Nga Ndriçim KULLA
Disa procese historike, për fat të keq, lindin si ideale dhe përfundojnë si rituale. Në fillim mbajnë brenda tyre një dritë orientuese, një besim se popujt mund të ecin drejt një rendi më të drejtë, drejt një qytetërimi më të ngritur, drejt një sistemi vlerash ku liria, drejtësia dhe dinjiteti njerëzor nuk janë propagandë, por themele reale të jetës politike. Mirëpo, kur një proces humbet lidhjen me të vërtetën dhe fillon të ushqehet vetëm me formulime diplomatike, me raporte burokratike dhe me gjuhën e mjegullt të kompromisit strategjik, ai pushon së qeni projekt historik dhe kthehet në një romancë të pafundme pritjeje, ku popujt lodhen duke trokitur në një derë që hapet vetëm në deklarata.
Kjo është ajo që po ndodh me procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Një histori që po zgjatet si një horizont artificial, ku çdo vit prodhon të njëjtin ritual shpresash, të njëjtat samite, të njëjtat deklarata optimiste, të njëjtat premtime për “hapje kapitujsh”, ndërkohë që realiteti shqiptar vazhdon të largohet gjithnjë e më shumë nga vetë standardet mbi të cilat është ndërtuar Europa moderne. Dhe pikërisht këtu fillon kontradikta e madhe morale dhe politike e Europës ndaj Shqipërisë: sepse perspektivë europiane pa respektuar parimet europiane nuk ka. Kjo nuk është tezë politike. Është aksiomë.
Europa nuk u ndërtua mbi mashtrimin elektoral, mbi kapjen e institucioneve, mbi propagandën e pushtetit, mbi frikën administrative apo mbi manipulimin e demokracisë formale. Europa lindi mbi rrënojat e tiranive, mbi refuzimin e autoritarizmit dhe mbi bindjen se shteti duhet të kontrollohet nga ligji dhe jo ligji nga shteti. Dhe megjithatë, në raport me Shqipërinë, duket sikur për vite me radhë Europa ka pranuar të shohë jo realitetin shqiptar, por versionin e kuruar të tij që i është servirur në korridoret e Brukselit nga makineria propagandistike e regjimit të Edi Ramës.
Në këtë pikë problemi nuk është vetëm shqiptar. Problemi bëhet europian. Sepse kur Europa hesht përballë deformimit të demokracisë në emër të stabilitetit, ajo fillon të relativizojë vetë filozofinë e saj politike. Dhe historia ka treguar se çdo qytetërim që relativizon parimet për interesa afatshkurtra strategjike, nis të gërryejë themelet e veta nga brenda.
Shqipëria e viteve të fundit është paraqitur shpesh në tryezat europiane si një histori suksesi administrativ, si një partner stabil në Ballkan, si një faktor i bindur gjeopolitik në raport me Perëndimin. Por stabiliteti nuk është sinonim i demokracisë. Edhe regjimet më të mbyllura në histori kanë prodhuar stabilitet formal. Edhe diktaturat kanë ditur të prodhojnë qetësi administrative. Europa nuk mund ta masë demokracinë vetëm me faktin se një qeveri është e gatshme të zbatojë kërkesat gjeostrategjike të saj, ndërkohë që brenda vendit degradon pluralizmin, shkatërron balancat institucionale dhe e kthen shtetin në instrument partie. Kjo është arsyeja pse një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare e sheh sot procesin e integrimit si një “e lagu se lagu” pa fund, si një teatër diplomatik ku gjithçka lëviz për të mos ndryshuar asgjë. Sepse nëse një regjim që akuzohet vazhdimisht për lidhje të errëta me korrupsionin, për deformim zgjedhjesh, për kapje të drejtësisë dhe për kontroll të frikshëm propagandistik vazhdon të marrë përkëdhelje diplomatike dhe status privilegjues në emër të “ruajtjes së stabilitetit”, atëherë vetë nocioni i integrimit humbet seriozitetin moral.
Në thelb, Europa është gjendur përballë një dileme që e ka ndjekur shpesh në historinë e saj politike: a duhet të mbështesë të vërtetën demokratike apo stabilitetin strategjik? Dhe duket se në rastin shqiptar, shpesh ka zgjedhur të dytën. Jo domosdoshmërisht nga keqdashja, por nga frika. Frika e pabazuar dhe e lobuar, se një Shqipëri e destabilizuar mund të rrëshqasë drejt influencave lindore, drejt Rusisë, Kinës apo aktorëve të tjerë që kërkojnë të depërtojnë në Ballkan. Mirëpo ky është një kompromis i rrezikshëm moral, sepse një demokraci artificiale nuk bëhet më demokratike vetëm pse është pro-perëndimore në retorikë.
Në këtë mënyrë, Europa ka rrezikuar të bëhet, ndoshta pa vetëdije, pjesë e iluzionit që ushqen regjimi. Duke toleruar propagandën e suksesit formal dhe duke mos reaguar me forcën e duhur ndaj realitetit të deformuar shqiptar, ajo ka ndihmuar indirekt në zgjatjen e pushtetit të një modeli qeverisës që gjithnjë e më tepër po largohet nga standardet që vetë Europa predikon. Prandaj reagimi opozitar nuk mund të mbetet më vetëm në nivel deklarativ. Opozita shqiptare shpesh ka menduar se e vërteta kuptohet vetvetiu në kancelaritë europiane. Jo. E vërteta në politikën ndërkombëtare nuk mjafton të ekzistojë; ajo duhet edhe të lobohet, duhet të artikulohet, duhet të imponohet me këmbëngulje morale dhe me presion politik. Dhe pikërisht këtu opozita duhet të ndërtojë një strategji të re: jo vetëm kundër regjimit brenda vendit, por edhe kundër perceptimit të deformuar që është ndërtuar për Shqipërinë në Bruksel.
Sepse Brukseli nuk jeton realitetin shqiptar. Ai sheh dosje, raporte, takime, konferenca dhe statistika të kuruara. Ai nuk ndjen frikën e qytetarit shqiptar përballë administratës partiake. Nuk jeton emigrimin masiv të rinisë. Nuk sheh zbrazjen dramatike të vendit. Nuk përjeton dëshpërimin e një populli që e sheh shtetin si pronë të pushtetit dhe jo si garanci të qytetarit. Dhe kur opozita nuk arrin ta çajë këtë mur propagandistik, atëherë gënjeshtra fillon të marrë statusin e realitetit diplomatik.
Në këtë aspekt, edhe votimi i IBAR-it u perceptua nga shumëkush si pjesë e kësaj skeme të pafundme kompromisesh diplomatike, ku regjimit i jepet oksigjen politik në këmbim të një stabiliteti të përkohshëm. Edhe pse kushtet që shoqërojnë këto procese mbeten praktikisht të pakapërcyeshme dhe edhe pse të gjithë e dinë se integrimi real kërkon standarde që Shqipëria sot nuk i përmbush, sërish vazhdohet me të njëjtën gjuhë optimiste, me të njëjtën koreografi burokratike që zgjat iluzionin dhe shtyn pafund momentin e së vërtetës.
Në këtë kuptim, shtatë rezolutat e organizimeve të qendrës së djathtë europiane prodhuan shumë ndryshime, por jo tronditjen reale që pritej. Regjimit vërtet iu vendosën kushte, iu bënë kritika, por ai, me lobime, ruajti statusin e tij ndërkombëtar dhe vazhdoi të trajtohet si partner stabil, ndërkohë që mekanizmi i propagandës vazhdon të dizenjojë një Shqipëri imagjinare nëpër korridoret e Brukselit.
Dhe pikërisht këtu opozita duhet të kuptojë në vijim se beteja nuk është më vetëm elektorale. Është kulturore, morale dhe diplomatike. Duhet një gjuhë më e ashpër politike, më e fortë, më e kthjellët dhe më dramatike në kuptimin qytetar të fjalës. Duhet një revoltë që të mos ketë frikë nga intensiteti i saj moral. Sepse kur demokracia deformohet sistematikisht dhe kur propaganda fillon të zëvendësojë realitetin, protesta pushon së qeni luks politik dhe bëhet detyrim qytetar. Europa duhet të zgjohet nga komoditeti i saj diplomatik ndaj Shqipërisë. Nuk mund të ketë integrim europian me fasadë propagandistike. Nuk mund të ketë perspektivë europiane mbi themele anti-europiane. Nuk mund të ndërtohet Europa në Shqipëri duke mbyllur sytë para deformimit të saj. Përndryshe, procesi i integrimit do të vazhdojë të mbetet një romancë e pafundme pritjeje, ku shqiptarët do të dëgjojnë përherë premtime për Europën, ndërkohë që jetojnë çdo ditë larg saj.
Dhe ndoshta tragjedia më e madhe nuk është fakti se Shqipëria ende nuk është bërë pjesë e Europës. Tragjedia e vërtetë është se Europa rrezikon të humbasë vetveten në Shqipëri, duke toleruar për interesa afatshkurtra atë që dikur betohej se nuk do ta pranonte kurrë. [Gazeta Panorama]
