Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Hyrje
Çështja e Dhomave të Specializuara dhe gjykimet ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë ndër çështjet më të ndjeshme juridike, politike dhe historike me të cilat është përballur Republika e Kosovës. Bëhet fjalë për procese që nuk prekin vetëm fatin e individëve që ndodhen përpara drejtësisë, por edhe mënyrën se si kuptohet dhe vlerësohet lufta e UÇK-së, si perceptohet ajo në arenën ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, si e trajton vetë shteti i Kosovës trashëgiminë e luftës çlirimtare.
Pikërisht për këtë arsye, çdo debat për Dhomat e Specializuara kërkon seriozitet të veçantë institucional. Çështja nuk mund të trajtohet vetëm si instrument i konkurrencës partiake, aq më pak si mekanizëm për prodhimin e krizave politike që mund të shërbejnë për interesa elektorale.
Në këtë kontekst duhet analizuar edhe kërkesa e PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe lidhja që kjo parti po vendos ndërmjet kësaj çështjeje dhe procesit të zgjedhjes së presidentit.
Teza themelore e kësaj eseje është se problemi kryesor nuk qëndron te legjitimiteti i debatit për ndryshimin e ligjit, por te instrumentalizimi politik i kësaj çështjeje dhe te përdorimi i UÇK-së si kategori mobilizuese partiake, në një mënyrë që mund të bjerë ndesh me interesin jetik për një kohezion shoqëror e politik dhe me interesin e funksionalitetit të shtetit.
Teza 1: Urgjenca për ndryshimin e ligjit nuk duhet të shndërrohet në instrument të krizës institucionale
Kërkesa për ndryshimin e një ligji është pjesë normale e jetës parlamentare. Edhe Ligji për Dhomat e Specializuara mund të jetë objekt debati, kritike dhe ndryshimi. Problemi fillon atëherë kur një çështje juridike vendoset si kusht për funksionalitetin e institucioneve të tjera.
Kushtëzimi politik i tipit “votojeni ligjin, pastaj diskutojmë për presidentin” e zhvendos debatin nga fusha juridike në atë të presionit politik. Në vend që ndryshimi i ligjit të trajtohet si proces legjislativ që kërkon analizë, konsultim dhe konsensus, ai shndërrohet në instrument për të kushtëzuar një proces tjetër kushtetues.
Kjo krijon një paradoks të dukshëm: pretendohet se po mbrohet një interes madhor shtetëror, ndërkohë që mënyra e ndjekur për ta mbrojtur atë mund të prodhojë pikërisht dobësimin e funksionalitetit shtetëror.
Nëse çështja e Dhomave të Specializuara është vërtet çështje strategjike kombëtare, ajo duhet të trajtohet përmes një strategjie shtetërore dhe jo përmes një krize të re institucionale.
Teza 2: Beteja juridike nuk mund të zëvendësohet me një betejë politike të brendshme
Një element i rëndësishëm i këtij debati është dallimi ndërmjet dimensionit juridik dhe atij politik.
Proceset kundër drejtuesve të UÇK-së kanë mekanizmat e tyre juridikë. Mbrojtja e tyre zhvillohet përmes avokatëve, procedurave gjyqësore dhe mjeteve juridike të parashikuara nga sistemi përkatës. Për këtë arsye, një debat parlamentar në Kosovë nuk duhet të paraqitet sikur është vetë beteja vendimtare për fatin juridik të këtyre proceseve.
Nëse qëllimi është kundërshtimi i gjetjeve që prekin historinë, motivet apo karakterin e luftës së UÇK-së, atëherë Kosovës i duhet një strategji shumë më e gjerë. Kjo strategji do të duhej të përfshinte ekspertizën juridike, dokumentacionin historik, institucionet akademike, ekspertët ndërkombëtarë, diplomacinë dhe burimet financiare e profesionale të shtetit.
Pra, pyetja nuk duhet të jetë vetëm: a ndryshohet ligji?
Pyetja më e rëndësishme duhet të jetë: çfarë strategjie shtetërore ekziston për mbrojtjen juridike dhe historike të Kosovës?
Pa përgjigje në këtë pyetje, ndryshimi i ligjit [miratimi i të cilit tshmë kloi në leximin e parë] rrezikon të mbetet një akt politik simbolik.
Teza 3: Nga taktika parlamentare te një doktrinë e re e veprimit politik?
Pyetja që shtrohet nuk është më vetëm nëse sjellja e PDK-së përbën një gabim politik, mungesë vizioni apo keqllogaritje institucionale. Pyetja më e rëndësishme është nëse kemi të bëjmë me një mënyrë të re të konceptimit të veprimit politik opozitar, në të cilën bllokimi institucional, instrumentalizimi i një çështjeje me ngarkesë të lartë kombëtare dhe presioni mbi institucionet shndërrohen në mjete të një strategjie të vetëdijshme politike.
Një parti me përvojë të gjatë në institucionet e Kosovës vështirë se mund të mos jetë e vetëdijshme për pasojat që prodhojnë krizat e zgjatura parlamentare. Për këtë arsye, përsëritja e një kursi që rrezikon funksionalitetin institucional nuk mund të reduktohet automatikisht në paaftësi politike. Ajo mund të jetë edhe rezultat i një llogaritjeje politike, ku kostoja institucionale konsiderohet e pranueshme nëse sjell përfitim elektoral, opozitar ose simbolik.
Në këtë kuptim, mund të flasim hipotetikisht për një “doktrinë të bllokimit politik”: përdorimin e pengimit të funksionimit institucional jo thjesht si reagim ndaj një vendimi të qeverisë, por si instrument për të ndryshuar raportin e forcave politike.
Elementi më i ndjeshëm i kësaj qasjeje shfaqet atëherë kur një çështje me karakter kombëtar, historik apo identitar vendoset në qendër të konfliktit institucional. Në këtë rast, kundërshtimi politik rrezikon të marrë një dimension ku çdo kompromis mund të paraqitet si lëshim ndaj interesit kombëtar, ndërsa çdo tërheqje nga pozicioni fillestar mund të interpretohet si dobësi politike.
Kështu krijohet një paradoks: një çështje që në vetvete mund të pretendohet se mbrohet në emër të interesit shtetëror mund të përdoret në një mënyrë që prodhon kosto për vetë funksionalitetin e shtetit.
Kjo është pika ku duhet bërë dallimi ndërmjet interesit shtetëror dhe interesit partiak. Interesi shtetëror lidhet me vazhdimësinë dhe funksionalitetin e institucioneve; interesi partiak lidhet me pozicionimin, mobilizimin e elektoratit dhe ndryshimin e raportit të forcave. Kur këto dy interesa identifikohen plotësisht me njëri-tjetrin, ekziston rreziku që çdo instrument i presionit partiak të legjitimohet si mbrojtje e shtetit.
Prandaj, pyetja analitike nuk duhet të jetë vetëm: “A ka të drejtë PDK-ja në çështjen që ngre?”
Pyetja më relevante është: “Çfarë modeli të veprimit politik po institucionalizohet përmes mënyrës se si kjo çështje po përdoret në konfliktin politik?”
Nëse një parti e shndërron bllokimin institucional në instrument të rregullt presioni, atëherë kemi të bëjmë me diçka më shumë se një taktikë të momentit. Mund të kemi një transformim të kulturës së opozitarizmit, ku suksesi politik matet jo vetëm me aftësinë për të propozuar alternativa, por edhe me aftësinë për t’ia rritur kundërshtarit koston e qeverisjes.
Shih për këtë, sjellja e PDK-së mund të interpretohet jo thjesht si një episod i konfliktit parlamentar, por si një shfaqje e mundshme e një forme të re të veprimit politik opozitar, në të cilën bllokimi institucional dhe mobilizimi i çështjeve me ngarkesë kombëtare përdoren si instrumente të presionit politik. Vetëm përsëritja dhe konsolidimi i kësaj praktike do të mundësonin të flitej për shfaqjen e një doktrine të re të veprimit politik.
Teza 4: Instrumentalizimi i UÇK-së mund të jetë pjesë e një strategjie të gjatë për ruajtjen e identitetit politik të PDK-së
Tendenca për instrumentalizimin e skajshëm të UÇK-së e bën edhe më të rëndësishme pyetjen mbi strategjinë afatgjatë të PDK-së.
Nëse UÇK-ja shfaqet vazhdimisht në diskursin politik si kufiri që ndan “mbrojtësit” nga “kundërshtarët” e saj, atëherë krijohet një mekanizëm i fuqishëm i identifikimit elektoral. Në këtë mënyrë, mbrojtja e UÇK-së rrezikon të identifikohet me mbështetjen për një subjekt të caktuar politik.
Këtu mund të shtrohet hipoteza se kemi të bëjmë me një projekt politik të studiuar gjatë, i cili synon të ruajë ose të rikonsolidojë pozicionin politik të PDK-së përmes lidhjes së identitetit të saj me UÇK-në.
Logjika politike e kësaj strategjie do të ishte relativisht e thjeshtë: sa më shumë që UÇK-ja shndërrohet në kategori partiake, aq më lehtë mund të krijohet perceptimi se mbrojtja e saj është e barasvlershme me mbështetjen për një parti.
Në këtë rast, çdo kritikë ndaj PDK-së mund të interpretohet si kritikë ndaj UÇK-së dhe çdo kundërshtim politik mund të paraqitet si mungesë e ndjeshmërisë ndaj luftës.
Ky mekanizëm do të ishte problematik pikërisht sepse e zhvendos UÇK-në nga statusi i një pjese të historisë së Kosovës në statusin e një instrumenti të konkurrencës partiake.
UÇK-ja nuk mund të jetë pronë politike e një partie.
Teza 5: Pyetja themelore është kush përfiton nga ky pozicionim?
Çdo analizë serioze politike duhet të kalojë nga pyetja “çfarë po ndodh?” te pyetja “kush përfiton nga ajo që po ndodh?”
Në këtë rast lindin disa pyetje legjitime.
Kush e shtyn këtë pozicionim politik?
A kemi të bëjmë vetëm me një kalkulim të brendshëm partiak?
A kanë ndonjë rol grupet e interesit dhe përfaqësuesit ekonomikë që kanë ushtruar ndikim mbi PDK-në?
A ekzistojnë interesa të tjera politike, përfshirë ato jashtë Kosovës, që mund të përfitojnë nga polarizimi dhe dobësimi i institucioneve?
Këto pyetje nuk mund të shndërrohen në akuza pa dëshmi. Një analizë akademike duhet të bëjë dallimin ndërmjet hipotezës dhe faktit. Por pikërisht për këtë arsye ato duhet të shtrohen.
Në një demokraci funksionale, çdo forcë politike që pretendon se po vepron në interes të shtetit duhet të jetë e gatshme të shpjegojë se si veprimet e saj kontribuojnë në forcimin e shtetit.
Nëse PDK-ja pretendon se strategjia e saj është në interes të mbrojtjes së UÇK-së, atëherë duhet të shpjegojë se si kjo strategji e forcon funksionalitetin e Republikës së Kosovës dhe si kontribuon konkretisht në mbrojtjen juridike dhe historike të luftës.
Teza 6: Mbrojtja e UÇK-së dhe mbrojtja e shtetit nuk mund të vendosen në kundërshtim me njëra-tjetrën
Këtu qëndron paradoksi kryesor.
Nëse UÇK-ja përfaqëson një kapitull themelor të historisë së Kosovës, atëherë mbrojtja e trashëgimisë së saj nuk mund të ndahet nga forcimi i shtetit të Kosovës.
Një shtet funksional është instrumenti kryesor për mbrojtjen e interesave juridike, historike dhe politike të një shoqërie. Prandaj, është kontradiktore të pretendohet se po mbrohet UÇK-ja duke kontribuar njëkohësisht në dobësimin e funksionalitetit institucional.
Pyetja duhet të shtrohet në mënyrë të drejtpërdrejtë: Si mund të mbrohet UÇK-ja duke dobësuar shtetin që doli nga lufta e saj?
Dhe, anasjelltas: A mund të pretendohet mbrojtja e UÇK-së pa ndërtuar një shtet të fortë, funksional dhe institucionalisht të qëndrueshëm?
Përgjigjja duket e qartë në rrafshin parimor: jo.
Teza 7: Faktori i jashtëm dhe mundësia e instrumentalizimit të opozitës
Një dimension tjetër që meriton vëmendje në analizën e krizave të përsëritura politike në Kosovë është roli i mundshëm i faktorit të jashtëm në orientimin, ndikimin ose instrumentalizimin e aktorëve politikë vendorë.
Kosova nuk funksionon në një hapësirë të izoluar politike. Pozita e saj gjeopolitike, raportet me aleatët ndërkombëtarë, procesi i integrimit euroatlantik dhe konfliktet e pazgjidhura në raport me Serbinë e bëjnë Republikën objekt të vazhdueshëm të interesave të ndryshme ndërkombëtare. Për këtë arsye, është e arsyeshme të shtrohet pyetja nëse krizat e brendshme politike mund të shfrytëzohen nga aktorë të jashtëm për të ndikuar në drejtimin politik të vendit.
Pyetja nuk është nëse opozita është “e kontrolluar nga jashtë”. Një përfundim i tillë do të kërkonte prova konkrete dhe nuk mund të ndërtohet mbi supozime politike.
Pyetja më serioze është tjetër: A ekzistojnë interesa të jashtme që mund të përfitojnë nga dobësimi i institucioneve të Kosovës dhe, nëse po, a ekzistojnë kanale përmes të cilave këto interesa mund të ndikojnë në sjelljen e aktorëve politikë vendorë?
Kjo pyetje bëhet veçanërisht relevante kur veprimet e disa aktorëve politikë prodhojnë vazhdimisht bllokim institucional, polarizim të skajshëm dhe pamundësi për krijimin e një konsensusi mbi çështjet strategjike.
Një shtet që nuk arrin të funksionojë në mënyrë të qëndrueshme bëhet më i ekspozuar ndaj ndikimeve të jashtme. Sa më e madhe të jetë varësia e institucioneve nga krizat e brendshme, aq më e madhe bëhet hapësira për aktorë të jashtëm që të ushtrojnë ndikim përmes ndërmjetësimit politik, presionit diplomatik, kanaleve ekonomike, rrjeteve të interesit apo marrëdhënieve me elitat vendore.
Në këtë pikë duhet të shqyrtohet edhe një hipotezë më e ndjeshme: a mund të synojë ndonjë interes i jashtëm jo domosdoshmërisht ndryshimin e pushtetit, por rikthimin e Republikës në një gjendje ku ajo mund të mbahet peng nga krizat politike dhe institucionale?
Një Kosovë e polarizuar, me institucione të dobësuara dhe me elita politike të përfshira në konflikte të vazhdueshme, është më pak e aftë të ndërtojë politika afatgjata, të konsolidojë sovranitetin institucional dhe të negociojë nga një pozitë e qëndrueshme.
Nëse një skenar i tillë ekziston, atëherë instrumenti nuk do të duhej të ishte domosdoshmërisht një ndërhyrje e drejtpërdrejtë. Mund të mjaftonte ndikimi mbi aktorë të caktuar, nxitja e polarizimit, mbështetja e narrativave të caktuara ose shfrytëzimi i konflikteve ekzistuese ndërmjet forcave politike.
Kjo nuk do të thotë se opozita në Kosovë nuk ka të drejtë të kundërshtojë qeverinë. Përkundrazi, opozita është komponent themelor i demokracisë. Por ekziston një dallim i rëndësishëm ndërmjet opozitës si mekanizëm demokratik i kontrollit të pushtetit dhe opozitës si instrument potencial i interesave që synojnë dobësimin e vetë shtetit.
Ky dallim nuk mund të përcaktohet me etiketime politike. Ai duhet të analizohet përmes fakteve: financimit, kanaleve të ndikimit, marrëdhënieve politike, vendimmarrjes, komunikimeve publike dhe përputhjes së veprimeve konkrete me interesat e aktorëve të jashtëm.
Në këtë kuptim, pyetja e drejtpërdrejtë nuk ka të bëjë me atë se “kush është opozita dhe kush është kundër saj”, por, cilat interesa prodhohen nga bllokimi institucional i Kosovës dhe cilët aktorë, vendorë apo të jashtëm, përfitojnë prej tij?
Nëse përgjigjja tregon se krizat e brendshme politike po krijojnë në mënyrë të përsëritur hapësirë për interesa të jashtme, atëherë problemi nuk është më vetëm një konflikt ndërmjet pozitës dhe opozitës. Ai bëhet problem i sigurisë politike dhe i sovranitetit institucional.
Në fund, një republikë nuk “merret peng” vetëm përmes dhunës ose ndërhyrjes së drejtpërdrejtë. Ajo mund të mbahet peng edhe përmes krizës së përhershme, polarizimit politik dhe paaftësisë së institucioneve për të prodhuar vendime.
Prandaj, pyetja nëse faktori i jashtëm po ndikon në opozitën e Kosovës nuk duhet të përdoret si akuzë politike. Ajo duhet të jetë objekt i një hetimi serioz, të pavarur dhe të bazuar në dëshmi.
Sepse nëse ekziston ndikim i tillë, mbrojtja e Republikës nuk mund të bëhet duke e delegjitimuar opozitën si të tillë. Ajo bëhet duke rritur transparencën, përgjegjshmërinë politike, kontrollin mbi financimin dhe ndikimin e jashtëm dhe, mbi të gjitha, duke ndërtuar institucione që nuk mund të mbahen peng nga asnjë aktor — vendor apo ndërkombëtar.
Përfundim
Debati për Dhomat e Specializuara nuk duhet të reduktohet në një përplasje të zakonshme ndërmjet partive politike. Ai është një test për pjekurinë institucionale të Republikës së Kosovës dhe për aftësinë e klasës politike që çështjet e interesit kombëtar t’i ndajë nga kalkulimet afatshkurtra elektorale.
Ndryshimi i ligjit mund të jetë objekt legjitim i debatit politik dhe juridik. Por një ndryshim ligjor nuk mund të zëvendësojë një strategji shtetërore. As nuk mund të përdoret si instrument për ta mbajtur peng funksionalitetin institucional.
Nëse synimi është mbrojtja e UÇK-së, atëherë kërkohet më shumë se retorika politike. Kërkohet shtet funksional, ekspertizë juridike, dokumentim historik, diplomaci, burime financiare dhe unitet institucional.
Nëse, përkundrazi, çështja e UÇK-së përdoret për të prodhuar një ndarje elektorale ndërmjet “atyre që e mbrojnë” dhe “atyre që nuk e mbrojnë”, atëherë kemi të bëjmë me instrumentalizimin e një pjese të historisë kombëtare për interesa partiake.
Dhe ky është rreziku më i madh: që një çështje që duhet të bashkojë shoqërinë rreth interesit shtetëror të përdoret për ta thelluar ndarjen politike.
Prandaj, pyetja përfundimtare nuk është se cila parti e përdor më fuqishëm emrin e UÇK-së.
Pyetja është nëse politika e Kosovës është në gjendje ta mbrojë trashëgiminë e saj historike pa e shndërruar atë në pronë elektorale.
UÇK-ja nuk ka nevojë për pronarë politikë. Ajo ka nevojë për histori të dokumentuar, argument juridik, kujtesë institucionale dhe një shtet të aftë për t’i mbrojtur interesat e veta.
Në fund të fundit, mbrojtja e UÇK-së nuk mund të matet me intensitetin e retorikës politike për të. Ajo duhet të matet me aftësinë e shtetit të Kosovës për ta mbrojtur të vërtetën e vet historike përmes institucioneve, argumenteve dhe politikës së përgjegjshme.
