Grover Cleveland (18 mars 1837 – 24 qershor 1908) ishte presidenti i 22-të dhe i 24-të i Shteteve të Bashkuara, që shërbeu gjatë viteve 1885–1889 dhe 1893–1897. Ai mbetet në histori si presidenti i parë i SHBA-së që shërbeu në dy mandate jo të njëpasnjëshme dhe i pari demokrat i zgjedhur pas Luftës Civile Amerikane.
“Thuani të vërtetën”
Ishte viti 1884. Amerika po mbytej nga korrupsioni; politikanët bliheshin e shiteshin si bagëtia dhe marrëveshjet e fshehta vendosnin fatin e zgjedhjeve. Gënjeshtra ishte monedha e kohës. Në këtë skenë doli një avokat trupmadh dhe i prerë nga Buffalo, me një platformë elektorale thuajse “të dalë mode”: Ndershmëria.
Javë para zgjedhjeve, kundërshtarët e tij lëshuan atë që menduan se do të ishte goditja vdekjeprurëse. Një grua me emrin Maria Halpin pretendoi se Cleveland-i ishte babai i fëmijës së saj.
Skandali pushtoi faqet e para të gazetave. Karikaturat e tallnin pa mëshirë dhe kundërshtarët marshonin rrugëve duke thirrur: “Ma, Ma, where’s my Pa?” (Nënë, nënë, ku e kam babanë?).
Ekipi i tij i fushatës, i përfshirë nga paniku, e rrethoi me këshilla: “Mohoje!” “Shkatërroje atë grua!” “Gënje, Grover — të gjithë gënjejnë!”
Cleveland-i i dëgjoi i qetë dhe pastaj shqiptoi tri fjalët që shtangën të pranishmit: “Thuani të vërtetën.”
“Të gjithën,” shtoi ai me gjakftohtësi. “Asgjë mos fshihni. Asnjë manipulim. Vetëm të vërtetën.”
Një ndershmëri që fitoi votat Fushata e konfirmoi historinë.
Po, ai kishte pasur një lidhje dhe kishte lindur një fëmijë. Por doli në dritë edhe një fakt tjetër: ndërsa burra të tjerë të përfshirë kishin refuzuar përgjegjësinë, Cleveland-i e kishte mbështetur djalin në heshtje.
Ai nuk përdori truke avokatësh për t’u shfajësuar. Ai thjesht tha: Po. Amerika e respektoi këtë. Votuesit panë një njeri që refuzoi të gënjente edhe kur kjo mund t’i kushtonte karrierën.
Cleveland-i i fitoi zgjedhjet.
Presidenti i vetove
Si president, ai tmerroi Uashingtonin me një zakon të pazakontë: ai i lexonte vërtet projektligjet.
Kur gjente favore të fshehura apo korrupsion të maskuar, ai u vënte veton.
Gjatë mandatit të parë, ai vendosi mbi 400 veto — më shumë se të gjithë presidentët paraardhës së bashku.
Kur partia i kërkonte të “bashkëpunonte” për të mbajtur aleatët e lumtur, ai përgjigjej: “Nuk do të nënshkruaj legjislacion që mashtron popullin amerikan. Edhe nëse kjo më kushton gjithçka.”
Operacioni sekret në det
Në mandatin e dytë, Cleveland-i u përball me një krizë tjetër: një tumor agresiv në qiellzën e gojës. Vendi ishte në krizë ekonomike dhe lajmi se presidenti mund të vdiste do të shkaktonte kaos në bursa. Ai njoftoi se po shkonte “në një udhëtim peshkimi”. Në fakt, në jahtin e një miku në East River, një ekip kirurgësh ia hoqën tumorin në fshehtësi të plotë ndërsa varka lëkundej. Ai u kthye në punë me një protezë gome dhe sekreti u ruajt për 25 vjet.
Trashëgimia Grover Cleveland nuk ishte magjepsës apo simpatike. Ai ishte diçka shumë më e rrallë: i ndershëm kur ndershmëria ishte e rrezikshme. Kur vdiq në vitin 1908, fjalët e tij të fundit ishin një përmbledhje e jetës së tij: “Jam përpjekur aq shumë të bëj të duhurën.”
Në një epokë ku e vërteta shpesh trajtohet si opsionale, historia e Cleveland-it na bën një pyetje të thjeshtë: Po sikur thjesht të thoshit të vërtetën? [Përktheu dhe pregaditi: Dan GASHI]
