane: stabiliteti i shtetit kërkonte mekanizma të fortë kompromisi dhe integrimi politik.
Pas këtij konflikti u miratua kushtetuta federale e vitit 1848, e cila krijoi bazat e sistemit modern politik zviceran.
6.3 Neutraliteti si strategji gjeopolitike
Pozicioni gjeografik i Zvicrës në zemër të Evropës dhe historia e saj e ndërveprimeve me fuqitë e mëdha e shtyu vendin të adoptonte një strategji të neutralitetit politik dhe ushtarak.
Ky neutralitet kërkonte një nivel të lartë kohezioni të brendshëm politik. Si rezultat, elitat politike zhvilluan një sistem institucional që minimizon konfliktin politik dhe maksimizon konsensusin.
Në këtë kuptim, demokracia konsensuale u bë pjesë e një strategjie të gjerë të stabilitetit shtetëror.
6.4 Demokracia direkte si mekanizëm stabilizues
Zhvillimi i mekanizmave të demokracisë direkte ishte gjithashtu një zgjedhje strategjike. Instrumente si referendumet dhe iniciativat qytetare u përdorën për të transferuar pjesërisht konfliktin politik nga elitat te qytetarët, duke rritur legjitimitetin e vendimeve politike.
Kjo krijoi një sistem ku qytetarët kanë një rol të drejtpërdrejtë në vendimmarrje, gjë që redukton tensionet ndërmjet partive politike.
7. Kriza aktuale politike në Kosovë dhe “Republika e Tretë” si shtegdalje institucionale
Në literaturën e shkencave politike, shtetet e reja shpesh përballen me tensione ndërmjet projektimit institucional dhe praktikës reale të politikës. Në rastin e Kosovës, këto tensione janë shfaqur në mënyrë të përsëritur përmes krizave të formimit të qeverive, bllokimeve parlamentare dhe interpretimeve të kontestuara të dispozitave kushtetuese.
Në këtë kontekst, gjithnjë e më shumë analistë dhe studiues të politikës argumentojnë se një pjesë e këtyre krizave nuk janë vetëm rezultat i rivalitetit partiak, por lidhen me vetë modelin institucional të projektuar gjatë procesit të shtetndërtimit të Kosovës. Ky model u strukturua kryesisht mbi bazën e dokumentit të njohur si Plani i Ahtisarit.
Kjo kornizë institucionale, e projektuar në një kontekst të veçantë ndërkombëtar dhe të negociatave për statusin politik të Kosovës, synonte njëkohësisht stabilitetin institucional dhe mbrojtjen e komuniteteve joshumicë. Megjithatë, në praktikën politike të viteve pas pavarësisë, ai ka prodhuar edhe tensione strukturore që kanë ndikuar në funksionalitetin e sistemit politik.
Që nga shpallja e pavarësisë më 2008, sistemi politik i Kosovës ka kaluar disa momente të rëndësishme krize: mosmarrëveshje rreth mandateve qeverisëse, ndërhyrje të shpeshta të gjykatës kushtetuese në procesin politik dhe polarizim të theksuar ndërpartiak.
Këto zhvillime kanë krijuar një perceptim gjithnjë e më të përhapur se problemi nuk është vetëm politik, por edhe institucional. Në këtë kontekst është rihapur debati për nevojën e një reforme më të thellë të sistemit kushtetues.
Kushtetuta e Kosovës e vitit 2008 krijoi një sistem parlamentar të kombinuar me një numër mekanizmash të avancuar të mbrojtjes së minoriteteve dhe të ndarjes së pushtetit. Ky model institucional u ndikua në mënyrë të konsiderueshme nga procesi ndërkombëtar i shtetndërtimit dhe nga kompromiset politike që shoqëruan Planin e Ahtisaarit.
Në këtë kuptim, sistemi kushtetues i Kosovës mund të përshkruhet si një demokraci parlamentare me elemente të theksuara të konsociacionalizmit, ku disa vendime kërkojnë shumica të dyfishta dhe përfaqësim të garantuar për komunitetet jo-shumicë.
Ndërsa këto mekanizma synonin stabilitetin dhe përfshirjen politike, në praktikë ata kanë prodhuar edhe një sërë bllokimesh institucionale. Fragmentimi partiak dhe rivaliteti i fortë politik shpesh e kanë bërë të vështirë krijimin e shumicave funksionale në parlament.
7.1 Arkitektura institucionale e shtetit pas Pakos së Ahtisaarit
Sistemi kushtetues i Kosovës është ndërtuar mbi një model parlamentar që përmban elemente të forta të ndarjes së pushtetit dhe të mbrojtjes së minoriteteve. Ky model institucional përfshin:
- Përfaqësim të garantuar parlamentar për komunitetet joshumicë [10 vende të rezervuara për minoritetin serb dhe 10 vende për minoritetet tjerë];
- Mekanizma të shumicës së dyfishtë në vendimmarrje;
- Decentralizim territorial të zgjeruar [10 komuna ku shumicë ishte minoriteti serb.
[Sipërfaqja e përbashkët e këtyre komunave është rreth 1,708 km². Ndërkohë, sipërfaqja totale e Kosovës është rreth 10,887 km². Nëse krahasohet sipërfaqja e këtyre komunave me territorin e përgjithshëm të Kosovës: 1,708 km² / 10,887 km² ≈ 15.6 %
E qartë, pesha territoriale rezulton të jetë shumë më e madhe se pesha demografike.
Popullsia serbe në Kosovë vlerësohet të jetë rreth 4–5 % e popullsisë totale, ndërkaq komunat ku ata janë shumicë shtrihen në rreth 16 % të territorit.] - Rol të rëndësishëm të institucioneve ndërkombëtare në fazën e parë të shtetndërtimit.
Në teorinë politike, modele të tilla shpesh klasifikohen si forma të demokracisë konsociacionale, të cilat synojnë menaxhimin institucional të pluralizmit etnik dhe politik.
Megjithatë, ndërthurja e këtyre mekanizmave me një sistem elektoral proporcional dhe një skenë politike të fragmentuar ka prodhuar shpeshbllokime institucionale dhe tensione ndërmjet aktorëve politikë.
7.2 Dimensioni i ndikimit ndërkombëtar në elitën politike
Një element tjetër i debatit kritik mbi funksionimin e sistemit politik kosovar lidhet me rolin e faktorëve ndërkombëtarë në procesin e shtetndërtimit.
Në shumë analiza politike është theksuar se gjatë fazës së administrimit ndërkombëtar dhe negociatave për statusin e Kosovës, elitat politike vendore operonin në një kontekst të fortë ndikimi nga aktorët ndërkombëtarë.
Ky realitet ka prodhuar një debat të vazhdueshëm mbi shkallën e autonomisë strategjike të klasës politike kosovare dhe mbi mënyrën se si interesat e fuqive të ndryshme ndërkombëtare mund të kenë ndikuar në konfigurimin institucional të shtetit.
Në diskursin politik dhe analitik shpesh janë artikuluar kritika se një pjesë e elitës politike në Kosovë ka qenë e varur nga mbështetja e aktorëve të jashtëm dhe ka funksionuar brenda një strukture të fortë patronazhi politik ndërkombëtar.
7.3. Kriza politike si simptomë e një problemi strukturor
Kriza aktuale politike në Kosovë mund të interpretohet në tri nivele kryesore:
7.3.1 Fragmentimi partiak
Sistemi elektoral proporcional ka kontribuar në krijimin e një skene politike të fragmentuar. Në shumë raste, qeveritë janë formuar përmes koalicioneve të brishta që kanë qenë të prirura ndaj krizave.
7.3.2 Konflikti ndërmjet legjitimitetit elektoral dhe atij institucional
Në disa momente të rëndësishme politike, interpretimi i dispozitave kushtetuese është bërë pjesë e konfliktit politik. Kjo ka vendosur gjykatën kushtetuese në qendër të debatit politik, duke e politizuar shpesh rolin e saj institucional.
7.3.3 Polarizimi politik
Në vitet e fundit, sistemi politik kosovar ka hyrë në një fazë të polarizimit më të theksuar ndërmjet blloqeve politike. Kjo situatë e ka bërë më të vështirë krijimin e konsensusit institucional.
8. Koncepti i “Republikës së Tretë”
Në historinë kushtetuese të shumë shteteve evropiane, termi “Republika e Tretë” përdoret për të përshkruar një fazë të re të zhvillimit institucional pas një periudhe krizash strukturore.
Në kontekstin e Kosovës, ky koncept mund të përdoret si një metaforë analitike për një fazë të re të reformës institucionale që do të synonte:
- rritjen e stabilitetit qeverisës
- qartësimin e balancës së pushteteve
- rritjen e pjesëmarrjes demokratike
- forcimin e legjitimitetit institucional.
Një reformë e tillë nuk do të nënkuptonte domosdoshmërisht një ndryshim radikal të sistemit politik, por një ridizajnim të disa mekanizmave kyç të funksionimit të shtetit.
Debati mbi një “Republikë të Tretë” në Kosovë mund të përfshijë disa alternativa teorike.
8.1 Stabilizimi i sistemit parlamentar
Një qasje do të ishte forcimi i sistemit parlamentar ekzistues përmes reformave në:
- sistemin elektoral
- procedurat e formimit të qeverisë
- rolin e parlamentit në kontrollin e ekzekutivit.
8.2 Elementë të demokracisë konsensuale
Një mundësi tjetër është adoptimi i disa mekanizmave të inspiruar nga demokracitë konsensuale evropiane, si:
- qeverisja kolegjiale [rasti i Zvicrës]
- përfshirja më e gjerë ndërpartiake në ekzekutiv
- mekanizma të zgjeruar të pjesëmarrjes qytetare.
8.3 Demokracia direkte
Zgjerimi i instrumenteve të demokracisë direkte (referendumet, iniciativat qytetare) mund të rrisë legjitimitetin e vendimmarrjes politike dhe të reduktojë tensionet ndërmjet elitave politike.
9. Përfundim
Analiza krahasuese tregon se modeli i demokracisë konsensuale i Zvicrës ofron një perspektivë teorike interesante për reflektimin mbi stabilitetin institucional në Kosovë.
Megjithatë, transplantimi i drejtpërdrejtë institucional i këtij modeli nuk është realist për shkak të dallimeve historike, kulturore dhe institucionale ndërmjet dy vendeve.
Ajo që mund të jetë më e dobishme për Kosovën është reflektimi mbi disa nga parimet themelore të këtij modeli – veçanërisht ndarjen e pushtetit, bashkëqeverisjen dhe pjesëmarrjen e zgjeruar demokratike.
Në këtë kuptim, debati mbi reformën institucionale në Kosovë duhet të shkojë përtej diskutimeve të ngushta politike dhe të përfshijë një reflektim më të gjerë mbi arkitekturën e sistemit demokratik.
Vetëm përmes një qasjeje të tillë strategjike mund të ndërtohet një sistem politik më i qëndrueshëm dhe më funksional për të ardhmen e shtetit të Kosovës.
Kriza aktuale politike në Kosovë nuk mund të reduktohet vetëm në rivalitetin ndërmjet partive politike. Ajo reflekton gjithashtu kufizimet strukturore të arkitekturës institucionale të shtetit.
Në këtë kontekst, ideja e një “Republike të Tretë” mund të shërbejë si një kornizë analitike për reflektim mbi reformimin e sistemit politik dhe për ndërtimin e një modeli më funksional të qeverisjes demokratike.
Fusnota
- Juan J. Linz & Alfred Stepan, Problems of Democratic Transition and Consolidation (Baltimore: Johns Hopkins University Press, 1996).
- Florian Bieber, “Institutional Challenges in Kosovo,” Southeast European Studies 2015.
- Giovanni Sartori, Parties and Party Systems (Cambridge University Press, 1976).
- Arend Lijphart, Patterns of Democracy (Yale University Press, 1999).
- Arend Lijphart, Democracies: Patterns of Majoritarian and Consensus Government (1984).
- Lijphart, Patterns of Democracy, 31–47.
- Wolf Linder & Sean Mueller, Swiss Democracy (Palgrave Macmillan, 2017).
- Arend Lijphart, “Comparative Politics and the Comparative Method,” American Political Science Review 1971.
- Linder & Mueller, Schweizer Demokratie.
- Vatter, Adrian. Das politische System der Schweiz (2018).
