Nga Dan GASHI / Njujork
Lufta e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit mbështetet edhe nga aleatët e tyre të Gjirit, me Arabinë Saudite si aleat kryesor. Qëllimi dhe objektivi i sulmeve është dorëzimi i Iranit, përmbysja e pushtetit teokratik dhe vendosja e një pushteti miqësor ndaj SHBA-së, Izraelit dhe fqinjëve të rajonit. Kurse Irani, në dallim nga objektivat e tre aktorëve, ka qëllimet dhe aspiratat e veta, të cilat edhe pse në kundërshtim të drejtpërdrejtë me ta, në mënyrë paradoksale në disa pika përkojnë me interesat e Iranit.
Por, pavarësisht nga qëllimet evidente, palët në këtë teatër konflikti kanë objektiva të fshehta, shpesh diametralisht të kundërta me perceptimin publik.
Sipas paradigmës makiaveliane, Izraeli mund të përfitojë nga një dobësim i Amerikës në një luftë të madhe në Lindjen e Mesme; erozioni i fuqisë ushtarake amerikane shihet si një efekt që, në forma të ndryshme, u shërben pothuajse të gjithë aktorëve në konflikt, përfshirë edhe aleatëve të saj.
Në këtë moment, katër fuqitë kryesore në Lindjen e Mesme janë të përfshira në një lojë aq të ndërlikuar dhe kundërintuitive, sa që edhe vetë lojtarët shpesh nuk i definojnë plotësisht qëllimet e tyre finale.
Objektivat e katër aktorëve kyç në këtë konflikt duken tejet të qarta, ashtu si edhe perceptimi në pamje të parë. Shtetet e Bashkuara mendojnë se kanë aleatë. Izraeli mendon se ka një mbrojtës -Amerikën. Arabia Saudite mendon se ka partnerë SHBA-në dhe monarkitë e Gjirit. Irani mendon se i njeh qartë armiqtë e tij dhe qëllimet e tyre.
Por e vërteta e pakëndshme është kjo: secili prej tyre, në një mënyrë apo tjetër, përfiton nga dobësimi i Amerikës. Ky nuk është thjesht spekulim, por një lexim i realitetit përmes teorisë së mashtrimeve të sofistikuara afatgjata, mënyra se si shtetet mendojnë kur kamerat fiken dhe retorika publike shuhet.
Në sipërfaqe, duket si një realitet i thjeshtë: Amerika, Izraeli dhe Arabia Saudite në një anë, dhe Irani në anën tjetër; “të mirët” kundër “të këqijve”, demokracia kundër diktaturës.
Por kjo është një narrativë e thjeshtuar, ndërsa realiteti është shumë më kompleks.
Në këtë lojë, çdo aktor ka objektiva të ndryshme, një përkufizim të ndryshëm të fitores dhe më e rëndësishmja shpesh sheh si kundërshtar edhe atë që në dukje është aleat.
Shtetet e Bashkuara synojnë, në thelb, dobësimin ose shkatërrimin e Iranit, si pjesë e një strategjie më të gjerë për kontrollin e burimeve energjetike dhe rrugëve detare kyçe si Ngushtica e Hormuzit, si dhe vrojtimin nga afër të fuqisë në rritje kineze dhe vështirësimin e faktorizimit të BRICS-it.
Irani, nga ana tjetër, kërkon të kundërbalancojë këtë presion përmes kontrollit të kësaj ngushtice, dobësimit të pranisë ushtarake amerikane në rajon dhe kufizimit të fuqisë së Izraelit, por jo shuarjen e saj.
Izraeli ndjek një logjikë strategjike që jo gjithmonë përputhet me interesat amerikane, duke synuar ruajtjen e epërsisë së tij ushtarake dhe përfitimin nga dobësimi i rivalëve, përfshirë edhe një Amerikë të lodhur nga konfliktet e gjata, që do ta bënte Izraelin plotësisht të pavarur politikisht dhe të vetmen fuqi dominuese ushtarake në rajon.
Arabia Saudite synon frenimin dhe defaktorizimin e Iranit, por njëkohësisht kërkon më shumë autonomi strategjike dhe ruajtjen e rolit të saj dominues në rajon dhe në botën islame, si dhe hapësirë më të madhe manovrimi politik dhe ekonomik jashtë mbikëqyrjes amerikane.
Kështu, kemi katër aktorë dhe katër strategji të ndryshme.
Fakti është se konfliktet e gjata janë më të rrezikshme për Amerikën sesa ato të shkurtra. Historia tregon se SHBA fiton luftëra të shpejta, por has vështirësi në luftëra të zgjatura me okupim dhe kryengritje.
Kjo krijon një paradoks strategjik; një luftë e gjatë mund të shndërrohet në mekanizëm për dobësimin gradual të fuqisë amerikane.
Në këtë kontekst, përdorimi i armëve bërthamore nuk shihet si një opsion realist, për shkak të kostove të larta politike, morale dhe strategjike, si dhe rrezikut të përshkallëzimit të pakontrollueshëm.
Një dimension tjetër i rëndësishëm është ai global. Strategjia historike amerikane ka qenë parandalimi i bashkimit të fuqive të mëdha tokësore në Euroazi (i ashtuquajturi “heartland”), pasi një bashkëpunim i tillë do të sfidonte dominimin e saj global.
Afërsia strategjike dhe gjeografike mes aktorëve si Rusia, Kina dhe Irani përbën një sfidë strukturore për këtë rend.
Në fund, kjo analizë nxjerr në pah një realitet të pamohueshem, shtetet nuk kanë miq të përhershëm, por interesa të përhershme. Aleancat zgjasin aq sa përputhen interesat reciproke.
Konfliktet udhëhiqen nga strategjia, por ndihmohen nga manipulimi.
